OJQ-të: Sulmet ndaj nesh, janë sulme ndaj mediave dhe shtetit të Maqedonisë

Mediat duhet të bashkëpunojnë me shoqatat qytetare, dhe se sulmet ndaj OJQ-ve, janë sulme edhe ndaj mediave, sepse bashkërisht ne promovojmë lirinë e shprehjes. Më këtë qëndrim, 122 organizata jo-qeveritare, në konferencën për media me titull “ta mbrojmë shoqërinë civile” ftuan institucionet shtetërore dhe politike në përkrahje të tyre, njofton Portalb.mk.

 “Duam të përkujtojmë se duhet të mbrohet, ruhet dhe avancohet shoqëria qytetare edhe përskaj kërcënimeve. Sulmi ndaj OJQ-ve nuk është sulm vetëm ndaj organizatave jo-qeveritare, por edhe ndaj mediave (të cilat duhet të jenë bashkëpunëtor të tyre) e qytetarëve të cilët jetojnë në Maqedoni. Sepse OJQ-të gjatë 25 vjetëve të funksionimit të Maqedonisë si shtet kanë pasur për synim përmirësimin e pushtetit, nga e cila përfitues më të mëdhenj janë qytetarët dhe partitë politike”, u shpreh Uranija Pirovska, “Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut”.

Krahas kësaj, në këtë konferencë vlerësuan se sulmet ndaj OJQ-ve paraqesin edhe sulm ndaj shtetit të Maqedonisë.

“Sektori qytetarë ka pasur rol përmirësues ndaj pushtetit, dhe nëse kjo ndryshohet dhe shtypet atëherë duhet të frikësohemi se në çfarë drejtimi do të shkojë Maqedonia si ekonomikisht po ashtu edhe politikisht. Shoqëria civile është krijuar nga qytetarët dhe si rezultat i kësaj, nga puna e OJQ-ve janë ndryshuar dhe janë përmirësuar shumë politika në dobi të të gjithë etnive e grupeve në Maqedoni”, tha Kristina Ampeva, “Forumi arsimor i të rinjve”.

Në këtë konferëncë u bë e ditur se edhe nga vijnë burimet financiare prej të cilave funksionojnë atë si organizata, duke hedhur poshtë edhe njëherë qëndrimin se kanë vetëm një donator “dominues”.

“Ne i konsiderojmë si të pavërteta akuzat ndaj shoqërisë civile, për vetë faktin se të dhënat e deritanishme për gjendjen financiare të OJQ-ve tregojnë se sektori civil është i përkrahur nga institucione të ndryshme të vendit dhe ndërkombëtare, organizata, kompani private dhe donatorë të shumtë, dhe jo vetëm nga një donator i vetëm, “dominues”, tha Arianit Xhaferi, “Eco Guerilla”.

Gjithashtu të pranishmit bënë të ditur se shpifjet dhe gënjeshtrat për gjoja jo-trasparencë financiare të OJQ-ve i hedhin poshtë, duke treguar se deri sot, secila organizatë jo-qeveritare ka raporte për punën dhe financat e realizuara deri më sot.

“Se OJQ-të a janë transparente apo jo, flasin edhe raportet e tyre të përjetshme për projektet dhe financat e realizuara gjatë një viti paraprak. Andaj, kontrollet ndaj punës së OJQ-ve nga institucionet shtetërore të caktuara, është sinjal se po krijohet një veprim tendencioz për trysni, dëmtim dhe krijim të frikës të sektorit civil. Kërkojmë që në emër të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, në emër të lirisë së garantuar me ligj të qytetarëve, nga partitë politike, Qeveria, institucione dhe qytetarët të përkrahet sektori civil i cili ka vetëm një qëllim, lirinë e shprehjes, dhe të mos dënohet pikërisht për të”, tha Fani K. Panovska, “Fondacioni për shoqëri të hapur”.

Në kët konferencë nuk harruan të tregojnë edhe vendin që sektori civil e ka në shtet, duke e paraqitur atë si një nga tre shtylla kryesore të Republikës së Maqedonisë.

“Sektori civil është njëra nga tre shtyllat kryesore të një shteti. Dhe se roli ynë i vetëm është të përfaqësojmë zërin e lirë dhe interesin e qytetarëve, për trajtim të barabartë të tyre në të gjitha sektorët dhe sferat e Republikës së Maqedonisë”, përfundoi Zekir Abdulov, “KHAM”.

Në vijim ju sjellim edhe letrën e plotë të OJQ-ve drejtuar institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë.

Të nderuar,

Ne, organizatat qytetare të nënshkruara më poshtë, nga tërë Maqedonia, i drejtohemi publikut në këto kohëra të vështira kur liria e qytetarit dhe shoqëria qytetare janë nën kërcënim, që të mbrojmë interesin publik dhe interesin e qytetarëve. Me këtë drejtim duam të përkujtojmë se duhet të mbrohet, ruhet dhe avancohet shoqëria qytetare, përskaj kërcënimeve, por edhe t’ju kundërshtohemi sulmeve pa bazë dhe gënjeshtrave të cilave jemi të ekspozuar.

Sulmi mbi organizatat qytetare nuk është vetëm një lajmë propagandues që dëgjohet në medie.  Por është një sulm mbi shoqërinë qytetare, nderin, dinjitetin dhe reputacionin e qytetarëve që këtu kanë lindur, jetojnë, punojnë, paguajnë tatimet kurse punën dhe angazhimin e tyre, në mënyrë profesionale ose vullnetare ia kanë përkushtuar përmirësimit të jetës së të gjithë qytetarëve në vend në mënyrë të barabartë. 

Në këto çaste duhet të kuptojmë se suli mbi shoqërinë qytetare është sulm mbi veglën më të madhe të qytetarëve me të cilën ato, në periudhën mes dy cikleve zgjedhore kanë mundësi të kontrollojnë dhe korrigjojnë pushtetin.  Askush nuk duhet të frikësohet  nga korrigjimi i pushtetit, përkundrazi, nga kjo përfitojnë edhe qytetarët, edhe partitë edhe pushteti.  Qytetarët fitojnë jetë më cilësore dhe institucione me më shërbime më të mira, kurse partitë dhe pushtet fitojnë më shumë besim tek qytetarët.   

Sektori qytetar si aktorë i rëndësishëm në shoqëri ka qenë korrigjuesi i të gjitha pushteteve prej pavarësisë së Maqedonisë sonë deri sot dhe frikëson mendimi se në çfarë drejtimi mund të lëviz shteti nëse kjo shtyllë rrezikohet dhe dobësohet.

Sektori qytetar në Maqedoni është krijuar nga qytetarët, si rezultat i vendimit nga viti 1991 për shtet të pavarur, pluralist, sekular dhe demokratik.  Organizatat qytetare (joqeveritare) janë krijuar dhe rritur së bashku me të gjitha sukseset dhe dështimet e kësaj shoqërie tonë të përbashkët, dhe kanë vepruar për mbrojtjen e ë drejtave dhe interesave të individëve, grupeve ose bashkësive të ndryshme.  Si rezultat i këtij angazhimi të sinqertë qytetarë shumë gjëra kanë ndryshuar në dobi të qytetarëve, dhe gjithashtu shumë politika të dëmshme janë parandaluar ose zbutur.

Duke besuar në mënyrë të vendosur në vlerat e vërteta të demokracisë, në fuqinë e zërit të individit dhe në vlera e mendimeve të ndryshme, i refuzojmë dhe  konsiderojmë si të pavërteta akuzat për organizatat e sektorit të gjerë qytetarë në Maqedoni kua to etiketohen si “instalime shkatërruese, mercenarë dhe banda”  Tërësisht të pasakta, të gabuara ose të rrejshme janë lajmet e paraqitura në publik kinse sektori qytetar kontrollohet nga ndonjë “qendër e fuqisë”. Nuk ka “qendër të fuqisë” tek organizatat qytetare, pasi që tek koncepti dhe ideja e shoqërisë qytetarët, fuqia e vetëm është tek qytetarët.  Veç kësaj, faktet e hulumtimeve për financimin e sektorit qytetar në Maqedoni flasin se sektori qytetar është i përkrahur nga më shumë institucione të ndryshme të vendit dhe të jashtme, organizata, kompani dhe donatorë, ku nuk ka donator ose përkrahës dominues. Mes përkrahësve më të fuqishëm gjenden edhe partnerët strategjik të Republikës së Maqedonisë, kurse ato janë Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Për llogaridhënien dhe transparencën e organizatave të sektorit qytetar flasin edhe raportet e tyre vjetore, at financiare dhe narrative, revizionet e organizatës dhe projekteve të cilat gjithmonë kanë qenë në dispozicion, si dhe komunikimi i rregullt dhe thelbësor me qytetarët.  Organizatat qytetare rregullisht dhe në kohë plotësojnë obligimet e tyre ndaj shtetit dhe punojnë për drejtimin e mirë dhe transparent në të gjitha fushat e shoqërisë.  

Andaj, kontrollet e orkestruara shtetërore të punës financiare të dhjetëra organizatave në periudhë të njëjtë kohore jep një pasqyrë të ushtrimit tendencioz dhe të qëllimshëm të shtypjes, krijimin e frikës dhe dëmtimin e sektorit të lirë qytetar.  

Të nderuar përfaqësues të partive politike në Republikën e Maqedonisë,

të nderuar përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ,

të nderuar përfaqësues të Qeverisë së ardhshme të Republikës së Maqedonisë,

të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Maqedonisë,

Të nderuar qytetarë,

Në emër të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, në emër të lirisë së garantuar me kushtetutë të qytetarëve që të bashkohen për realizim të të drejtave dhe bindjeve të tyre dhe në emër të së drejtës së patjetërsuar të secilit qytetar që të shpreh zërin e tij dhe mos të shënohet ose dënohet për atë,

ju ftojmë të përkrahni organizatat, grupet, shoqëritë dhe individët që aktivisht qëndrojnë për vlerat demokratike në Republikën e Maqedonisë, të qëndroni për mbrojtjen e sektorit qytetar i cili 25 vjet vepron si kontrollues dhe përkrahës i punës së institucioneve dhe të mbroni shoqërinë qytetare që qëndron për respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore.  

Përkrahja e sektorit qytetar nënkupton përkrahje për qytetarët – bartësit e sovranitetit të Republikës së Maqedonisë.  

Përkrahja është e nevojshme pasi që sektori qytetar është një prej tre shtyllave të shoqërisë, së bashku me sektorin publik (shtetëror, institucional) dhe atë privat (afarist).  Shoqëri qytetare është një përmbledhje e individëve – siç jemi të gjithë ne, grupe – si për shembull bujqit, bashkësitë – si grupet etnike ose zejtare, lëvizjet – si për shembull lëvizja studentore dhe organizatat ku qytetarë të ndryshëm janë bashkuar.   Të gjithë ne përbëjmë shoqërinë qytetare dhe kemi rol të ndryshëm nga ai i shtetit dhe bizneseve.  Roli ynë është të përfaqësojmë dhe të jemi zëri dhe lëvizësi i interesave të qytetarëve, veçanërisht kur ato janë të rrezikuar.  Detyra jonë është të kërkojmë përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve, të bëjmë shtypje për punë ekonomike dhe të përgjegjshme të shtetit.  Detyra jonë është edhe të mbrojmë këtë sektorë qytetar në këto çaste kur është dukshëm i rrezikuar.

Mbrojtja e sektorit qytetar nënkupton mbrojtjen e bashkëjetesës së qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike, mbrojtje për qëndrimet për standard më të lartë jetësor, mbrojtje për luftën kundër korrupsionit, mbrojtje për gjykim të drejtë, mbrojtje për lirinë që lirshëm të shprehim atë që mendojmë, mbrojtje për trajtimin e barabartë në spitale, mbrojtje për arsimin ku asnjë njeri nuk do të diskriminohet, mbrojtje të solidaritetit dhe ndihmës që e ofrojmë për ose pranojmë prej bashkëqytetarëve tanë.  

Tani duhet të mbrojmë shoqërinë qytetare në Maqedoni!

Përndryshe, aksioni “ta mbrojmë shoqërinë civile”, e përkrahur nga 122 organizata dhe lëvizje joqeveritare në Maqedoni, sot u paraqiten në konferencë të përbashkët për shtyp në Qendrën Kulturore Rinore.

Në konferencë mbajtën fjalime Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit, Fani Karanfillova-Panovska nga Fondacioni Shoqëri e Hapur, Arjanit Xhaferi nga Eco Guerilla, Zekir Abudli nga KHAM-Dellçevë etj.

Ky aksion vjen pas sulmeve të shumta të VMRO-DPMNE-së, për shuarjen e organizatave jo-qeveritare nën akuzën se të njëjtat punojnë për “interesa të huaja”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button