Etërit e kombit dhe qentë e luftës

 

“Qentë e luftës” në fillim duken qesharakë, por pas euforisë së turmës i diktojnë edhe fatet jetësore të përçmuesve të tyre. Turma nuk tronditet nga idetë e reja. Pagjuhësia ia zgjon pasionet shkatërrimtare. Më pas, në emër të mirës së përgjithshme, vepron me irracionalitet dhe shkatërron gjithçka që i del përpara, duke lënë pas vetëm rrënoja. Rrënoja materiale e morale. Ky është mësimi që përvoja na e dha edhe në fillim të viteve 90-të.

“Qentë e luftës” e shumëfishojnë sloganin: “Diku me të mirë, diku me thikë”. Slogani nuk është shfaqur në vitet 90-të, por në vitin 2017. Është thirrje për dhunë politike, për ndjellje të frikës, urrejtjes, ekstremizmit politik. Është thirrje si e atyre që dikur kërkonin “dhoma gazi për shqiptarët”. Demonstruesit e djeshëm janë deputetë e ministra të sotëm.

Nuk jemi në fillim të viteve 90-të, por në vitin 2017. Në ekrane shfaqet një akademik, që e përkrah regjimin. Është Mitko Maxhunkov nga Akademia Maqedonase e Arteve dhe Shkencave, e cila, sipas paralajmërimeve, ka përgatitur njëfarë “elaborati”, që, me gjasë, duhet të jetë i ngjashëm me të simotrës serbe.

Mitko Maxhunkov, njëri nga prijatarët e kësaj nisme, është formuar në Serbi. Ai u rikthye në Maqedoni më 2006, kurse një vit më vonë u bë anëtar i rregullt i Akademisë. Pas botimit të Enciklopedisë Maqedonase u zgjodh redaktor për përpilimin e një Enciklopedie të re, e cila nuk filloi as të shkruhej. Ky akademik thotë se situata me dygjuhësinë është e padurueshme dhe mund të çojë në shkatërrimin e institucioneve dhe të shtetit!

Akademikë të këtillë i takojnë sojit që ishin bashkëfajtorë sa kasapët e kasaphanave në Bosnjë e Kosovë. Ata po shfaqen sërish. Për debaklin e madh, si thotë një publicist, asnjëherë nuk është vonë. Ndjellësit e këtij debakli shfaqen në ekrane kur kjo u kërkohet. Paraprakisht shpallen “etër të kombit”, sepse, si të tillë, fjala u ka peshë.

Me këtë soj akademikësh nuk duhet të qeshim. Akademik Mitkoja e quan Platformën e partive shqiptare “ultimatum para luftës”. E përmend fjalën “luftë” për të ngjallur frikë. Ai i përket një kohe tjetër, por atë kohë dëshiron ta sjellë në kohën tonë.

Akademiku shkon më larg. Ngulmon që Maqedonia të jetë shtet vetëm i maqedonasve dhe shqiptarët të mos jenë shtetformues. “Koka e kombit” mendon se shqiptarët nuk duhet të përzihen në çështjen e emrit. Shqiptarët, pra, nuk duhet që të pyeten për çështjet shtetërore. Shqiptarët, sipas “kokës së kombit”, nuk duhet të pyeten fare.

Ai thotë se nëse në qeveri nuk është partia fituese maqedonase mund të ketë luftë. Kërcënon me dredhi. Kush me kë do të luftojë akademiku nuk e thotë. Po kjo kuptohet.

Çfarë do të ndodhte sikur të dëgjohej akademiku, sepse ai është “truri i kombit”? Nuk do të  kishte Maqedoni.

Kur dëgjon kësi marrëzirash, që shumë shpejt mund të bëhen “platforma kombëtare”, e kupton se këtu vitet maten ndryshe. Shumëkush këtu është i vonuar në kohë e më të vonuar janë akademikët dhe prijësit. Ata janë jashtë kohës.

“Qentë e luftës” kanë paralajmëruar edhe krijimin e një partie radikale maqedonase, e cila do të angazhohet për një Maqedoni të maqedonasve, për krijimin e një garde ushtarake që do të veprojë në Maqedoninë Perëndimore e marrëzi të këtilla.

Përse merremi me këta që duken jashtë kohës sonë? Mos harrojmë: kësi speciesh kur u shfaqen në vitet 90-të dukeshin qesharakë, por më pas shkaktuan tragjedi. Ata kanë një hall të madh dhe duan të gjithëve të na bëjnë pjesë e atij halli.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button