Letër kundërshtarëve të gjuhës shqipe

Të drejtat e gjuhës, të nderuar kundërshtarë të gjuhës shqipe, janë të drejta të njeriut dhe të drejtat e bashkësisë gjuhësore në vendin ku ajo jeton, thoni ju. Po le të themi se janë edhe në pajtim me financat, siç keni qejf të theksoni, sepse të nderuar kundërshtarë të gjuhës shqipe, ju vazhdimisht i nënvizoni me të kuqe dhe i nënvizoni këto financa, thuajse ju dhe vetëm ju jeni vetë njerëzit hyjnorë që e keni të drejtën t’i keni nën kontroll financat e popullit që mblidhen nga taksat e të gjithëve, pra taksa që i jep edhe populli shqiptar. Dhe, kur ju e shpallni veten “hyjnorë”, atëherë sigurisht doni të thoni se ne jemi diku në hapësirat e baltës, sepse të tilla janë raportet hapësinore midis “hyjnorëve” dhe tokësorëve, prandaj me zë të lartë e me temperaturë deklaroni se nuk paska logjikë që ne shqiptarët të kërkojmë që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe e detyrueshme për tërë territorin e RM-së. Ju e pyetni veten (sepse ne, sipas jush nuk duhet të na pyes kush) se të drejtat e kujt do t’i mbrojë ky ligj nëpër qytetet ku nuk ka shqiptarë. Përgjigja është shumë e thjeshtë: do t’i mbrojë të drejtat e mia, si qytetar i këtij vendi. Do të më mbrojë mua dhe çdo qytetar tjetër të përkatësisë etnike shqiptare (kur do të shkoj atje, si tregtar, si vizitor, si turist) që me administratën shtetërore dhe me të gjitha institucionet demokratike të vendit të komunikoj në gjuhën time. Natyrisht se juve askush nuk do t’ju detyrojë që të flitni e të shkruani shqip, nëse nuk doni dhe nëse doni të vazhdoni ta ruani “hyjnoren”. Është e sigurt se ligji i barabarësisë së gjuhëve kurrsesi nuk do ta rrezikojë maqedonishten, se s’ka se si e rrezikon, po përkundrazi i forcon pozitat e asaj gjuhe, sepse me barabarësinë do të fitohet toleranca ndëretnike, komunikimi midis dy popujve, pastaj dy popujt do të afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe të gjithë do të kujdesen më shumë për vendin e tyre të përbashkët. Do të ndodhë ajo që praktikohet në Finlandë, ku një pakicë e vogël suedeze prej pesë a gjashtë për qind e gëzon të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës së vet në tërë territorin e Finlandës. Do të ndodhë një rilindje kulturore, një dalje nga shabllonet e mykura nacionaliste. T’ju pyes, çfarë rreziku paska finlandishtja dhe Finlanda nga suedishtja? Natyrisht se rrezik s’ka, ama dobi ka shumë. Prandaj, mirë është t’i keni parasysh këto realitete, jo të ktheheni prapa në kornizat e hekurta të Jugosllavisë së kralit. Thoni se ky ligj gjuhësisht do ta zhdukë mundësinë e gjuhës maqedonase të jetë zyrtarisht gjuhë e kuptimit dhe faktor koheziv i shoqërisë. Dokrra. Ne, të nderuar kundërshtarë të gjuhës shqipe, nuk e kemi qëllimin ta dëmtojmë maqedonishten, por e kemi qëllimin ta mbrojmë gjuhën tonë të cilën na e kanë lënë amanet gjyshërit e stërgjyshërit. Ju mendoni se me detyrimin e shqiptarëve të jetojnë nën ombrellën e njëgjuhësisë, maqedonishtja do të jetë gjuhë e marrëveshjes dhe faktor koheziv i shoqërisë? E keni gabim. Me tonet tuaja nacionaliste ju vetë e rrezikoni bashkëjetesën, pra edhe gjuhën tuaj.
Në Maqedoni, thoni ju dhe vazhdimisht theksoni se paradoksalisht, realiteti na qenka i tillë që shqiptarët e rinj tashmë nuk e flasin fare maqedonishten dhe se në fakultete e regjistruakan kursin fillestar të maqedonishtes, kurse maqedonasit do të detyruakan me ligj ta mësojnë dhe ta flasin shqipen! Ku e paskeni parë atë ligj, ju? Ai ligj nuk është në rend të ditës në asnjë institucion dhe si mund të qenka aq i rrezikshëm ligji që nuk ekziston ende? Firmat, shkollat dhe vetëqeverisja lokale, toponimet dhe mjetet e komunikimit do të kërkojnë që të zbatohet ligji, thoni,  dhe ky do të qenka përfundimisht akti i tretë dhe i fundit i shqiptarizimit  të popullsisë maqedonase dhe i RM-së e jo hyrje, sepse hyrja paska filluar para shtatëmbëdhjetë vjetësh me Marrëveshjen e Ohrit. (Akti i parë me riorganizimin territorial, i dyti me Marrëveshjen e majit). E vërteta është krejt ndryshe, këtu, në vend se të jetojmë bashkë dhe të barabartë, pushteti që nga vitet 1912/13 e tutje ka ushtruar dhunë të paparë pushtetare e kulturore me qëllim të akulturimit dhe asimilimit të dhunshëm të shqiptarëve. Fatbardhësisht as për këto njëqind vjet nuk u arrit ky qëllim jomiqësor e johuman. Kur për njëqind e sa vjet ushtrimi të presionit dhe dhunës kulturore shqiptarët nuk e humbën gjuhën dhe i mbrojtën aq sa mundën vlerat tradicionale e kulturore të tyre, si na qenka e mundur që maqedonasit aq lehtë ta humbin gjuhën e tyre që e kanë ruajtur me shekuj vetëm pse shqipja do të legalizohet si një gjuhë e realitetit të vendit?! Pse s’e humbën gjuhën maqedonasit në Jugosllavinë kraleviste? Po juve tjetërkund ju dhemb dhëmbi. Doni t’i shihni shqiptarët vetëm në ndërmarrjet e plehrave dhe të kanalizimit. Por mos harroni: nuk jeni ju mendimi kolektiv, por as përfaqësues të popullit maqedonas.
Ju thoni se ky ligj, ligji i gjuhës, që na qenka kusht pa të cilin nuk bëhet dot asnjë koalicion dhe asnjë qeveri në RM do të bëjë që kjo të reflektohet, drejtpërsëdrejti, në letërnjoftimin e Maqedonisë në KB. Sa mendim naiv. Në KB Maqedonisë do t’i ngrihet rejtingu nëse i avancon të drejtat e bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë, sepse do të dëshmohet se këtu demokracia e vendit po lëviz kah e mbara, kah pasurimi i vlerave kulturore. Kulmi i absurdit që po e trumbetoni, ju kundërshtarë të gjuhës shqipe, është kur thoni se barabarësia e gjuhës shqipe me maqedonishten na qenka një gjenocid  i paparë kulturor dhe gjuhësor mbi gjuhën dhe kulturën maqedonase, e me këtë edhe i identitetit maqedonas. Kjo është një kapërcim i kuotave të çdo logjike. Në vazhdim thoni se do ta humbni edhe territorin tuaj të fundit – gjuhën. Pastaj shtoni se sot territore u marrkan jo vetëm me veprime ushtarake, por edhe strategji gjuhësore, kulturore e ekonomike. Mendoni se ka mbetur njeri në botë që sot nuk e di aluzionin tuaj? Po çfarë po ndodh me gjuhën tonë si atdhe?
Sa të zbehtë e keni mendimin kur pohoni se këtu në bëhet fjalë për të drejta naive, as për nacionalizëm të maqedonasve, por thoni se qenka e kundërta, se nacionalizmi shqiptar paska strategjinë e tij dhe nuk heq dorë prej saj. Naivitet është kjo që e thoni ju ngase shqiptarët asnjëherë nuk janë pajtuar me ideologjitë e nacionalizmit serb e grek. Fatkeqësisht sot në Maqedoni akulturimin e maqedonasve po e ushtrojnë serbët (jo shqiptarët) me dhjetëra programe televizive, me folklor që emetohet orë e çast nëpër media, me komunikimin intensiv me koncerte e me forma të tjera të programeve masive kulturore, me emërtimet e rrugëve dhe institucioneve me emra nga historia serbe etj.

Ju kundërshtarë të gjuhës shqipe, që do të thotë edhe synues të rrezikimit të identitetit tonë, me temperaturën e panevojshme të gjykimit jotolerant, fuqinë që e keni po e shndërroni në makutëri të paparë dhe pastaj edhe na kanoseni me “dy të liga”. Këtu është kulmi: nga dy të liga që thoni se do të detyroheni t’i zgjidhni për pengimin e “radikalizimit” të Marrëveshjes së Ohrit, pra a do të zgjidhni të keqen më të madhe apo më të voglën, më mirë e keni t’i drejtoheni urtisë, të mirës, miqësisë dhe realitetit. Se të ligat që i parapëlqeni do të jenë katastrofë për të gjithë. Dhe, ta dini: shqiptarët janë miqtë më të mirë nga fqinjët e maqedonasve. Shikoni përreth, analizoni mos e ngarkoni popullin maqedonas me barrë të panevojshme, me armiqësi, sepse ai, njësoj si shqiptarët, nuk e ka lehtë. Ju, kundërshtarët e gjuhës shqipe, po i nënçmoni edhe maqedonasit, njësoj si na nënçmoni neve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button