Afat tremujor pa kamatë kanë banorët për të shlyer faturat e ujit

Të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, të cilët kanë borxhe në faturat e ujit, do të mund t’i paguajnë të njëjtat pa asnjë kamatë.

Borxhet e prapambetura do të mund të paguhen në këste, që do të variojnë në varësi të shumës së përgjithshme të borxhit. Oferta zgjat për vetëm 90 ditë.

“Mundësia për të paguar borxhet pa kamatë është me kohëzgjatje të caktuar, me një afat prej 90 ditësh, dhe varet nga sasia e borxhit dhe shpenzimet. Personat fizikë mund të paguajnë borxhin në 4, 6, 8, 10 apo 12 këste, varësisht nga shuma e borxhit ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit dhe kanalizimit. Qytetarët që kanë borxh nga 10 deri në 30 mijë denarë do të mund të paguajnë të njëjtin pa kamatë, maksimum në 4 këste. Të gjithë ata që kanë borxh prej 50 deri në 70 mijë denarë, do të mund ta paguajnë maksimum në tetë këste”,- theksoi drejtori i NP “Ujësjellësi Dhe Kanalizimi”, Aleksandar Atanasov, transmeton RTM 2.

Gjithashtu ka edhe një vendim të veçantë që ka të bëjë vetëm për personat që jetojnë me ndihmë sociale si dhe prindërit e vetëm të cilëve u jepet mundësia të paguajnë borxhet në më shumë këste se sa që është paraparë për kategoritë e tjera. Pagesa e borxheve pa kamatë dhe në këste vlen edhe për personat juridikë. Ky vendim nuk vlen vetëm për institucionet shtetërore dhe organet e Vetëqeverisjes Lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button