Ruletë ruse

Ngjarja ka ndodhur në Egjipt pas luftës së dytë botërore. Një fëmijë ishte rrëzuar nga biçikleta dhe ishte lënduar shumë keq. Nga gjakderdhja e madhe e kishte humbur edhe vetëdijen. Aty pari kishte kaluar një grua dhe me gjithë fuqitë e saja në dorë e kishte dërguar në spitalin më të afërt. Por, personeli i spitalit kishte pasur një shef shumë të rreptë dhe nuk u kishte lejuar që të hynin brenda pa lejen e tij. Mjeku kryesor njëkohësisht dhe shef i tyre u kishte thënë se së pari duhej t’i paguanin shërbimet që t’i pranonte. Nuk ndihmuan as bindjet se bëhet fjalë për një fatkeqësi, se fëmija ka humbur shumë gjak dhe se vazhdon akoma të ketë gjakderdhje. Gruaja filloi të thirret në ndërgjegjen, humanitetin dhe jetën e fëmijës, por asgjë nuk ndihmonte.

Shëndeti i fëmijës në çdo moment keqësohej. Atëherë gruaja nxori të gjithë arin që e kishte me vete, pasi që nuk kishte mjaftueshëm para aq sa kërkonte mjeku. Kur në fund u bindën se vlera e arit përkonte me shumën e shërbimit atëherë pranuan që ta marrin fëmijën brenda. Por, tani më e gjithë ishte tepër vonë, sepse fëmija kishte vdekur. Mjeku sikur deshi së paku ta çlirojë ndërgjegjen e tij, u afrua afër fëmijës dhe përnjëherë u zbeh, filloi të belbëzojë, pastaj fuqishëm të piskas, u tërbua: “Po ky është biri im!” Gruaja, dukshëm e tronditur me lot në sy iu drejtua:

“Mjek, mbajeni florinjtë e mi, ndoshta do ju duhen për funeralin.”

Ai mjek më kujton brendinë shpirtërore të Gruevskin, hijes së tij besnike Ivanovin, si dhe miqve të shumtë koalicionues që me veprimet apo mosveprimet e tyre për para e pushtet vranë një rini të tërë. Zhdukën ardhmërinë dhe jetën e qindra mijë njerëzve dhe sërish pretendojnë pushtet!!! Ata vite me radhë më tepër preferonin bashkimin rreth urrejtjes se sa rreth tolerancës. I organizonin rrahjet nëpër autobusë, rrugë, Nerez, Kala. Inskenuan Car Dushanin, Monstrën, përleshjen mes shqiponjës dhe kryqit, madje dhe Kumanovë. E gjithë kjo që ta forcojë nacionalizmin si energji për shtyrje drejtë diktaturës. U mbush përplot me njerëz bosh.

Ata preknin në zemrat e njerëzve me qëllim që t’ua heqin trurët. E tani kur i vjen fundi udhëheqësia e kriminalizuar është gati që t’i sakrifikojë gjithë banorët, të krijoj kaos, vetëm për t’iu shmangur drejtësisë!  As edhe strukturat e DPMNE nuk bënë asgjënë që ta pengojnë një Neron në veprimet e veta, të padenjë të kuptojnë se edhe fëmijët e tyre mund të jenë viktima. E kanë vështirë të kuptojnë se partia e tyre është rrëmbyer nga një grup piratësh të cilët për 11 vjet e sollën vendin gjer në një mjerim të përgjithshëm, gjer në prag të luftës dhe shkatërrimit të përgjithshëm. Gjithçka për shkak të parave tona të vjedhura.

Ata heshtnin edhe atëherë kur inteligjenca e tyre u nënvlerësohej – “Më jepni 63 deputetë kundër dygjuhësisë”, dhe pastaj t’i pranoj kërkesat e Platformës. Është lutur duke u zhagmitë që ta pranojë ndokush nga ekipi i Klintonit, por kur fitoi Trumpi ai e rekomandoi librin e tij për ta lexuar! Por, me gënjeshtra mund t’i mbushni zemrat, por barqet mbeten bosh, sepse gjithçka mund të mashtroni përveç barkut.

Të gjitha indikacionet tregojnë se BDI me zemër të thyer nuk do të jetë më në gjendje që ta shpëtojë të preferuarin e saj Gruevskin. Do të duhet ta lëshojë që ta merr uji, së paku për të shpëtuar vetveten. Dhe këtu në mënyrë të pashmangshme shtrohet pyetja: Çfarë pritet që të bëjë udhëheqësia e rreme e DPMNE-së?

I ka katër mundësi:

Mundësia e parë është që DPMNE ta bojkotojë Kuvendin dhe të përpiqet, me protesta ta animoj ambientin politik. Por, këtu shumë shpejt mund të humbet vrulli, sepse qytetarët janë të vetëdijshëm se është e gabuar të mbrohen këta njerëz që në realitet duhet të përndiqen. Janë pikërisht ata që me krimet e tyre shtetin e sollën në nivel të turpit të përgjithshëm. Tani, në këtë parti ka një pakënaqësi të madhe mbi udhëheqjen e saj, sepse ajo dekada të tëra do të perceptohet si një çerdhe e krimit, e gënjeshtrave, e manipulimeve, e varfërimit deri në palcë, e borxhimit deri në fyt.
Ata krijuan një gjendje të tillë sa që njerëzve më shumë u dhimbsen të porsalindurit se sa për ata që vdesin. Shpesh më ndalin “Vmrovcë” dhe më thonë: “Ne kemi votuar për VMRO e jo për ato hajdutë”, të pavetëdijshëm se ashtu vetëm se kanë ushqyer xhelatin e tyre. “Vmrovcëve” tani u është ndryshuar, jo vetëm kodi ideologjik, po edhe ai mental, pasi ideologjia e vetme e krimit janë paratë e zeza.

Mundësia e dytë do të ishte e a.q. destabilizimi i kontrolluar, me qëllim që udhëheqësia aktuale të faktorizohet si negociator për stabilizimin e situatës, ndërkaq që kjo ka çmimin e vet. Por, këtu ka dy rreziqe. E para është që situata të del jashtë kontrollit, dhe e dyta është rreziku i dezertimeve masive apo moszbatimit të urdhrave. Njerëzit i njohin shumë mirë lojërat e tilla kështu që udhëheqësia shumë shpejt do të përfundonte në burg.

Mundësia e tretë do të ishte përpjekja për grushtshtet klasik. Këtu Ivanov mund të luajë rolin kyç. U dëshmua se ai është më i mirë kur nuk thotë dhe nuk ndërmerr asgjë. Ivanov shërben për të sjellë pasiguri juridike dhe politike në vend. Kjo është mundësia më e rrezikshme për shtetin dhe njerëzit në të, por edhe për vetë aktorët. Ajo është një ruletë e tmerrshme ruse, ku nga shtatë vrimat në fuçi të revoles “Nagao M”, vetëm një është e zbrazur.
Ashtu që, sapo të tërheqësh këmbëzën, shanset për të mos marrë plumb në kokë janë vetëm 14 për qind. Këtu ka rreziqe të mëdha në funksionimin e kontrollit të forcave të policisë dhe të armatës, sepse jo të gjithë mund të bien dakord për një burgim të gjatë, që të shpëtojnë mu fajtorët nga një burg i tillë. Kjo sidomos tani kur ushtria nuk është aq e kënaqur me statusin e saj të degraduar. Kështu që shumë lehtë grusht-shteti mund të përfundoj në anti-grushtshtet. Mundësitë për sukses të një grusht-shteti  të tillë ndër shtete fqinje të anëtarësuar në NATO është baras me zero.

E katërta dhe e fundit është mundësia më normale. Është lënë e fundit, sepse te ne normalja edhe ashtu është në vendin e fundit. Qeveritë në mbarë botën formohen në mënyra të ndryshme. Mjafton të ketë një shumicë parlamentare. DPMNE nuk ka më kredibilitet të udhëheq shtetin dhe sipas shumë parametrave nuk do të mund të jetë pjesë e qeverisë. Nga vendi ku një e treta e popullsisë është shpërngulur, ku gjithçka është sjellë në mjerim, ku trefish herë është rritur borxhi publik, ku është shkatërruar ekonomia, shëndetësia, arsimi, kultura, dinjiteti – nuk mund të pritet diçka normale.

Cili është roli i Rusisë?

Serbët thonë: “Fatkeqësi e dyfishtë është për një vend, nëse njëkohësisht amerikanët i ka armiq e rusët miq”. Siç duket udhëheqësia e VMRO-së ka ndikuar në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse, e cila gati se politikisht varrosi Ahmetin. Në fakt Rusia nuk ka ndonjë interes tjetër në Ballkan, përveç ndonjë destabilizimi të kontrolluar që pastaj të bëjë tregti për Krimenë dhe Ukrainën. Por, në një situatë të tillë dëm të madh do të pësonin edhe “Gazpromi” dhe “Rrjedha Turke” të cilët kanë nevojë për paqe rajonale.

Për ndryshime kemi më shumë nevojë se sa i eturi në Sahara për ujë. Kjo do të jetë jo vetëm shpëtim për demokracinë, por shpëtim edhe nga mjerimi, nga varfëria, shkelja e dinjitetit njerëzor, poshtërimi dhe grabitja. Neve duhet të na vijë keq për atë që nuk jemi, por edhe të turpërohemi nga ajo se çfarë jemi. Më shumë duhet të frikësohemi kur idetë e madha plasohen nga njerëz të vegjël. Nga ata që ndërtuan kullat e tyre mbi rrënojat e vuajtjeve tona. Nuk janë të vështira ato vendime, por janë të pavlefshëm ata udhëheqës. Nga ky pushtet e vetmja gjë që mund të mësohet është se si s’duhet të punohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button