U realizua me sukses fushata “Tifo pa urrejtje”- urrejtja helm i shoqërisë në Maqedoni

Sot në Shkup u prezantua nisma “Tifo pa urrejtje”, fushatë e cila u zhvillua nga ana e dhjetë të rinjve aktivistë, gazetarë dhe studentë të Maqedonisë. Fushata kishte për qëllim të ngrejë vetëdijen e popullatës, sidomos të rinjve dhe grupeve të tifozëve për dëmet që i sjell gjuha e urrejtjes e shprehur gjatë para apo pas ndeshjeve të ndryshme sportive.

“Apelojmë që klubet e futbollit të organizojnë takime më të shpeshta me kryesitë e tifo grupeve dhe Federatën e Futbollit me qëllim që të ulet niveli i dhunës në ndeshjet sportive dhe tifozët të edukohen se si të parandalojnë urrejtjen dhe si të ballafaqohen me të, shembull konkret në video fushatën janë edhe tifozët e klubit të futbollit Shkupi.

Video materialin të cilin e regjistruam, paraqet një fushatë e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes tek tifo grupet për pasojat e dhunë gjatë ndeshjeve sportive“-  tha Adrijana Selmani koordinatore e nismës.

Sipas saj, është po ashtu shumë me rëndësi që Federata e Futbollit të Maqedonisë të vazhdon të punojë së bashku me nisma dhe projekte të ndryshme të organizatave joqeveritare me qëllim që ndikimi i përbashkët të sjellë rezultate më evidente.

“Roli i institucioneve shtetërore siç është Ministria e punëve të brendshme mbetet shumë e rëndësishme por është e patjetërsueshme që të zbatojnë ligjin dhe të mbajnë rendin gjatë çdo ndeshje sportive. Edhe pse nisma përfundon, ne do të vazhdojmë punën tonë deri sa të arrijmë qëllimin.” tha Selmani.

“Gjuha e urrejtjes është më e përfshirë në rrjetet sociale, prandaj ndikimin tonë e fokusuam në internet. Përmes artikujve gazetareske të cilat i publikonim në rrjetet sociale arritëm që të fitojmë vëmendjen e tifozëve dhe t’i edukojmë ata se si të njohin gjuhën e urrejtjes dhe se cilat janë masat ligjore dhe dënimet për ushtruesit e dhunës gjatë ndeshjeve sportive. Ne mendojmë se puna jonë rezultoi me sukses, por gjuha e urrejtjes duhet në mënyrë të vazhdueshme të trajtohet dhe parandalohet, sidomos në internet.” tha Elion Jashari.

Fushatën kundër dhunës në ndeshjet sportive mund ta ndiqni në vazhdim:

“Mos harrojmë që tiparet kryesore të një shteti dhe të një shoqërie të civilizuar dhe të orientuar drejt perëndimit dhe Evropës, janë që të respektojmë njëri – tjetrin në mënyrë sa me demokratike pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare sepse të gjithë jemi të ndryshëm, ndërsa kjo na bën që të jemi vetvetja.” thanë organizatorët

Ky projekt u realizua nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM Tiranë me mbështetje financiare nga Ambasada e SHBA-ve – Tiranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button