Ja efektet e biblioterapisë

Biblioterapia është terapi ekspresive e cila shfrytëzon marrëdhënien në mes individit dhe përmbajtjes së librit, poezisë dhe formave të tjera të fjalëve të shkruara. Biblioterapia më së shpeshti shkon me terapinë e shkrimit. Forma e tillë e terapisë është më efikasja.

Madje edhe grekët e vjetër kanë besuar në fuqinë shëruese të leximit, prandaj gjithmonë në derë të bibliotekave kanë vënë mbishkrimin “vend shërues për shpirt”. Koncepti themelor i biblioterapisë është që leximi është përvojë shëruese. Burimet letrare mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve komplekse.

Te fëmijët, biblioterapia mund të ndikojë mirë në vetëbesimin e tyre. Leximi i librave mund t’ia shpjegojë fëmijës se si të përballet me stresin, të zhvillojë kreativitetin dhe të zgjidhë probleme, transmeton Koha.net. Prindërit në këtë mënyrë po ashtu mund të flasin më lehtë me fëmijët dhe të marrin vesh se çka po ndodh. Te nxënësit biblioterapia është treguar e shkëlqyeshme si ndihmë tek tallja, përqeshja, ndryshimet seksuale, ankthet dhe vdekja e personave të afërt.

Në shumicën e rasteve biblioterapia përdoret si shtesë psikoterapisë tradicionale. Tek ata që shërohen me terapi kognitive-biheviorale, biblioterapia çdo pacienti i qaset në mënyrë të veçantë, individuale. Për shembull, personi që vuan nga bulimia me shumë gjasa do të marrë për të lexuar librat që përshkruajnë gjendjen e tij. Informatat e tilla u ndihmojnë pacientëve që të kuptojnë më mirë arsyet e shërimit dhe të punojnë në ndryshimet në sjellje.

Biblioterapia me siguri nuk do të jetë efikase tek ata që vuajnë nga çrregullimet e mendimeve, psikoza, aftësitë e kufizuara intelektuale, disleksia ose rezistenca aktive në shërim.

Edhe pse nuk ka shumë hulumtimet për biblioterapinë, ajo është treguar efikase në zgjidhjen e shumë rasteve.

Bibloterapia ka tri faza të pranuara:

Identifikimi – kur lexuesi e gjen dhe identifikohet me personazhin;

Katarza – kur lexuesi ndan shumë mendime dhe ndjenja me personazhin në veprën letrare;

Mishërimi – kur lexuesi përmes personazhit kupton se si të përballet me problemet dhe çështjet e veta.

Qëllimi i biblioterapisë është të zgjojë dhe thellojë mendimet e individit që të arrijë të zgjidhë problemin momental. Aplikohet te shumë lloje të problemeve psikike. Ekspertët kanë përcaktuar që është e shkëlqyeshme për shërimin e çrregullimit të të ushqyerit, çrregullimit të disponimit, frikës nga hapësira e hapur, alkoolit dhe varësisë, stresit dhe ankthi.

Për dallim nga shumë forma standarde të psikoterapisë, biblioterapisti ka qasjen e cila më së shpeshti përfshin shembuj konkretë me të cilët mund të identifikohet pacienti.

Aplikohet për shumë lloje të problemeve psikike, duke përfshirë çrregullimet e të ushqyerit, ankthin, çrregullimet e disponimit dhe abuzimet e drogave.

Njerëzit të cilët në mënyrë të pavarur, respektivisht pa udhëzime profesionale, marrin literaturën me qëllim që të shërohen, mund të gabojnë në terapi. Sikurse edhe tek çdo formë tjetër e shërimit, biblioterapia është efikase vetëm nëse pacienti merret në mënyrë aktive me të dhe nëse ka dëshirë të fortë për t’u shëruar. Për njerëzit që nuk kanë mjaft kohë apo para për të ndjekur këtë lloj të terapisë, ka shumë libra që mund të përdoren në mënyrë të pavarur, pa mbikëqyrjen e personit të kualifikuar. Hulumtimet e tanishme tregojnë që biblioterapia mund të jetë shumë efikase në shërimin e agorafobisë.

Shumica e hulumtimeve tregojnë rezultate të ndryshme të efikasitetit të biblioterapisë. Por, biblioterapia siç kemi cekur tashmë, nuk mund t’u ndihmojë të gjithëve. Është treguar më së shumti efikase tek çlirimi nga stresi. Megjithatë, shkencëtarët kanë konkluduar që gjithnjë e më shumë njerëz e dëshirojnë këtë lloj të terapisë, veçanërisht për shkak të mënyrë së shpejtë të jetesës dhe problemeve me të cilat përballen, siç janë shkurorëzimet, problemet familjare, alkooli, droga etj.

Biblioterapia mund të përdoret tek zhvillimi i vetëdijes së individëve, rritja e motivimit, rritja e të kuptuarit të sjelljes njerëzore, nxitja e vlerësimit të sinqertë të karakterit personal, rritja e interesimit për mjedisin, lehtësimi i ngarkesave emocionale dhe mentale, të treguarit individit që ka më shumë se një zgjidhje të problemit, te zhvillimi i bisedës kualitative për problemin, si dhe te qasja konstruktive ndaj problemit.

Pavarësisht a jeni mësues, profesor, edukator, bibliotekar apo ekspert për shëndetin shpirtëror, biblioterapia duhet të bëhet me kënaqësi, transmeton Koha.net. Biblioterapisti duhet të jetë person stabil, të interesohet sinqerisht për të tjerët, i aftë që të bashkëndiejë me të tjerët, pa moralizime, kërcënime apo urdhra.

Ekspertët konsiderojnë që çdo biblioterapist duhet të bashkëpunojë me ekspertë tjerë në fushën e vet apo ndonjë tjetër. Për shembull, nëse jeni mësues, mund të bashkëpunoni me bibliotekarin ose psikologun e shkollës. Kjo formë e bashkëpunimit mund të ndihmojë në balancim të shërimit. Ekspertët po ashtu pohojnë që biblioterapisti duhet të jetë bashkëbisedues i këndshëm, duhet të dijë të stimulojë diskutimin i cili në asnjë moment nuk do të anojë kah grindja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button