Klubet shqiptare shpërblehen me 333 mijë euro nga UEFA

Në një periudhë të vështirë financiare, UEFA i gjendet sërish pranë klubeve shqiptare. Janë 333 mijë euro, që do t’iu shpërndahen 4 skuadrave shqiptare, më konkretisht Skëndërbeut, Tiranës, Partizanit dhe Flamurtarit, njofton Top Channel.

Kjo është pjesë e ndihmës që përfitojnë klubet e 54 vendeve pjesëmarrëse në kualifikueset dhe kampionatin europian “Francë 2016”.

Partizani është skuadra që arkëton më tepër, rreth 129 mijë euro. Të ardhurat janë përfituar nga grumbullimet e portierit Alban Hoxha me Kombëtaren. Skënderbeu pozicionohet i dyti përsa i takon të ardhurave, me afro 120 mijë euro, të përfituara nga prania në skuadrën kuqezi e portierit Orges Shehi.

Shifra e përfituar nga Partizani dhe Skënderbeu përbën pjesën më të madhe të përfitimeve, sepse dy portierët, përveçse kanë qenë pjesë e ekipit të De Biasit në kualifikuese, ishin edhe të vetmit lojtarë të kampionatit shqiptar që morën pjesë edhe në finalet e “Euro 2016”.

Tirana përfitoi diçka më tepër se 46 mijë euro nga UEFA, prej grumbullimeve të ish-kapitenit Ervin Bulku, ish-mbrojtësit Debatik Curri, ish-portierit Stivi Frashëri, si dhe kapitenit aktual Erando Karabeci.

Skuadra e katërt shqiptare që siguroi fonde nga kampionati europian është Flamurtari. Vlonjatët, ndryshe nga 3 skuadrat e tjera, përfitojnë nga një lojtar i huaj që ka marrë pjesë me përfaqësuesen e tij në kualifikueset e Europianit. Bëhet fjalë për Nikoloz Gelashvili, që gjatë aktivizimit me “kuqezinjtë” e Vlorës ishte i angazhuar me përfaqësuesen e Gjeorgjisë në kualifikuese.

Në total, UEFA shpërndau 150 milionë euro, një shifër që u rrit me 50 milionë euro në krahasim me “Euro 2012”. 100 milionë euro u përfituan nga klubet që kishin lojtarë në fazën finale të turneut, ndërsa 50 milionë euro mes skuadrave, lojtarët e të cilëve ishin grumbulluar gjatë kualifikueseve.

Nga programi i pagesave të solidaritetit përfituan një numër rekord prej 641 klubesh europiane. Klubet angleze janë ato që kanë përfituar më tepër, duke ndarë plot 38.3 milionë euro të ardhura nga UEFA. Në vendin e dytë pozicionohet Gjermania, me rreth 18.5 milionë euro, e ndjekur nga Italia me afro 16 milionë. Vetëm në vendin e katërt Spanja, me 10.4 milionë euro përfitime për klubet, që ndiqet nga Franca me 7.2 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button