Ulja e censusit nuk është gabimi i vetëm i rëndë i kryetarit të BDI-së dhe PDSH-së

Vendimet e partive shqiptare në pushtet si rregull karakterizohen nga papërgjegjshmëria, joserioziteti, joprofesionalizmi dhe vendosja aty për aty, pa kurrfarë konsultimesh apo analizash serioze për pasojat që do të rrjedhin. Shembujt janë të shumtë. Mjafton vetëm të kujtosh faktin se partia aktuale në pushtet ende nuk mund të ndërrojë emrat e katër shkollave në Çair, fëmijët e të cilave ende i marrin dëftesat me emra joshqiptar, edhe pse legjislacioni që e rregullon këtë materie është miratuar në kohën që vet BDI ka qenë në pushtet.

Fatkeqësisht tek shqiptarët nuk ka grupe ekspertësh, nuk konsultohen profesionistë, nuk zhvillohen debate publike dhe për çështje me shumë rëndësi vendosin spontanisht, si ua merr mendja, persona pa kurrfarë njohurish profesionale apo bagazhi intelektual. Shembulli më i rëndë i kësaj vendimmarrje është ligji për gjuhët e bashkësive mbi 20% që e ka sjellë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në një gjendje të mjeruar.

Është e habitshme se sa bashkëpunues, sa ‘evropianë’ dhe sa zemërgjerë, janë partitë politike shqiptare në pushtet kur bëhet fjalë për të bërë lëshime ndaj palës maqedone dhe sa të rezervuar, sa të pagatshëm për lëshime dhe sa kalkulatorë të imët të interesave të tyre, janë ata kur diskutojnë ndonjë çështje mes partive shqiptare! 

Tashmë secili e ka të qartë marrëzinë e pesë viteve më parë për uljen e censusit për zgjedhjen e presidentit nga 50% në 40%, i cili u miratua në vitin 2009 në parlament, nga koalicioni në pushtet VMRO-BDI, si edhe nga deputetët e PDSH-së. Për pasojat e dëmshme të këtij veprimi kisha paralajmëruar që në vitin 2010, në një shkrim në gazetën ‘Koha’. Një lëshimi i tillë ishte absurd dhe i palogjikshëm sepse defaktorizonte hapur votën e shqiptarëve dhe këtë e bënte në mënyrë krejt të pakushtëzuar. Megjithatë ky nonsens i krerëve të BDI-së dhe PDSH-së nuk është i vetmi. Ata kanë dëshmuar se janë në gjendje të kapërdijnë dhe miratojnë pa u menduar shumë çdo kërkesë të VMRO-së, sado që ajo të jetë e dëmshme për interesat shqiptare.

Kështu, gjatë mandatit 2006-2008 të koalicionit VMRO-PDSH, pakicat e vogla, rome, boshnjake, serbe, turke dhe vllahe, të nxitura edhe nga partitë maqedone, kërkuan të kenë dhjetë vende të tyre të rezervuara në parlamentin e Maqedonisë. Megjithëse një nismë e tillë u mori pëlqimin apriori, pa asnjë hezitim nga kreu i PDSH-së, në atë kohë në pushtet, ngjarjet e mëpasme dhe zgjedhjet e parakohshme bën që kjo parti të bie nga qeveria. Nisma e njëjtë u riaktualizua sërish në koalicionin e ri VMRO-BDI.  Kronika në lajmet e asaj kohe në MTV2 thoshte se (citoj) „Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se është në favor të shtimit të dhjetë vendeve në parlament për pakicat, me kushtin që kjo të mos dëmtojë kriterin e  Badinterit, për votim të dyfishtë, të ngritur enkas për shqiptarët e vendit. Ahmeti sot ka biseduar me përfaqësuesit e bashkësive etnike që kërkojnë vende të garantuara …“.

Fatkeqësisht, megjithëse në 26 maj 2010, një nga deputetet e BDI-së, në një shkrim të saj shprehej kundër kësaj ideje, dy javë më pas, me 8 qershor 2010, Kryetari i BDI-së, mbështeste një ide të tillë në mënyrë krejt të papërgjegjshme, por me kusht që, siç ishte shprehur ai, ‘të mos dëmtohej parimi i Badinterit’. Më shumë sqarime jepen në shtypin elektronik të asaj kohe, disa nga të cilat mund të gjenden ende në internet në faqet këtu dhe këtu .
Aty thuhet se (citoj) “Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka takuar në Tetovë përfaqësuesit e të gjitha bashkësive etnike të cilat kërkojnë vende të garantuara në Kuvendin e Maqedonisë. Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga pakica turke, boshnjake, rome, vllahe, serbe. Ahmeti tha se subjekti politik që ai drejton, mbështet kërkesën e tyre, por zgjidhja sipas tij nuk duhet të rrezikoj parimin e Badenterit. 

Kjo çështje sipas Ahmetit duhet të debatohet në nivel ekspertësh. BDI-ja edhe më parë ka bërë të ditur se do të pranonte 10 vende të garantuara për bashkësitë e vogla etnike të cilët njëherit do të kishin edhe të drejtës e votës sipas parimit të Badenterit, por jo edhe deputetët e tjerë të bashkësive entike që do të mund të gjendeshin në listat zgjedhore të pative politike.
“Le të angazhohen që të gjithë që të gjejnë çelësin se si ky parim të mos rrezikohet dhe ne përkrahim dhjetë vendet e garantuara. Kjo ishte e gjithë biseda që është zhvilluar me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Maqedoni, unë kam garantuar përkrahje të plotë nëse të gjithë angazhohen, komunitetet partitë politike që të gjejnë zgjidhje që të gjejnë çelësin e mos rezikimit të parimit të Badenterit”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.”

Një qëndrim i tillë, jo vetëm që është i dëmshëm dhe tejet i papërgjegjshëm, por përbën edhe miopi politike, sepse të drejtat e shqiptarëve nuk prekin vetëm çështjet që votohen me parimin e Badinterit. Pothuajse të gjitha vendimmarrjet në parlament kanë rëndësinë e tyre dhe partitë shqiptare duhet të synojnë shtimin e peshës së votave të deputetëve shqiptar dhe jo dobësimin e saj. Vet miratimi i buxhetit dhe formimi i qeverisë janë dy çështje jetike, prej pafund çështjeve të rëndësishme, ku shqiptarët nuk mbrohen nga parimi i Badinterit. Nëse pakicave do tu jepeshin edhe 10 vende te garantuara kjo do të thoshte edhe 10 vota më shumë për mbështetjen e partisë politike maqedone që e ka pushtetin, sepse siç tregon edhe situata aktuale, përfaqësuesit e pakicave si rregull kthehen thjesht në satelitë të saj. Në këto rrethana përqindja dhe pesha e 25-30 deputetevë shqiptarë nuk do të ishte e njëjtë si në një kuvend me 120-123 vende, ashtu edhe në një kuvend me 133 vende! Një marrëzi e tillë (me apo pa kushtin për parimin e Badinterit) i krijon apriori mundësinë partisë maqedone në pushtet (konkretisht në këtë rast VMRO-së) që së bashku me vendet e rezervuara për pakicat satelite t’i bëjë 62 deputetë për të formuar qeverinë, duke i bërë të parëndësishme partitë shqiptare në qeverisje, qoftë edhe me 25 deputetë.

Por ja që nganjëherë fati i mbron shqiptarët nga budallallëku i vetvetes dhe, për shkak të mospajtimeve tjera, ideja e ndryshimeve në kodin zgjedhor aso kohe u hoq nga rendi i ditës dhe me këtë u harrua disi edhe kërkesa e pakicave për 10 vende të rezervuara.   

Artan Dika, Rilindja Demokratike Kombëtare

Lajme të ngjashme

Back to top button