Në kopshtin e krizës mbollën bomba

Politikanët e prodhojnë krizën, kurse qytetarët i paguajnë faturat e saj. Politikanët në Maqedoni aq shumë prodhuan kriza, saqë qytetarët u detyruan edhe me luftë ta paguanin praninë paraprake të krizës. Atëherë kur qytetarët e harxhuan këtë kartë, filluan me shpërngulje t’i paguanin faturat e shtrenjta të krizës. Kisinxheri thoshte se nuk mund të kemi një krizë qeverie javën e ardhshme pasi e kam agjendën plot. Rrjedhimisht, politikanët tanë shquhen për kohë të lirë. Vaj halli për qytetarët!

Çështja është se kur nuk kishim krizë dhe cili segment ishte imun ndaj krizës? Kësodore, krizë kishim edhe atëherë kur dyshemesë sonë i thoshin “oazë e paqes”. Kriza dikur ishte pararojë e luftës. Pasi shpërtheu lufta, kriza ishte strukur në një zgafellë dhe mundimshëm mendohej nëse do t’i mbijetonte luftës për t’u shfaqur sërish pas lufte. Gjithsesi, lufta mbaroi, por kriza nuk u zhduk. Ajo menjëherë pas lufte zuri vend në të gjitha fushat. Në atë kohë për të vazhduar gjer më sot, pësuan të drejtit dhe u pasuruan keqbërësit. Pasi u pasuruan, duhej të mbroheshin prej atij pasurimi të paligjshëm. Si mburojë e kësaj mbrojtjeje sërish kishin zgjedhur qytetarët. Sakaq, qytetarëve i krijuan probleme në mënyrë që ata të mos kenë kohë dhe mundësi të merren me politikanët xhepthellë dhe mendjecekur.

Politikanët e dhjamur lehtë e kishin, ngaqë në vend se të merreshin me zhdukjen e krizës, gjithnjë e më tepër shfaqnin afsh të zjarrtë t’i zhduknin ata që përpiqeshin ta zhduknin krizën. Po ashtu, përmes paraqitjeve të shpeshta dhe të sheshta nëpër mediume, ata orvateshin që krizën ta mbanin sa më të fshehtë. Megjithatë, kriza është sikurse zgjeba apo zhuga siç njihet në popull. Mundohesh të hiqesh së asgjë nuk ke, mirëpo kruajtja e shpeshtë flet më së miri se nuk është diçka në rregull me trupin tuaj! Shumë u munduan të na mashtrojnë se kriza në Maqedoni është mashtrim optik i disa gazetarëve, analistëve dhe publicistëve, të cilat paguhet prej organizatave të jashtme për ta shtrembëruar realitetin në Maqedoni. Kot e kishin, ngaqë më e fuqishme se fjala e mendimbërësve ishte përshtypja dhe përjetimi i qytetarëve. Ata varfëroheshin derisa përfaqësuesit e tyre pasuroheshin. Ata hiqnin të zitë e ullirit kur kishin punë nëpër spitale të shtetit, kurse përfaqësuesit e popullit nuk vrisnin fare mendjen për kësi lloj sfilitjesh, ngaqë qëmoti kishin braktisur spitalet e shtetit për t’ia mësyrë spitaleve

private, në të cilat paguhej shtrenjtë, mirëpo kjo nuk ishte problem për të korruptuarit tanë.

Në vitin 2015 përmes të ashtuquajturve bomba filloi të shfaqej kriza, gjegjësisht shfaqej ajo që prej kohësh mundohej të mbahej e fshehur, por e cila ashtu në fshehtësi bënte kërdi. Qytetarët dhe politikanët filluan të njoftohen me ato gjëra, që si njëra palë ashtu edhe tjetri i dinin. Politikanët filluan të shqetësohen dhe për rrjedhojë e akuzuan hedhësin e bombave si mëtues për të shkaktuar krizë në vend. Në të vërtetë, kriza po deklarohej dhe aspak nuk kishim të bënim me shkaktim të krizës. Politikanëve kjo nuk i pëlqente, sepse ishin mësuar të fitonin shumë nëpër periudha të krizave dhe se shkaktarë të krizës ishin mu ata. Për t’i shpëtuar atyre bombave, të rrezikuarit prej bombave ngutas shkaktuan bombardime në Kumanovë. Bombat qenë bërë kryefjalë në Maqedoni. Ndonjëherë hidheshin realisht e herë pas herësh përdoreshin alegorikisht prej politikanëve, duke lënë kështu të nënkuptohet se sa afër pëlcitjeve me pasoja të rënda gjendemi. Sidoqoftë, nuk u hodhën gjithë bombat (përgjimet), ndaj edhe rezultati prej atyre bombave ishte i mangët.

Bombat përpos që thyen mite të figurave që mbaheshin si të paprekshme, sollën edhe zgjedhje të parakohshme, por jo edhe të paktën zgjidhje të përkohshme. Fjala bombë, nuk u shua as pas zgjedhjeve. Përgjatë përpjekjes për ta formuar qeverinë, partitë politikë herë e hidhnin bombën nëpër shtabe partiake e herë në presidencë, njëherësh duke e mbajtur fitilin në xhep. Kësisoj, në kopshtin e krizës sonë shumë bomba u hodhën, gjegjësisht u mbollën. Tani pritet të shpërthejnë, duke e dëmtuar fillimisht kopshtin dhe për fat të keq kalimtarët skaj atij kopshti. Për pasojë, kriza do të vazhdojë për aq kohë sa nuk do t’i pëlcasin bombat në dorë këtyre dorasëve, gjegjësisht ajo do të vazhdojë për aq kohë sa krijuesit e krizës paraqiten si shpëtimtarë të vendit. Ata e kanë dertin e tyre. Atyre u intereson vetëm koka e tyre. Ata janë në gjendja ta flijojnë një popull të tërë në këmbim të shpëtimit të tyre. Ata janë kriza vet. Me largimin dhe marrjen e dënimit të merituar, do të fillojë të largohet kriza. Kështu që, nëse deri dje na shihnin si dele, tani e tutje do të na shohin si kurbanë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button