Lojërat me mandatin të palaços Ivanov

Kushdo që siguron 61 deputetë duhet të formojë qeverinë pa ju nënshtruar Ivanovit. Rregullat e formimit të qeverisë duhet të rishkruhen, ndërsa LSDM të pranojë padrejtësinë që i ka bërë PPD-së në vitin 1992

Procesi i formimit të qeverisë edhe një herë ka nxjerrë në pah hipokrizinë dhe joseriozitetin e presidentit Ivanov, i cili haptas dhe pa bazë mbështet njërën parti. Me veprimet e tij ai ka shkaktuar pështjellim të paparë, duke shfrytëzuar në mënyrë të pacipë paqartësitë kushtetuese e ligjore të procesit të formimit të qeverisë. Dorën në zemër ky proces kurrë nuk është precizuar si duhet, as me kushtetutë e ligje, as me traditë të mëparshme politike. Pikërisht nga kjo paqartësi Ivanov ka mundur të luajë si të dojë, ndërsa partitë politike kanë mundur të thiren në verzionin që u ka parapëlqyer atyre vetë. Dikush është mbështetur te kushtetuta, dikush te presedanet e mëparshme, e të gjithë bashkë e kanë bërë lëmsh situatën dhe e kanë ngatërruar edhe më tepër publikun.

Gjeneza numër një e problemit padyshim është kushtetuta. Atë normalisht e kanë shkruar juristë, rrjedhimisht ajo nuk ka si mos të jetë më e paqartë, apo më gjysmake. Sipas saj 10 ditë pas mbledhjes së parlamentit Presidenti i ndan mandatin partisë ose koalicionit që ka shumicë në kuvend, por kushtetuta nuk përcakton në mënyë decide se çka ndodh nëse asnjëra parti nuk ka shumicën. Hapi i parë që duhet të bëjë një qeveri e ardhshme është rishkrimi i kushtetutës dhe precizimi i rregullave për formim të qeverisë.

Në rrethana të këtilla, në shtete normale, Presidenti duhej të kishte mbledhur partitë për konsultime për të parë se kush mund të mbledhë 61 nënshkrime. Por Ivanov zgjodhi një rrugë krejt tjetër. Ai u thirr te fakti se VMRO ka më tepër deputetë dhe i dha mandatin Gruevskit, edhepse nuk ishte fare e sigurtë se ky mund të mblidhte 61 deputetë. Ivanov me vetëdije ka ndërruar kuptimin e shumicës nga “më tepër se gjysma” në “kush ka më shumë”, pra me dashje ka ngatëruar konceptin e shumicës me konceptin e pluralitetit.

Kushtetuta nuk parasheh se ç‘ndodh as kur partia e parë nuk arrin të sigurojë shumicën. Prandaj kur Gruevski ktheu mandatin dolën dilema të reja, ndërsa argument më i fuqishëm u bë presedani nga zgjedhjet e mëparshme.

Në të gjitha zgjedhjet, me një përjashtim të vetëm, ka qenë e qartë se cila parti ka fituar. Në vitet 1994 dhe 2002 kjo ka qenë LSDM-ja, ndërsa në 1998 dhe periudhën 2006-2014 kjo ka qenë VMRO-ja. Në këto raste çështja e mandatarit nuk u kontestua aspak. Kështu ka qenë edhe kur Presidenti ishte i partisë humbëse: Gligorov i dha mandatin Georgievskit në 1998, Trajkovski Cërvenkovskit në 2002 dhe Cërvenkovski Gruevskit në vitin 2006. Përjashtim i vetëm dhe presedan i vetëm ku mund të referohemi ka qenë viti 1992.

Pasi në zgjedhjet e para parlamentare nuk pati fitues të qartë që mund të formonte qeverinë, dy vitet e ardhshme vendin e udhëheqi një qeveri teknike e kryesuar nga Nikolla Klusev. Por qeveria Klusev u rrëzua në vitin 1992, me çka filloi peripecia për zgjedhjen e një qeverie të re politike. Fillimisht mandati i takoi VMRO-së si parti e parë, por kjo nuk arriti të formojë qeveri brenda afatit të paraparë. Presidenti i atëhershëm ia kaloi mandatin Petar Goshevit nga LSDM, por as ky nuk nuk pati sukses. Logjikisht mandati duhej atëherë t’i kalojë Partisë për Prosperitet Demokratik si parti e tretë, por mbase për të shmangur mandatarin shqiptar Gligorov trilloi një princip të ri. Sipas tij kishte dështuar Goshevi si person dhe jo LSDM si parti, e kjo i hapi rrugën që në vend të PPD-së mandatin t’ia kalojë Branko Cërvenkovskit. Tjetra është histori.

Pikërisht te ky presedan tani kapen të dy partitë e mëdha. VMRO kapet për kalimin e mandatit nga Goshevi te Cërvenkovski, duke thënë se kjo është presedan që mandati nga Gruevski t’i kalojë përsëri ndonjërit nga VMRO (gjithmonë nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme që ngelet opsion i preferuar i partisë). Ndërkaq LSDM kapet për kalimin e mandatit nga Georgievski te Goshevi, si presedan se pas dështimit të partisë së parë mandati duhet të kalojë te partia e dytë. LSDM-së si parti tani si duket ju kthye bumerang padrejtësia ndaj partisë politike më të madhe shqiptare të para 20 viteve. Veprimi i atëhershëm është shembull i mirë se çdo hap i gabuar ka pasoja afatgjate dhe se nuk mund të ndërtohet shtet stabil me truqe të çastit në dëm të njërës palë. Në të ardhmen LSDM duhet të paktën të pranojë këtë padrejtësi që ju bëri atëherë shqiptarëve.

Mirëpo kjo nuk do të thotë se gabimi i para 20 viteve tani duhet të përsëritet sërish. Pasi asnjëra parti nuk kishte shumicën në parlament Ivanov që në start duhej të kërkonte 61 nënshkrime për mandat. Hipokrizia e tij është se ka ndërruar parimet në mes të procesit. Kur i dha mandatin Gruevskit ai u thir te fakti se Gruevski ka më shumë deputetë në parlament. Por në po të njëjtën vijë ai u desh t’i kalojë pastaj mandatin Zaevit si parti e dytë. Duke kërkuar tani 61 nënshkrime ai vë kushte që nuk ia ka vënë më parë Gruevskit.

Në demokraci parlamentare institucion më i lartë është parlamenti, që buron nga vullneti i popullit i shprehur në zgjedhje. Si përfaqësues direkt i popullit Parlamenti nuk guxon t’u nënshtrohet tekave të Presidentit. Procesi i “dhënies së mandatit” duhet të jetë gjest vetëm simbolik, madje sipas meje nuk duhet të ekzistojë fare. Nëse ndonjë grupacion siguron 61 deputetë, mendoj se më e drejtë është që të zgjedhet menjëherë kryetar kuvendi dhe të formohet qeveri, do apo s’do Ivanovi. Atij përkundrazi duhet t’i ngrihet shpejtë e shpejtë një procedurë impiçmenti, sepse me lojërat e tij si palaço ka dëshmuar se bëhet pengesë e realizimit të vullnetit të popullit.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button