Cilat komuna ju nxorrën deputetë partive shqiptare?

Robert Nesimi

Robert Nesimi

Metoda e D’Hondtit është më e përshtatshmja për të përcaktuar kontributin e degëve partiake në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Ja çfarë thotë ajo.

Në kohë zgjedhjesh, larg syve të publikut, beteja të papara vlojnë brenda vetë partive. Përveç ambicieve të politikanëve individualë, secili me pretendim për t’u bërë deputet, përplasje të mëdha ndodhin mes degëve të së njëjtës parti që tentojnë të futin kandidatët nga rradhët e tyre në pozita fituese në lista. Ndërsa pas zgjedhjeve shpesh ndëgjohet se njëra apo tjetra degë ka ngelur e pakënaqur pasi paska fituar X vota me çka partia ka nxjerrë Y deputetë, por ja ka bërë hilenë dega Z. Por aktivistët që zakonisht flasin me këtë fjalor nuk njohin sa duhet modelin zgjedhor, andaj pretendimet e tyre kryesisht dalin të pabaza.

Problemi i ndarjes së mandateve mes degëve është problem serioz për çdo parti, sepse vetëm një ndarje e drejtë mund të ruajë balancin dhe harmoninë e brendshme të partisë. Por ky proces është i vështirë. Me këto pragje të larta zgjedhore vota të mjaftueshme për një deputet zakonisht kanë vetëm Tetova e Gostivari, të shoqëruara ndonjëherë me ndonjë komunë tjetër më të madhe. Pjesa dërmuese e komunave shqiptare janë të vogla dhe nuk mund të nxjerrin vetë deputet edhe sikur e gjithë komuna të votonte njërën parti. Të shumtën e rasteve deputetët zgjidhen duke grumbulluar nga pak vota në secilën komunë. Megjithë këtë edhe më tej mbetet dilema se cilës komunë duhet t’i takojë deputeti?

Për të anashkaluar këtë problem i jam kthyer modelit bazë zgjedhor, atij të D’Hondtit. Pasi veçmë dihet nga sa deputetë kanë marrur partitë kam aplikuar modelin e D’Hondtit në nivel komunash për secilën parti për të nxjerrë atë numër deputetësh. Ky model nuk është i përsosur, por ai tregon saktë se si duhej të jetë rradhitja e deputetëve në listat e partive. Ja rezultatet.

Deputetët e PDSH. Analizën po e filloj me PDSH-në, sepse rezultati i saj është më i përshtatshëm për të ilustruar metodën që kam përdorur. PDSH ka fituar deputetë vetëm në zonën 6. Më tepër vota ka patur në komunën e Tetovës – 7.300, e më pas vijnë Gostivari me 2.500 dhe Bogovina me 1.900. Duke zbatuar modelin e D’Hondtit del se PDSH të dy deputetët i ka nxjerrë nga Tetova. Natyrisht votat e Tetovës nuk kanë mjaftuar për të nxjerrë dy deputetë, pa ndihmën e komunave tjera të njësisë 6. Por pasi dega e Tetovës ka trefish më shumë vota se dega e dytë me rradhë, nuk është e arsyeshme që Tetova të kishte një deputet e tjetri t’i jepej Gostivarit ose Bogovinës. Pikërisht këtë fenomen e adreson më së miri modeli i D’Hondtit dhe mu për këtë themi se dy deputetët e parë i ka nxjerrë Tetova. Edhe në realitet të dy deputetët e PDSH-së vijnë nga Tetova, që do të thotë se lista e PDSH-së në njësinë 6 ka qenë e rradhitur si duhet.

Deputetët e Aleancës. Aleanca ka fituar një deputet në njësinë 5 dhe dy deputetët te gjashtësha. Deputetin e njësisë 5 e ka fituar Struga, ndërsa te njësia 6 deputetin e parë e ka siguruar Gostivari, e të dytin Tetova. Lista e balancuar e Aleancës duhej pra të kishte një deputet nga Struga, një nga Gostivari dhe një nga Tetova. Në realitet grupi parlamentar i Aleancës konsiston nga dy deputetë të Strugës dhe një të Gostivarit.

Deputetët e Besës. Besa ka nxjerrë nga një deputet në zonat 1 dhe 2 dhe tre deputetë në zonën 6. Te zona 1 deputetin e Besës e ka nxjerrë komuna e Çairit, ndërsa te zona 2 dega e Kumanovës. Në zonën 6 dy deputetët e parë të Besës kanë dalur nga Tetova dhe i treti nga Zhelina. Në realitet grupi parlamentar i Besës ka dy deputetë nga Çairi, dy nga Tetova dhe një nga Gostivari.

Deputetët e BDI. BDI në total ka fituar 10 deputetë. Në zonën 1 ajo ka siguruar një mandat, të cilin e ka nxjerrë dega e Sarajit. Dy deputetët në zonën 2 kanë dalur nga Kumanova dhe Likova. Në zonën 5 BDI poashtu ka fituar një deputet, të cilin e ka nxjerrë dega e Strugës. Ndërsa më së shumti deputetë BDI ka fituar në zonën 6. Dy deputetë aty ka nxjerrë Tetova, dy i ka nxjerrë Gostivari dhe nga një Kërçova e Bogovina.

Te BDI vërehet diskrepanca më e madhe mes komunave që kanë kontribuar në fitore dhe atyre që kanë deputetë. Në zgjedhje nga dy deputetë kanë nxjerrë Tetova e Gostivari dhe nga një Saraji, Kumanova, Likova, Struga, Kërçova dhe Bogovina. Në realitet BDI tani ka tre deputetë nga Tetova, dy nga Çairi dhe nga një nga Likova, Struga, Kërçova, Rostusha dhe Gostivari. Pra në BDI janë favorizuar degët e Çairit dhe Tetovës në dëm të degëve tjera.

 

Për arsyet që kam shpalosur më lartë, gjegjësisht faktin se pak komuna mund të nxjerrin deputetë direkt, si dhe për faktin që Çairi, Dibra dhe Kërçova janë të ndara në dy zona zgjedhore, analiza e mësipërme duhet të merret pak me rezervë. Megjithatë ajo mbetet mënyra më e mirë për të përcaktuar rradhitjen e vërtetë të kandidatëve në lista brenda për brenda partive. Për demokratizim të mirëfilltë të partive, për të evituar lokalizmin dhe ndarjet klanore dhe për të ruajtur balancin gjeografik në përgjithësi, çdo parti serioze duhet të shërbehet me analiza të ngjashme gjatë përcaktimit të përfaqësuesve të tyre në poste publike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP