“LOKALE VRASTARE”

Gazi Babë. 13 shkurt 2017. Një shitore, bisedë mes shitësit dhe blerëses së re të veshur mirë, sipas trendeve: “Më jepni suxhuk për 80 denarë”. Sa për një vakët, ndoshta më pak – mendova. Një asociacion i qartë për gjendjen në të cilën jemi. Mbi një e katërta e popullatës (21.5%) në vitin 2015, ka jetuar në varfëri (në 2017 këto shifra kanë avancuar negatvisht me siguri), sipas po të njëtit Entit Statistikor (Shtetëror). Sipas Bankës Botërore 180.000 qytetarë të Maqedonisë jetojnë me nga 40 denarë në ditë (2016), pra “nën pragun e varfërisë”. Të dhënat për shpërnguljen nga vendi flasin se ¼ e popullsisë viteve të fundit ka braktisur Maqedoninë – në veçanti popullata rinore me shkathtësi dhe cilësi intelektuale dhe pune profesionale – janë gjithashtu indikatorë se në këtë vend nuk ka cilësi reale të jetesës dhe se gjithnjë e më tepër po fundosemi materialisht dhe tej kësaj. Varfëria po bëhet shenjë njohëse e kësaj ngrehine jostabile të Ballkanit Perëndimor që dita-ditës përfshihet edhe nga dukuri devijante që rrezikojnë ardhmërinë tonë si njerqz dhe si qytetarë.

Dhe, në kohëra të turbullta dhe në gjendje të pavolitshme ekonomike në skenë dalin peshkatarët në ujë të turbullt, ata që shesin kënaqësi të çastit (drogëra), ëndrra  për fitim instant (të përnjëhershëm), për kapërcim të “urës shpëtimtare nga mjerimi drejt mirëqenies”, për hero-milionerin e shumëpërfolur filmik nga ca objekte a lokale që po na gërryejnë dheun nën këmbë, kazinot dhe bastoret. Këto “vatra djallëzore” shumë njerëzve ua harxhojnë rrogat, pensionet e prindërve, ndihmat sociale, mëditjen prindërore, paratë e xhepit për në shkollë a universitet. Në çdo cep bastore a kazino, me eksterier tërheqës e me emra e sigla shpresëdhënëse, në çdo skaj njerëz që presin çastin e tyre, të dëshpëruar sot, fitimtarë nesër. Fëmijë që nga dera e shkollës apo studentë që në kuadër të godinës universitare apo pranë saj e shohin mundësinë për “ndryshim”, për nisje të ekonomisë private, jashtë kornizave të normales dhe të natyrshmes, të pavarësimit që në këtë mënyrë s’e arrijn kurrë.

Hapja e kazinove dhe lokaleve të shumta të lojërave të fatit nëpër vendbanimet shqiptare e gjetkë flet për dukurinë e depresionit social, për atë të varfërisë materiale por edhe shpirtërore omniprezente që ka kapluar popullatën vendore e cila mundohet dhë kërkon alternativë për të siguruar mjete për jetesë përmes aparateve që japin para e pasurim me një click e që në fakt ofrojnë vetëm thellim në oqeanin e mjerimit dhe dëshpërimit. Kemi të bëjmë me një botë iluzore që po përhapet si orteku që po përfshin në veçanti pjesën më vitale të shoqërisë, rininë, e cila për fat të keq tanimë punën, djersën e derdhur për kafshatë ka filluar t’i perceptojë si diçka demode, e tejkaluar. Objektet e quajtura kazino dhe bastore janë vjedhëset e ardhmërisë sonë, janë instanca që mashtrimin e kanë mjet benefiti dhe përfitimi ekonomik dhe përhapja e tyre është e barabartë me një atak virtuel dhe real ndaj shtresave të ndryshme shoqërisë që kur janë duke u fundosur kapen për kashte. Sociologjikisht, çdo kazino është një kazermë qytetarësh pasivë dhe  e konsumuesve të buxhetit familjar. Shitja e fatit është një ogur i zi për të gjithë ne, andaj reagimi është bërë detyrë e çdo njeriu që kujton dhe mendon seriozisht të ardhmen. Indolenca e institucioneve, mbyllja e syve përpara këtyre “lokaleve juvenocide” është shenjë e gjumit të thellë që na ka kapluar ose e interesave të caktuara që mbrohen me metoda të ndryshme.
Në kohën kur vizitorët e këtyre lokalve shtohen, kur shumë familje përballen me krizën e antarësimit të një pjesëtari të familjes në këtë “ushtri humbësish”, e kemi për borxh që të jemi pjesë e fushatave anti-bastore dhe anti-kazino, jo sepse nuk duam që dikush të fitojë, por ngase njeriu nuk duhet të fitojë duke e eksploatuar keqaz mendjelehtësinë e atyre që e hanë këtë karrem jashtëzakonisht të rrezikshëm. Se me çfarë kërcënimi po ballafaqohemi flet fakti se ka raste të frekuentimit të këtyre lokaleve dhe nga filloristët, nga kjo kategori e pafajshme, që vendin e ka pranë librit dhe në shkollë, e jo të merret me kalkulime absurde. Për çudi, në këtë rrjet vërejmë se janë kapur edhe njerëz me shkollë, mësimdhënës, afaristë (shpeshherë të falimentuar), kurbetqarë që vijnë me borxh e kthehen me borxh e shumë e shumë kategori të tjera shoërore. Andaj, kemi nevojë për një aktivizëm qytetar që të ndalohet ky kancer pa metastazuar deri në fazën kur kurimi është i pamundshëm. Do shënuar edhe punët ters që po na ndodhin ditëve të fundit: institucionet shtetërore merren me provokimin e shtëpive botuese, me “fabrikat e librit”, e jo me “fabrikat e degradimit”, me antivlerat! Në vend që të ketë stimuj madhorë për prodhuesit e lexuesve, këta atakohen, kurse nga ana tjetër legjitimohen “gjahtarët e fateve”, manipuluesit me “shpresën”, këta shkatërrues të familjes dhe me këtë edhe të shoqërisë.

Po, pajtohemi, kazinot dhe bastoret janë të ligjshme, por jo gjithçka e ligjshme është etike, njerëzore është e dobishme. Reklamimi dhe mbështetja e tyre është mëkat, edhe religjioz por edhe social. Thika në kockë, na kanë mbërritur edhe nëpër katunde periferike lëri më lagjet e qyteteve (me nga disa syresh). Një shembull nga përditshmëria ime: Para do kohe një mikut desha t’ia dorëzoja ca fletushkë a fletëpalosje për shpërndarje dhe meqë ishte i zënë, më kërkoi që t’ia lija në një bastore. Iu përgjigja se s’futem dot brenda, “ose diku tjetër ose le të dalë jashtë t’i merr punëtori i lokalit”. S’është punë e madhe kjo, por një mesazh me siguri! P.S. Frymëzimi për titullin është marrë nga vepra e Amin Malufit, Identitete vrastare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button