Fryma e ndryshimit po mbytet nga fryma e dyshimit

Formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve në Maqedoni po shkon drejt dështimit, për shkak të frikës që faktori shqiptar ka tashmë nga njëri- tjetri, dhe jo nga faktori maqedonas. BDI e Ali Ahmetit, e cila është në të vërtetë faktori kyç në formimin e qeverisë, po heziton të bashkohet me Zaievin, duke kërkuar “garanci me shkrim” për kërkesat e tij. Por pavarësisht kësaj, që Zaiev dhe mund t’ia japë, duket se Ahmeti si garanci më të madhe kërkon që koalicioni të respektojë atë si fituesin e shqiptarëve dhe të tjerët të jenë mbushës radhësh.

Një tjetër dilemë e Ahmetit duket se janë fituesit e rinj të këtyre zgjedhjeve, partia “Besa”, e cila kërkon t’i rrijë larg pushtetit, me shpresë se do të ketë revansh politik nëse bëhen zgjedhje të parakohëshme.

Besa, një parti me prirje fetare, që po zgjeron terrenin bazuar edhe tek retorika fetare myslimane, që vë fenë para kombit, shikohet si rrezik jo vetëm politik për BDI, por dhe për defaktorizimin kombëtar të shqiptarëve, nëse i detyrojnë shqiptarët të besojnë më shumë tek xhamitë, se sa tek partitë.

Dhe si një qershi mbi tortë, është dhe zhvillimi në PDSH, ku Thaçi rimori mandatin e kryetarit pas humbjes së rëndë në zgjedhje dhe denoncimi prej tij i Marrëveshjes së Tiranës, si sllavo- maqedonase.

Nga ana tjetër, rreth 70 mijë shqiptarë kanë votuar partinë e Zoran Zaievit dhe shkuarja në zgjedhje të reja bëhet pikërisht për ato vota.

Partia VMRO e Gruevskit, e cila është fituesja formale e zgjedhjeve, por që nuk bën dot e vetme qeverinë, po shton zërat për zgjedhje të parakohshme, me shpresë se do të rikuperojë nga përçarja e shqiptarëve dhe dështimi i opozitës.

Kështu e gjithë ajo që u quajt frymë ndryshimi në Maqedoni, sot është frymë dyshimi ndaj njëri- tjetrit dhe të gjithë shpikin nga një arsye për të mos pasur qeveri dhe nga një ide se si mund të shtohen zgjedhjet e reja.

Fakti që shqiptarët u bënë të rëndësishëm duke u zvogëluar dhe maqedonasit të dobët duke u rritur, tani mund të zhbëhet përsëri. Platforma e përbashkët e partive shqiptare e firmosur në Tiranë, tani mund të kthehet nga një standart shqiptar, në target elektoral për maqedonasit, të cilët duke lëshuar gjuhën kundër shqiptarëve, do të vështirësojnë votën e tyre përsëri pro opozitës maqedonase për të bllokuar Gruevskin në qeveri.

E vetmja gjë që do të vlente tani për t’i ndihmuar ndryshimit, do të ishte që nëse partitë shqiptare nuk po ja dalin të bëjnë dot qeverinë me opozitën, të bien dakord të bëjnë opozitën bashkë me ta, për të shkuar drejt zgjedhjeve me idenë e ndryshimit dhe jo me idenë e dyshimit, se të gjithë po ua fusin të gjithëve. Kështu fitues i sigurtë do të jetë Gruevski dhe Maqedonia bashkë me shqiptarët do ta meritojnë.

Burimi: Gazeta Tema

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button