Grabitja drejt Rinasit, Rama: Policia nuk ka gisht në këtë ngjarje

Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje Policisë së Shtetit pas akuzave të opozitës që e bëjnë përgjegjëse për grabitjen e para pak ditëve në Qafë Kashar, në rrugën drejt Rinasit.

Në komunikimin e përjavshëm me publikun në “Facebook”, kreu i qeverisë tha se faji në këtë rast është i bankave, të cilat nuk kanë mundur të përmbushin standardet e sigurisë.

“Kanë ndodhur disa grabitje të kësaj natyre në vitet e fundit, që nuk janë ndonjë gjë e re dhe nuk përbëjnë ndonjë lajm. Bankat në kohën e ish-qeverisë së vjetër janë grabitur 32 herë, – kujtoi Rama. – Grabitjet e fundit, kanë qenë të organizuara me një ndihmë nga brenda bankave dhe masat kanë qenë mizerabël duke injoruar porositë e Policisë së Shtetit. Megjithatë Policia e Shtetit ka zbardhur disa nga grabitjet e bankave, si në Rinas e në ish-bllok, ku janë arrestuar disa autorë”.

Sipas Ramës, ata që sulmojnë policinë, tmerrohen nga drejtësia e re për shtetformimin e një vendi i cili deri dje nuk konsiderohej i tillë.

“Hetimet kanë verifikuar se policia nuk ka pasur asnjë gisht në grabitje siç thonë zërat e kazanit, por ajo ka garantuar marrjen e masave. Niveli i rojeve të sigurisë private dhe standardet, ose sigurimi i gjurmueshmërisë së kasave, ose thjesht shtypja e butonit të alarmit nga ana e shoferit, nuk rezultojnë gjëkudi të jenë marrë parasysh, – nënvizoi Rama. – Policia dhe qeveria u sulmuan nga opozita sikur të ishin autorë të grabitjes. Policia nuk ka shans të ndalojë në flagrancë autorët, nëse bankat nuk marrin masa për këtë gjë. Policia është mbuluar me llum nga kjo barbari politike dhe mediatike e pashoq si askund tjetër”.

Rama më pas hoqi një paralele me rastin e masakrës të ndodhur në Berlin para disa muajsh, ku një kamion i drejtuar një terrorist shtypi për vdekje me dhjetëra të pafajshëm. “Në Gjermani para disa kohësh ndodhi një sulm terrorist mu në zemër të Berlinit dhe autori nuk u kap në flagrancë, madje në një shtet tjetër. Por absolutisht politika dhe shoqëria civile nuk sulmoi policinë për punën e saj”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button