Britani, hapet qendër për mbrojtje kibernetike

Në kuadër të institucionit qeveritar për komunikim digjital dhe informacion (GCHQ), në Britani është hapur Qendra Nacionale për Siguri Kibernetike (NCSC) e cila do të funksionojë si bazë mbrojtëse kundër sulmeve kibernetike.

NCSC u hap me ceremoni zyrtare në ndërtesën e saj në Londër nga Mbretëresha e Britanisë, Elizabeta II. Në ceremoninë e inaugurimit, krahas Elizabetës II, morën pjesë edhe bashkëshorti i saj Duka i Edinburgut Princi Filip, sekretari i Thesarit Philip Hammond, sekretarja e Brendshme Amber Rudd, sekretari i Mbrojtjes Michael Fallon, ministri shtetëror për Digjital dhe Kulturë pranë Departamentit të Kulturës, Medias dhe Sportit, Matt Hancock, si dhe kryetari i NCSC-së Ciaran Martin.

Gjersa sot u bë hapja zyrtare e NCSC-së, e cila do të funksionojë si pjesë e GCHQ-së në kuadër të qeverisë, organizata në fjalë ka filluar me aktivitete që nga muaji tetor.

Krahas parandalimit të sulmeve kibernetike ndaj Britanisë, organizata do të skenojë faqet e internetit që i përkasin qeverisë dhe do të ofrojë rekomandime për partitë politike dhe personat në poste të rëndësishme, siç janë deputetët, në lidhje me atë se si duhen mbrojtur të dhënat e ndjeshme.

Qendra synon që në mënyrë gjysmë-automatike përmes programit për Mbrojtje Aktive Kibernetike të parandalojë sulmet kibernetike drejt vendit. Ndërkaq, gjithashtu parashihet që qendra të jetë e disponueshme për bashkëpunim edhe me sektorin privat.

NCSC po ashtu ka bashkuar nën një çati dhe ka zëvendësuar tri organizata, Qendra për Shqyrtime Kibernetike (CCA), Ekipi për Intervenim të Shpejtë Kompjuterik i Mbretërisë së Bashkuar (CERT UK) dhe Qendra Nacionale për Mbrojtjen e Infrastrukturës (CPNI).

Kryetari i NSCS-së, Ciaran Martin, në deklaratën e tij dy ditë më parë për gazetën The Thimes, deklaroi se Britania në tre muajt e fundit ka qenë shënjestër e 188 sulmeve serioze. Duke theksuar se shumica e sulmeve përbënin”kërcënim për sigurinë kombëtare”, Martin pohoi se prapa këtyre sulmeve qëndrojnë posaçërisht hakerë rusë dhe kinezë të mbështetur nga shteti.

GCHQ është përgjegjëse për sigurinë e lidhjeve dhe infrastrukturës kibernetike të vendit, MI5 për çështje si terrorizmi, sabotimi dhe spiunazhi, kurse MI6 për kundërzbulim të jashtëm.

– Buxhet prej 1,9 miliardë sterlinash për sigurinë kibernetike

Teksa bëhet e ditur se Britania në muaj ballafaqohet me mesatarisht 60 sulme serioze kibernetike, siguria kibernetike në vend zë vend në mesin e sektorëve me zhvillim më të shpejtë me 58 mijë punonjës ekspertë të kësaj fushe.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, në një fjalim që mbajti në fillim të këtij muaji shënjestroi Rusinë, duke pohuar se Rusia organizon sulme kibernetike ndaj vendeve perëndimore.

“Sikundërse në ajër, tokë dhe det, NATO-ja duhet të mbrohet edhe në botën kibernetike, në mënyrë që ata që përdorin armë kibernetike ta dijnë se kjo ka një çmim”, kishte theksuar Fallon, duke u shprehur se veçanërisht Rusa shënjestron infrastrukturat kritike dhe demokracinë e vendeve perëndimore.

Nga ana tjetër, Andrew Parker, kryetari i agjencisë së inteligjencës britanike MI5, në një intervistë për Guardian kishte paralajmëruar se “Rusia po merr një qëndrim gjithnjë e më agresiv dhe mund të ndërmerr aktivitete spiunazhi dhe sulme kibernetike ndaj Britanisë.”

Edhe sekretari britanik i Thesarit, Philip Hammond, në nëntorin e kaluar kishte njoftuar se deri në fund të vitit 2020 do të ndahet buxhet prej afërsisht 1,9 miliardë dollarësh për rritjen e masave të sigurisë kundër sulmeve kibernetike.

Në kuadër të planifikimit të qeverisë britanike për sigurinë kibernetike, planifikohet që vendi të zgjerojë njësitin policor kundër grupeve të hakerëve online dhe një pjesë të buxhetit ta përdorë për trajnim në fushën e sigurisë kibernetike. Ndërkaq, në shkolla ofrohen lëndë të sigurisë kibernetike për nxënësit nga mosha 14-vjeçare e më lartë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button