Për adhuruesit dhe urrejtësit e Dritëro Agollit

Ishte viti 1973 kur Dritëro Agolli botoi romanin “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, me të cilin sfidoi metodën e realizmit socialist dhe konceptimin e artit si armë ideologjike. Atëbotë letërsia  kërkonte me ankth makanizmat shprangosës prej çmendurisë së pragmatizmit të mbajtur në këmbë nga shkrimtarët, kritikët dhe studiuesit obortarë, kësaj pararoje të devotshme të luftës së klasave dhe revolucionit të përçudnuar kulturor, të ngritur mbi fatkeqësi krijuesish të mirëfilltë, të cilët, sa herë e gjenin udhën e shmangies së shabloneve të imponuara, detyroheshin t’u përgjigjen me autokritika fletë-rrufeve të kolegëve të partishëm.

Për njohësit e rrethanave të kohës mbetet i pasqarueshëm guximi i autorit, i cili, mu në stinën e voluntarizmit, vuri në lojë pushtetarët e lartë, i ndërgjegjshëm se mund ta rrezikojë seriozisht vetveten. Ngritja e tij e hapur kundër zhdanovizmit, eliminon dilemat e lexuesve rreth përvjedhjeve rastësore të goditjeve dhe përçmimit të sistemit pjesë e të cilit ishte dhe vetë. Të vetmen gjë që bëri për të shmangur persekutimin e mundshëm, është goditja me këste e ligësive pushtetare, zbutja e sfidës nëpërmjet humorit, kamuflimi i talljeve si rastësi të izoluara, vënia në pozita qesharake e heronjëve të romanit, që, si gjetje, llogaritet ndër armët që çarmatosin perënditë

Në romanin e Dritëroit, të aftit veniten nën hijen e diletantëve me pushtet, shkrimtarët harrojnë të shkruajnë, injorantët bëjnë karierë artistësh… Në një sistem të këtillë nuk ekzistojnë shkallë kierarkike vlerash kulturore, letrare, shkencore… Aty ka vetëm padronë të frustruar privilegjesh dhe vartës kokëunjur, pa të drejtë mendimi e fjale. Aty gjithçka është dyngjyrëshe, si nata me ditën. Miqësia e sinqertë ndërmjet njerëzish është pothuajse kategori e panjohur, natyrisht: nëse nuk konceptohen për të tilla lidhjet e punëdhënësit dhe shërbëtorët, që mbarojnë posa pushon mandati i të parit, sepse njeriu vlen për aq kohë sa ka pushtet.

Sistemi në fjalë është i pabesë. Shtyllat e tij janë spiunët dhe shpifarakët. Rregullat e mbijetesës kërkojnë që mos t’i besojë askush askujt. Është kjo zeja e të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Pushtetarët e shfrytëzojnë për ngritje në karierë, kurse njerëzit e thjeshtë për çështje mbijetese, për shkak të frikës së futur në palcë. Pothuajse të gjithë janë të infektuar me sindromin e revolucionit që ha fëmijët e vet dhe nuk njohin tjetër Zot përpos  partisë.

Këto fenomene shkrimtari i portreton me skenime të përpikta, i ironizon duke lëvizur nëpër tehun e shpatës që mund t’ia priste kokën. Mbase për këtë shkak, studiuesi francez Alen Boske, romanin e  Dritëroit, e quajti dinamit të mbuluar me petale.

Vepra u vlerësua lart edhe nga shumë studiues të tjerë evropianë, të cilët u stepën nga vlera estetike e saj dhe nga guximi i paparë i autorit. Perlën narrative të Dritëroit ata e krahasuan me ‘Revizorin” e Nikolaj Gogolit, me “Shakanë” e Milan Kunderës, me veprat e Andre Zhidit, Anton Çehovit, Franc Kafkës, Aleksandër Solzhenicinit…, kurse  te heroi i tij Zylo Kamberi panë Don Kishotin e Servantesit, Jeromilin e Milan Kunderës, Ushtarin e mirë Shvejk të Jarosllav Hashekut…

Janë këto vlerat që përligjin respektin e adhuruesve të shumtë të artit agollian, por edhe dëshmi që i bëjnë anakronikë urrejtësit e mjeshtrit të fjalës së shkruar shqipe, ata të cilët nuk duan ta shohin veprën e artit të ndarë nga pjesa tjetër e jetës së autorit, përgjatë së cilës, sigurisht, ka bërë edhe ndonjë gabim, si gjithë të tjerët. Zaten, kjo është arsyeja që më ka shtyrë të botoj në Portalb shumë shkrime për jetën skandaloze private të disa korifejve të letërsisë botërore, të cilët nuk ka arritur kush t’i nëpërkëmbë. Ndoshta pse bota nuk është e tëra shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ne nje ceremoni te vecante, iu dha ky titull shkrimtarit te shquar “Per kontributin e madh dhe te rendesishem ne krijimtarine e tij letrare per me shume se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg perkthyes e eseist”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button