Haradinaj: Unë kam qenë luftëtar lirie, jo vrasës si Daçiqi dhe shefat e tij

Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka publikuar një fotografi të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, përkrah ish presidentit serb, i njohur për gjenocidin e tij në Kosovë e Bosnjë, Sllobodan Millosheviq.

Haradinaj në llogarinë e tij ka shkruar se Ivica Daçiq i ka fshehur krimet që ka kryer ai bashkë me paramilitarët tjerë serb, ndërkohë që të njëjtit po e akuzojnë atë për krime lufte.

Haradinaj, ka ritheksuar se lufta tij ka qenë për mbrojtjen e popullit dhe vendit të tij, derisa thotë se për këtë është përgjigjur edhe para Drejtësisë Ndërkombëtare.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, po vazhdon të qëndrojë në Francë, pas një ndalimi të autoriteteve atje me një flet-arrest të lëshuar nga Serbia në Interpol.

Gjykata në Colmar të Francës ka shtyrë për 2 mars vendimin për ekstradimin ose jo të Ramush Haradinajt në Serbi.

Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Ivica Daçiq i cili tha se Haradinaj është arrestuar si politikan por “si kriminel lufte”.

“Kur të vërsulet krimineli! Ivica Daçiq, ka hapur luftë personale me mua, që e kam mbrojtur shtëpinë e popullin tim dhe po i harron krimet që i ka kryer vet e shokët e tij edhe në gra e në fëmijë. Unë kam qenë luftëtar lirie e jo pushtues e vrasës si ai e shefi i tij!

Pavarësisht se kam bërë luftë mbrojtjëse e në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës, unë i jam përgjigjur drejtësisë ndërkombëtare, e nuk jam fshehur si ai qindra zyrtarë të tjerë serbë, të cilët bashkë me Daçiqin, i kanë zhdukur dëshmitë e krimeve të kryera në Kosovë!

Daçiqi duhet të flasë për krimet e tij e të shokëve të tij, e të mos kujtoj që i shlyen krimet e veta duke shpifur ndaj meje!

Unë kurrë nuk jam shqetësuar kur më janë vërsulur kriminelë të tipit të tij, as në 98-99 e as sot!

Ai duhet të shqetësohet për krimet e veta, sepse unë kam dalë i pastër si loti!

Hala nuk është vonë që drejtësia ndërkombëtare ta shohë e ta gjykojë jetën kriminale të Ivica Daçiqit dhe jo vetëm!”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button