Duke pritur qeverinë

Jeta është ajo që ndodh derisa ne presim ditë më të mira. Ditët, javët, muajt kalojnë në këtë shtet, dhe ne gjithë kohës jemi duke pritur të ndodhë diçka, të ndodhë ndonjë ndryshim, të vendoset drejtësia, te bëhet qeveria, të bëhemi më të pasur, më të lumtur, më të mirë. Por gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu, gjersa askush nuk angazhohet që t’i ndryshojë. Ndryshimi nuk vjen duke ndejtur dhe duke pritur, e as duke debatuar pa fund në kafene ose në zyrat e partisë. Ndryshimi vjen duke kërkuar me ngulm dhe me insistim atë që të takon. Sepse po nuk pate kurrajon të kërkosh ndryshim të vërtetë, atëherë je i destinuar të vazhdosh të jetosh në status quo-në tash më të krijuar dhe të përforcuar me vite.

Ndryshimi në Maqedoni filloi të vijë nga viti i kaluar dhe tani është më afër se kurrë. Qytetarët e thane fjalën e tyre me 11 Dhjetor 2016 dhe e thane fuqishëm. Kush kuptoi – kuptoi. Kush nuk kuptoi, do të ketë mundësinë të kuptojë më mirë në zgjedhjet lokale në Maj.

Ndryshimi filloi të vijë, por që të vijë definitivisht nevojitet që vullneti që shprehën mbi 600.000 qytetarë të këtij shteti të shprehet përmes veprimit të politikbërësve shqiptarë që tani e kanë rastin për të bërë ndryshimin e nevojshëm, atë që pritet, atë që të gjithë e shohin se duhet të ndodhë, përveç tyre.

Nuk e kuptoj përse duhet kaq gjatë të mendohet BDI, si subjekt politik shqiptar që mori më së shumti vota në zgjedhjet e fundit dhe siguroi numër jo shumë të madh por shumë të rendësishëm dhe vendimtar të mandateve. Nuk e kuptoj si e shpjegon faktin që për javë të tëra mendohet, debaton, bredna e jashtë, se ç’duhet të bëjë. Mbi të gjitha, nuk e kuptoj pse humb kohë të çmuar, kur gjithçka mund të zgjidhet kaq lehtë dhe shpejtë, veçanërisht tani, kur zgjidhja varet në mënyrë direkte prej tyre. Nuk e kuptoj përse duhet të mjegullohet gjithçka kur është më se e qartë se si duhet vepruar. Aspak nuk e kuptoj arsyen pse duhet gjetur mënyra për të ringjallur duke i amnistuar njërëzit të cilët akuzohen për krime të rënda të cilat të gjithë i degjuam dhe lidhur me të cilat nuk ka dyshim që duhet vendosur drejtësia.

Dilema në këtë rast është shumë e pastër dhe shumë e qartë. Në njërën anë keni subjektin politik i cili ka përsëritur në mënyrë të hapur që nuk do të lejojë vazhdimin e mandatit të PSP dhe deri tani ka bërë gjithçka që ka mundur për të sabotuar punën e këtij institucioni. Funksionarët e këtij subjetki shprehen me fjalët më të ulta lidhur me punën e institucionit të cilit i beson mbi 60% e qytetarëve, dhe në mënyrë arogante e quajnë të njëjtin jokredibil dhe partiak vetëm për shkakun se ka pasur guxim të ngrisë hetime por edhe akuza për krime të rënda për të cilat prokuroria e rregullt rregullisht është bërë e shkurdhër dhe e verbër. Mos vallë dikush nga shqiptarët ose subjektet politike që përfaqësojnë vullnetin e tyre ka ndonjë mendim se PSP papritur do të fillojë të funksionojë lirshëm në cilëndo qeverisje ku do të ishte përfshirë VMRO-DPMNE?

Në anën tjetër keni subjektin i cili insiston që ndryshimet e para ligjore që do të bëhen në qeverisjen e re të përfshijnë pikërisht lehtësimin e punës së PSP si dhe çështje tjera të rendësishme për qytetarët e këtij vendi prejt të cilëve një numër i konsiderueshëm shqiptarësh e kanë votuar duke besuar në këto ide të promovuara.

Dilema kryesore në këtë situatë pra është si vijon: A munt të sakrifikohet drejtësia në altarin e politikës? A ka kundërvlerë që i përgjigjet mungesës së drejtësisë në një vend? A ka argument që mund të arsyetojë heqjen dorë me plot vullnet nga reformimi urgjent i sistemit të drejtësisë dhe ndryshimit esencial të qasjes ndaj dejtësisë në këtë shtet?

Në një situatë kaq të qartë paraqiten debate të pafundta që flasin mbi fitues dhe humbës, gjersa të gjithë jemi humbës në një sistem i cili nuk funksionon dhe të cilin Komisioni Evropian ku ne kërkojmë të integrohemi e quan “shtet i kapur”. Shfaqen biseda dhe argumentime të pakuptimta që mundohen ta mbrojnë të pambrojtshmen dhe të krijojnë problem aty ku nuk ka të tilla. Debatet mund të vazhdojnë gjer në pafundësi, por nuk duhet harruar që keto dilema qytatarët që votuan më 11 Dhjetor që moti i kanë zgjidhur, që moti i kanë tejkaluar.

Vonesat e përsëritura dhe të paarsyetuara humbasin kohë të çmuar për drejtësinë, kohë të çmuar për PSPnë mandati i së cilës rrjedh duke pamundësuar punën e saj të mirëfilltë si pasojë e sabotimeve të shumta. Ivanov si bartës i funksionit të presidentit të shtetit luajti në të kaluarën dhe akoma po vazhdon të luajë rolin e tij në këtë vonesë të ardhjes së drejtësisë në vend. Të njëjtin rol të vonesës e luan edhe subjekti shqiptar që duhet të mundësojë zgjedhjen e mandatarit të ri. Dhe këtu nuk ka arsyetime. Sepse ai që kërkon të bëjë diçka, gjen mënyrën për ta bërë, ndërsa ai që nuk dëshiron të bëjë diçka gjen arsyen për të mos e bërë.

Prandaj, mjaft më me arsyetime! Drejtësia nuk lë vend për kompromis! Thuajeni më qëndrimin tuaj, jeni pro ose kundër vendosjes së drejtësisë në këtë vend, jeni pro ose kundër mundësimit të punës së papenguar të PSP?

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Shum mir ke shkrujt profesore besa per krimn politk dhe drejtesin, po kur do te tregosh pak guxim intelektual te shkrush edhw per krimin ekonmik ne universitetet si qashtje shoqrore posaqerish ne universitetn ku punon ti te shtuulliit

    1. bricapi says….. i nderuar….. Besa Arifi , do e mer guzimin cdoher kur do te tregosh fakte per gjerat per te cilat ti flet! dhe nuk mshefet asnjeher per fjalet apo veprat te cilat i ben! bile as emrin ientitetin nuk e mshef! psh si ju Zot. bricapi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button