Gjumi dimëror

Një film si i bërë për këto ditë dimri. Ashtu e ka dhe titullin, “Gjumi dimëror”, fitues i Palmës së artë në Kan më 2014, shpërblimi i katërt me rradhë i regjisorit Nuri Bilge Xhejlan në këtë festival. Xhiruar me buxhet të vogël dhe në atmosferë kamertale, filmi zgjat tre orë, por nuk ta jep ndjesinë që autori ka mundur pak “të shtrëngohet”. Pastaj lexova në intervistën e autorit Xhejlan  se verzioni i parë i montuar ka zgjatur 4,5 orë.

Ngjarja zhvillohet në hotel në kep të malit, në rajonin Kapadokia, gjithandej shpella dhe gurë. Pronari Ajdin është ish aktor teatror që merret me shkrime. Shpesh para laptopit, por shkruan si me zor. I vështirë në komunikim, tersene, sidomos me më të dobëtit.

Gruaja shumë më e re se ai, e palumtur në martesën për të cilën thotë që ia ka zhdukur të gjitha vetitë e mira të dikurshme. Fëmijë s’kanë.

Aty është edhe motra e Ajdinit, e posadivorcuar, duket e shtangur, të tilla i ka lëvizjet, të tillë shikimin. Ende e mendon të shoqin, anise nuk ka qenë e kënaqur me të. Dita e saj është një rreth vicioz i dyshimeve dhe introspekcioneve. Herë i ndan me dy protagonistët tjerë, herë i ndrydh në vete. Atëherë ato duken më të zëshme. Kryesisht nuk punon asgjë.

Pejsazhe dimri, kënaqesh. Prej dritareve nëpër të cilat hyn i ftohti, duket bora tek bie ose ndonjë mjegullnajë pas malit fqinj. Derisa hoteli është pa mysafir, familjarët bëjnë muhabete të gjata në dhomat me mobilje vakti, nën dritën e llambave të natës ose afër koftorit me dru. Shumë dialogje duken si çehoviane, janë poetike, plot pikëpyetje ekzistenciale për sensin e të qenit vetëm dhe sensin e të qenit bashkë. Tipike çehoviane: rrëfimi më shumë duket se sa që dëgjohet, me agresivitetin e ndrydhur në tonet e ulta të bisedave.

“Bën ftohtë në njerëz” do thoshte poeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button