Çfarë e bëri Brukselin të ndryshojë mendjen për Qeverinë e Maqedonisë?

Komisari evropian për zgjerim Johanes Han e braktisi vendin pas vizitës 2 ditore, por e la Maqedoninë akoma në udhëkryq. Deklarata e tij se Maqedonisë i duhet Qeveri cilësore dhe jo e shpejtë, sipas analistëve, është ndryshim i qëndrimit të Brukselit i cili pas zgjedhjeve kërkonte formimin e menjëhershëm të Qeverisë. Ish diplomati Denko Malevski vlerëson se pas takimeve me përfaqësuesit partiak në vend, Han e ka kuptuar situatën e vështirë politike, dhe si rrjedhojë është edhe deklarata e tij, shkruan Portalb.mk.

“Edhe pse përpara se të vinte nga Brukseli, lajmërohej një Qeveri e shpejtë, shohim se gjatë ikjes ai tha se më mirë është një Qeveri e mirë se sa një Qeveri e shpejtë, që don të thotë se tani e tutje është lënë që partitë të mundohen të  merren vesh. Shihet qartë se situata është e rëndë, ka shumë dilema te partitë e ndryshme”, deklaroi për Portalb.mk. Malevski.

Vlerësim të ngjashëm ndan edhe ish ambasadori Muhamed Halili. Sipas tij, Han i ka lënë partitë që vetë të zbusin dallimet mes tyre, gjë që do të merr pak më shumë kohë.

“Unë  konsideroj se vizita e tij ka qenë në cilësi të njohjes në situatën paszgjedhore. Hani erdh me një porosi dhe një dëshirë që të bëhet Qeveria e re sa më shpejtë, për arsye se Maqedonia hyn në një krizë të thellë ekonomike edhe më tej, edhe pa një Qeveri të re, më tepër do të komplikohej puna në një rajon, në të cilin do ditë kërcënime të llojllojshme rajonale. Ai kthehet me një përshtypje tjetër se partive ende ju nevojitet kohë për të biseduar, duke marrë parasysh se bisedat me LSDM-në në ecje e sipër, ndërsa ka edhe biseda që bëhen paralelisht edhe me VMRO-DPMNE-në si partner dhjetë vjeçarë ashtu siç u shprehën ata të cilën bisedojnë. Unë mendoj se ai ka dhënë edhe një kohë  që partitë politike t’i zbutin diferencat mes tyre”, deklaroi për Portalb.mk. ish ambasadori Halili.

Nga ana tjetër, duke komentuar qëndrimet e partive politike pas takimeve me Hanin, ish diplomatët Malevski dhe Halili vlerësojnë se dallimet dhe dilemat janë shumë të mëdha dhe nuk pritet zgjidhje në të ardhmen e afërt. Malevski thotë se pavarësisht që VMRO e humbi mandatin, tek BDI akoma ka luhatje se me cilën prej partive maqedonase të shkojë në koalicion.

“Kishte deklarata të ndryshme, ka qëndrime të ndryshme siç e shihni. Nga njëra anë qëndrimi i LSDM-së, e cila vlerëson se shpejt duhet të formojnë një Qeveri me BDI-në, VMRO vlerëson se fituesi duhet të formojë Qeveri, ajo parti e cila ka marrë më shumë vota, se ata nëse janë jashtë nuk do ta shohin atë Qeveri me sy të mirë dhe se mund të ketë probleme, këtu është BDI e cila luhatet në mes të principit të cilin ata e kanë kërkuar dhe e kanë fituar, fituesi me fituesin, dhe tani duhet të tërhiqen nga principi i tillë dhe ajo u jep disa dilema për të ardhmen se çfarë do të ndodhë. Shihet qartë se nuk ka pajtueshmëri të plotë rreth çështjeve të rëndësishme mes partive kryesore, rreth të cilëve sillet formimi i Qeverisë. Dhe derisa nuk zgjidhet ajo, në Maqedoni nuk mund të formohet Qeveri. Unë mendoj se edhe për një kohë më të gjatë nuk mund të formohet Qeveria”, deklaroi Malevski.

Për Muhamed Halilin nga ana tjetër, zgjidhja e vetme e krizës është qeveri stabile, që do të arrihej vetëm me futjen e të gjithë partive shqiptare në koalicion me partinë maqedonase që do të pranojë platformën.

“Poqëse nuk ka një Qeveri me mbështetje më të gjërë, kriza do të vazhdoj, mbështetje të më gjërë dihet, të gjitha partitë politike shqiptare, 20 deputetë plus LSDM ose VMRO, varet si do të merren vesh, por me këtë VMRO 20 deputet nuk shkojnë , ajo është e sigurtë. E vetmja mundësi është 20 deputetë shqiptarë katër parti shqiptare, plus Zaevi do të ishte Qeveria më stabile”, tha Halili.

Sidoqoftë, ish diplomatët Malevski dhe Halili nuk janë optimist për zgjidhje të shpejtë. Ata presin që negociatat të jenë të gjata dhe të mundimshme, me shumë taktizime nga të gjitha palët. /Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button