Shkelet marrëveshja, nuk përfillet kërkesat për autobusët 9 dhe 19

Drejtuesit e Qytetit të Shkupit nuk e respektojnë marrëveshjen e arritur paraprake me këshilltarët shqiptarë, ku sipas bisedave dhe takimeve të realizuar mes Idriz Oranës dhe Qemal Musliut me kryetarin Koce Trajanovski, janë dakorduar që transporti publik i autobusëve në linjat me numër 9 dhe 19 të mbulohet 50 për qind nga transportuesit privat dhe 50 për qind nga transportuesit publik, shkruan gazeta KOHA. Shkeljen e marrëveshjes e ka zbuluar koordinatori i grupit të këshilltarëve të PDSH-së, në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Orana, i cili pas pranimit të materialeve për rendin e ditës së seancës që pritet të mbahet nesër (16 shkurt), ka konstatuar së propozimi për rikthimin e autobusëve publike me numër 9 dhe 19, nuk është i njëjtë me kërkesat të cilat ata paraprakisht i kanë parashtruar.

“Gjatë periudhës së kaluar kemi zhvilluar një sërë takimesh me krerët e Qytetit të Shkupit lidhur me problemin e ndërprerjes së linjave publike në linjat e autobusëve 9 dhe 19. Lëshimet që janë bërë me vendimin e sjellur në dhjetor të vitit të kaluar i vërtetoi edhe vetë Këshilli i Qytetit. Megjithatë, pas një hulumtimi dhe analizë të propozimit që na është dorëzuar për t’u votuar në seancën e ardhshme, kam vërejtur se janë bërë ndryshime sa i përket kërkesave dhe propozimeve tona për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Kështu që, kreu i Qytetit të Shkupit ka paraparë që linja me numër 9, nga transportuesit publik të mbulohet vetëm me 26 për qind, ndërsa pjesën e mbetur prej 74 për qind të qarkullimit ditor të autobusëve ta mbulojnë transportuesit privat. Nga ana tjetër, për linjën me numër 19 – propozohet që transportuesit publik gjatë vozitjes së udhëtarëve ta mbulojnë me vetëm 15 për qind, gjegjësisht 85 për qind të kësaj linje të mbulohet nga autobusët privat”, ka deklaruar Idriz Orana, këshilltar në Qytetin e Shkupit.

“Lidhur me këtë çështje kemi kërkuar takim me kreun e Shkupit, Koce Trajanovski, ku do të bisedojmë se pse nuk është respektuar marrëveshja paraprake dhe njëherësh do të kërkojmë që e njëjta të përmirësohet para mbajtjes së seancës me 16 shkurt. Ndërsa, në rast se këto kërkesa tona nuk pranohen, unë bashkërisht me strukturat tjera të partisë do të sjellim vendim se a do ta votojmë propozimin aktual, në të cilin nuk parashihet mbulimi 50-50 i transportit publik në linjat e autobusëve me numër 9 dhe 19”, tha Qemal Musliu, këshilltar në Qytetin e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button