Presidenti Trump do të takohet me udhëheqësit e NATO-s

Gjatë një bisede telefonike me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg Presidenti Donald Trump ra dakord të marrë pjesë në muajin maj në një takim të udhëheqësve të Aleancës. Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, gjatë bisedës u fol edhe për konfliktin separatist në Ukrainë.

Deklarata thotë se Presidenti Trump dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s “diskutuan rreth mënyrave se si të inkurajohen të gjitha vendet anëtare të Aleancës-s që të përmbushin detyrimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes”, transmeton VOA.

Gjatë fushatës elektorale, ish-kandidati republikan Trump kritikoi NATO-n, duke e quajtur atë “të vjetëruar”, dhe duke shqetësuar kështu disa udhëheqës evropianë për nivelin e tij të angazhimit. Por, gjatë telefonatës së djeshme, zoti Trump shprehu “mbështetjen e fortë” për NATO-n.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë thotë se Presidenti Trump dhe zoti Stoltenberg gjithashtu “diskutuan për hapësirat e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit përgjatë kufirit ukrainas”.

Konflikti është rigjallëruar ndërmjet ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore dhe secila palë ka akuzuar tjetrën për valën e re të bombardimeve me artileri. Mbi 40 persona janë vrarë në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe në ato të kontrolluara nga rebelët.

Zoti Trump është kritikuar nga demokratë dhe republikanë për dëshirën e tij për një marrëdhënie më të ngrohtë me Presidentin rus Vladimir Putin, që ka shqetësuar edhe disa prej udhëheqësve evropianë.

Administrata e mëparshme amerikane dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të aneksimit prej saj të rajonit ukrainas të Krimesë, si dhe në kundërpërgjigje të mbështetjes së Moskës për militantët separatistë në rajonin Donetsk, ku mbi 9750 persona janë vrarë që nga fillimi i konfliktit rreth tre vjet më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button