Vox populi

Besa Arifi

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Kjo javë u shënua nga rezultatet e anketës së realizuar nga instituti M-Prospekt i cili realizoi edhe anketën me rezultate më të sakta vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 11 Dhjetorit. Kishte shumë pyetje të cilat ofruan përgjigje interesante veçanërisht lidhur me rejtingun e partive politike, perceptimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe mënyrat e mundshme të daljes nga kriza politike me të cilën përballemi për një kohë të gjatë. Por ato që më bënë përshtypje të veçantë ishin pyetjet e parashtruara dhe përgjigjet e fituara lidhur me Prokurorinë Publike Speciale (PPS).

Në pyetjen “A duhet të vazhdohet afati në të cilin PPS mund të ngrisë aktakuza?” 62.8% e të anketuarve janë përgjigjur me “Po”, 28.8% me “Jo” dhe 8.3% me “Nuk e di/Nuk kam përgjigje”. Ky rezultat vërteton edhe një herë që mbi 60% e popullatës në këtë vend beson dhe përkrah punën e PPS si institucion i cili edhe më herët ka dëshmuar që gëzon besim dhe përkrahje më të madhe tek qytetarët në krahasim me të gjitha institucionet tjera të rregullta politike dhe juridike të vendit.

Rezultati i mësipërm është analizuar edhe në aspektin etnik dhe ka treguar që të njejtës pyetje 82,7% e të anketuarve shqiptarë i janë përgjigjur me “Po”, 10.6% me “Jo” dhe 6.6% me “Nuk e di/Nuk kam përgjigje”. Nga ana tjetër, të njejtës pyetje, 56.5% e të anketuarve maqedonas i janë përgjigjur me “Po”, 36.1% me “Jo” dhe 8.3% me “Nuk e di/Nuk kam përgjigje”. Ajo që ky rezultat tregon është një përkrahje masive nga shqiptarët për këtë institucion, me rreth 83%. Në qoftë se i referohemi intervistës së fundit të Gruevskit ku ai tha që tek shqiptarët e Maqedonisë, momentalisht është “në modë” apo si ç’tha ai “fancy” të jesh kundër VMRO-së, në fakt kuptojmë që ky rezultat kaq i qartë tregon se ne si popull modern dhe avangardë, për t’u marrë shembull nga të gjithë të tjerët që jetojnë në këtë vend, jo vetëm që jemi shprehur qartë kundër një mënyre autokratike të qeverisjes por edhe i kemi dhënë një përkrahje të pakomrpomis institucionit që ka marrë përsipër të vendosë drejtësinë në vend duke ndjekur penalisht njerëzit më të fuqishëm në shtet të cilët gjinden nën hetime për vepra serioze penale që lidhen me kriminalitetin e organizuar dhe atë ekonomik. Po pra, mund të jemi shumë krenar si popull që kemi dhënë një përkrahje kaq të lartë për këtë institucion dhe që qartë e kemi shprehur vullnetin që drejtësia të vihet në vend një herë e mirë. Kjo po që është “fancy” bile edhe “cool” dhe “trendy”.

Rezultati lidhur me pyetjen e parashtruar është analizuar edhe në aspektin e përkrahjes për partitë politike dhe ka treguar që nga përkrahësit e VMRO-DPMNE 20.5% janë për ndërsa 76.1% janë kundër vazhdimit të mandatit të PPS, nga përkrahësit e LSDM 93.9% janë për dhe 1.7% janë kundër, nga përkrahësit e BDI 75.8% janë për dhe 15.2% janë kundër, nga përkrahësit e lëvizjes BESA 82.4% janë për dhe 8.8% janë kundër, nga përkrahësit e LR-PDSH 100% janë për dhe 0% janë kundër dhe nga përkrahësit e PDSH sipas kësaj ankete 0% janë për dhe 87% janë kundër vazhdimit të mandatit të PPS. Është interesante mënyra si është shpërndarë përkrahja ndaj PPS në varshmëri nga simpatizimi për partitë politike dhe që flet shumë për qëndrimin e partive politike lidhur me këtë institucion.

Ajo që duhet të mbajë mend çdo subjekt politik shqiptar është se 83% e shqiptarëve nuk kanë asnjë dilemë që mandati i PPS duhet domosdoshmërisht të vazhdohet. Kjo përkrahje është më e lartë bile edhe në krahasim me përkrahjen e dhënë për Platformën shqiptare, duke mare parasyshë që gjithnjë sipas të njëjtës anketë, në pyetjen “Si është mendimi juaj i përgjithshëm lidhur me Platformën e përbashkët të partive shqiptare?” nga të anketuarit shqiptarë 74.5% janë përgjigjur me “Pozitiv”, 5.8% me “Negativ”, 9.8% me “Neutral” dhe 9.8% me “Nuk e di/Nuk kam përgjigje”.

Në qoftë se partitë politike shqiptare kanë ende dilema lidhur me atë se çfarë nënkupton patriotizmi tek shqiptarët, dhe kujt duhet ti jepet prioritet, duhet të shikojnë rezultatin e kësaj ankete, por edhe të dëgjojnë mire zërin e popullit që votoi me 11 Dhjetor. Ky është një zë shumë i qartë i cili shumë saktë tregon që për shqiptarët e Maqedonisë forma më e lartë e shprehjes së patriotizmit është përkrahja e drejtësisë. Dhe kjo i bën ata “trendy”, “cool” e “fancy”, dhe këtë të gjithë duhet ta kenë të qartë. Pra populli ynë me shumë krenari tregon që nuk ka dilema kur flitet për vendosjen e drejtësisë, dhe partive politike u mbetet vetëm të respektojnë këtë vullnet.

Në asnjë mënyrë kjo nuk do të thotë se çështjet etnike nuk janë të rëndësishme, përkundrazi, rezultatet e anketës tregojnë qartë që ato janë poashtu kruciale. Por vazhdimi pa fund i negociatave me karakter etnik pas një kohe fillon të ngjasojë me sabotimin e rradhës që i bëhet drejtësisë (pas gjithë sabotimeve që iu bënë në dy vitet e fundit) duke pamundësuar që e njejta të funksionojë, duke e mbajtur peng të njejtën në bisedat e pafundta mbi çështjet etnike që në Ballkan asnjëherë nuk mund të mbyllen përgjithmonë vetëm me një ligj, vetëm me një marrëveshje ose me një veprim të vetëm. Edhe drejtësia nuk vjen menjëherë dhë kërkon shumë mund dhe përkushtim për t’u vendosur, veçanërisht pas dhjetëra viteve të dhunimit të pamëshirshëm të saj. Prandaj duhet që sa më parë e njëjta të fillojë të vendoset sepse ajo është parakusht për realizimin e çdo të drejte tjetër, duke përfshirë këtu edhe të drejtat më të shenjta që lidhen me identitetin etnik dhe nacional.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ndërsa drejtësia nuk guxon të mohohet në emër të asnjë populli, sepse një mohim i tillë është pikërisht shenjë e shkatërimit total të çdo ndjenje patriotike dhe nuk mund të arsyetohet e as të tolerohet në kurfarë mënyrë.

Prandaj, të nderuar politikanë, kur të keni dilema të rënda si këto që i keni, lidhur me atë se çfarë është patriotizëm në këtë vend e çfarë nuk është, thjeshtë, vetëm dëgjoni zërin e popullit dhe gjithçka do të jetë e qartë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP