Maqedoni, 560 milionë euro kamata në 6 vitet e fundit

Borxhi publik i Maqedonisë në vitin 2010 ishte 1.93 miliardë euro apo 27.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shkruan gazeta KOHA.

Gjashtë vite më vonë apo në 2016, ai arriti në 4,71 miliardë euro, gjegjësisht 50.1 të PBB-së, ndërsa sivjet do të arrijë në shifrën rekord prej pesë miliardë euro. Nga ana tjetër, në periudhën 2010-2016, vetëm për kamata të borxhit publik janë paguar 557 milionë euro. Ekonomistët thonë se Maqedonia vështirë se mund të mbijetojë pa borxhe të reja edhe në të ardhmen, por megjithatë kërkojnë që huazimet e reja të rrisin mundësinë e ekonomisë vendore që të mos ketë probleme me kthimin e borxheve, duke investuar në projekte produktive infrastrukturore.

Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, huazimet e deritanishme, së bashku me kamatat, nuk kanë mbështetur rritjen ekonomike më të madhe dhe nuk kanë përmirësuar standardin e qytetarëve, për shkak se janë harxhuar në një pjesë të madhe në mënyrë joproduktive dhe kanë shkuar edhe për mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse të funksionimit të shtetit.

Ndryshe, në vitin 2010 borxhi publik ka qenë 1.936 miliardë euro ndërsa kamatat kanë qenë 52 milionë euro, në vitin 2011 borxhi publik ka qenë 2.414 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 56 milion euro. Në vitin 2012 borxhi publik ka qenë 2.908 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 69 milionë euro, në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 3.281 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 75 milionë euro.

Në vitin 2014 borxhi publik ka qenë 3.921 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 83 milionë euro, në vitin 2015 borxhi publik ka qenë 4.227 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 105 milionë euro.

Ndërsa në vitin 2016 borxhi publik ka qenë 4.71 miliardë euro, ndërsa kamatat 117 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button