Vazhdon seanca gjyqësore për “Lagjen e Trimave”, mbrojtja në listë ka 50 dëshmitarë, mes tyre dhe politikanë

Sot vazhdon seanca gjykuese për rastin e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë. Do të dëgjohen dëshmitarët e palës mbrojtëse. Si që lajmëroi avokati Naser Raufi, më së paku 50 dëshmitarë do të jenë të ftuar në Seancat gjyqësore në vijim dhe në mesin e tyre do të ketë politikanë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Ndryshe, të enjten që shkoi, tre dëshmitarët Shaban Jashari, Murat Lutfiu dhe Viktor Denkovski nuk janë paraqitur në SPB-Kumanovë për t’u paraqitur në gjykatë dhe se të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e vendbanimit për t’u përgjigjur urdhrit për shoqërim policor deri në gjykatë.

Në mosprezencë të dëshmitarit, gjykatësja Verka Petrovska ka lejuar që prokurori Naum Panovski të lexojë dëshminë e parë që dëshmitari Shaban Jashari ka dhënë për PP.

Të akuzuarit, para se të lexohet deklarata e dëshmitarit kanë reaguar dhe kanë rekomanduar të mos pranohen të njëjtat për faktin se është dhënë nën trysni. Megjithatë gjykatësja nuk e ka pranuar kundërshtimin, dhe Panovski ka lexuar dëshminë e Jasharit.

“Më 5-6 maj kam vërejtur një person me uniform në shtëpinë e Fadil Fejzullahut. Të nesërmen e kam pyetur Fadilin se kush janë dhe ai më ka thënë se janë UÇK dhe se kanë ardhur për ne. Unë i thash që a duhet dikush të eksperimentojë me ne. E pyeta kush i solli, nuk mu përgjigj. Ditëve më prapë kam vërejtur persona të panjohur në oborrin e Fadilit. Pash se mbanin armë të tipit kallashnikov. Krismat më 9 maj na frikësuan, u dëgjuan eksplodime, dëgjova britma ‘ura UÇK’, Sokoli jepte komanda”, citohet të ketë thënë Jashari.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës këtë dëshmi e kanë hedhur poshtë këtë dëshmi duke e vlerësuar si të pabazë.

Gjykatësja Verka Petrovska nuk i ka pranuar ankesat e avokatëve e as nuk ka marrë në konsideratë kundërshtimet e të akuzuarve. Ky gjest i saj edhe më tepër ka revoltuar disa prej te akuzuarve të cilët në këmbë kanë kujtuar gjykatësen se po ju bëhet padrejtësi.

Përndryshe, në rastin “Kumanova – Lagjja e Trimave” akuzohen 37 persona, për terrorizëm, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button