Pse s’don të dalë pranvera

–      Pranvera ka vendosur të mos vijë më te ne.

–     Po, mos të vijë! Edhe ashtu ne nuk jemi holandezë që të mërzitemi për lulet. Çka na duhet. Për çfarë do të na hynte në punë pranvera?

Fytyra e njeriut i cili tha se pranvera ka marrë vendim të mos vijë më te ne ishte plot mllef. Në fjalët e tij ishte i dukshëm sarkazmi. Ai donte të thoshte se shanset tona për ditë më të mira po fundosen.

Mirëpo edhe në fytyrën e tjetrit lexohej pakënaqësia, prandaj sarkazmit iu përgjigj me sarkazëm: Në këtë kënetën tonë, anija ka zënë në rërë.  Në këtë fytyrë dukeshin të qarta gjurmët e shumë dështimeve.

Ishin dy veta, dy fqinj që e vizitonin njeri-tjetrin, por që thoshin se u takojnë dy taborëve të kundërta. Përkthyer në gjuhën normale, do të thotë se u takojnë grupeve të ndryshme, njërit që ishte për shpërngulje në Turqi, tjetri kundër shpërnguljes. Këta do t’i quajmë Bali dhe Tali.

Bali, që ishte në vizitë te Tali, rrinte ulur me bërrylat mbështetur mbi tavolinën e improvizuar dhe pinte kafe turke. Tali pinte çaj rusi. Kurse, e zonja e shtëpisë  mundohej të shkelë me kujdes në gjurmët e vjetra të traditës me “bukë, krypë e zemër“…

Dhoma e Talit  ishte mbushur me tymin e duhanit të keq që po e pinin cigare pas cigareje, por ata nuk e hetonin. Biseda e filluar me pranverën si metaforë e nxiti sedrën e të dyve. U paraqit hidhëtia te ata dhe po ua mbushte shpirtin si uji që e mbush bokallin e qelqtë, kur e zonja e shtëpisë e harron në çezmën që rrjedh

–     Çfarë don të thuash, kur thua se pranvera ka vendosur të mos vijë më te ne? pyeti Tali. Thuajma pa dorëza.

–     Po ti e di. Në komentin tënd, kur m’u përgjigje merret vesh se e di mirë për çfarë e kam fjalën. Ti e kuptove se dua të them që ju që jeni për të mbetur këtu në vend e mos të shpërngulemi nuk keni bërë asgjë për ta ndryshuar këtë gjendje të padurueshme, këtë shtypje. Nuk keni bërë asgjë për të na e mbushur mendjen që të rrimë.

–     Po çfarë bëni ju që kërkoni të shkoni në humbëtirat e Anadollit?

–     Ne do të bëjmë… Brenda natës nuk plotësohen dëshirat… zëri i tij ishte plot mburrje.

Ishte fundi i janarit. Fundi i viteve 50 të shekullit të kaluar. Dhe, temperatura e bisedës e fshihte të ftohtin që e kishte pushtuar dhomën, kurse e zonja e shtëpisë mundohej ta kthejë bisedën, të fusë atmosferë fqinjësie, atmosferë miqësie në shtëpinë e saj.

–     E bija e Demës – tha e Zoja e shtëpisë – ishte fejuar. Dhe, thonë djali qenka shumë i mirë. Po burrat nuk e dëgjuan të shkretën grua.

–     Do të bëjmë, do të bëjmë…  tha njëri.

Në atë çast kërciti fuqishëm dera. Një shqelm, një e përplasur e fuqishme dhe dera u hap krah e më krah. Disa policë të armatosur u futën në dhomë

–     Asgjë s’do të bëni… Mos deshët ta bëni Shqipërinë?! Nuk keni kapacitete!… Ndal! Mos lëviz! Kemi urdhër për bastisje!

Që të dytë, Bali dhe Tali protestuan.

–     Jemi qytetarë të ndershëm, çfarë kërkoni?! thanë. Dhe, shpejt e morën përgjigjen fizikisht. Ndërsa gruaja e shkretë kishte mbetur e shtangur me tabllën për shërbesa në dorë. Qëndronte në qosh të dhomës si shtatore, kurse çaji i derdhej nga të dridhurat e i binte në qilim, të cilin e kishte pastruar me mundime.

Kur policët shkuan duke mos gjetur gjë e duke lënë pas vetes kaosin dhe shkretërimin, por edhe shenjat e gishtave të tyre në faqet e Balit dhe Talit, Tali e mblodhi veten dhe e pyeti bashkëbiseduesin me një zë të njeriut të ngadhënjyer e të thyer.

  • Moti dua të të pyes, pasi ta morën mallin a mos ke gjetur ndonjë njeri të të

ndihmojë që të të kthejë ndonjë vijë arë?

  • Po ti?
  • As unë.
  • A e njeh Musën? pyeti Bali.
  • Po si s’e njoh.
  • Po ti Bal, a e njeh ti?
  • Edhe unë e njoh, po ka vite që s’e kam parë. Dikur më paraqitej, tashmë

Te dytë e ulën kryet, shikuan kah dritarja e thyer nga policia. Jashtë bora i kishte rënduar degët dhe e kishte mbuluar dheun e vrugtë. Disa korba po krrakasnin në çardak dhe dëgjohej krrokama e tyre nga dera që nuk puthitej mirë për kornize.

  • Nuk heq dorë nga ajo që të thashë për pranverën – tha Bali.
  • A s’e sheh se kjo anije ka zënë në rërë. Jemi në baltë, jo në Holandë. Kush

çan kokë për pranverën?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button