Gjeniu që vidhte lepuj

Sado që mund të duket e habitshmë, për jetën dhe disa vepra të Shekspirit dihet fort pak. Madje, ka edhe zëra që pohojnë se ai nuk ka ekzistuar fare, duke ia përshkruar veprat e tij F. Bekonit.

U lind në vitin 1564, në qytetin Stretford, në një familje të pasur. Si fëmijë ishte bjerrakohës, ëndërrimtar dhe shumë i dhënë pas shtegtimeve. Nuk dihet me saktësi çfarë shkollash ndoqi, por thuhet se në moshën 14 vjeçare e braktisi shkollën shkaku i rrënies ekonomike të familjes. Megjithatë, si i ri punoi pak si mësues fshati, më vonë në zyrën e një avokati dhe në shitoren e të jatit.

Gjatë festave të ndryshme, vendlindjen e tij e vizitonin trupat teatrore të Londrës, kështu që gjeniu i ardhshëm u njoh herët me teatrin, aktrimin dhe aktorët. Nuk ka dyshim se kjo gjë pati ndikim të drejtëpërdrejtë në krijimtarinë e mëvonshme, që ia përjetësoi emrin.

Në vitin 1582 u martua me Ana Gasvein, që ishte 8 vjet më e moshuar. Me të pati dy vajza dhe një djalë. Për shkak të skamjes u detyrua që të vjedhë kaproj dhe lepuj në pronën e një bashkëvendësi. Për këtë akt të shëmtuar mori kanosje serioze dhe u ndoq këmba-këmbës. Kjo duhet të jetë arsyeja e ikjes së tij në Londër, ku merret me punë të ndryshme, gjithmonë të lidhura me teatrin.

Shekspiri ishte edhe aktor i mirë, ndaj shpejt arriti në teatrin e parë londinez. Është kjo koha kur i shkruajti dramat e para dhe kur e akuzuan për vjedhje (plagjiaturë) të veprave të huaja. Por, për befasinë e shumëkujt, pas një kohe Shekspiri u bë i famshëm si dramaturg. Gjatë viteve kur i shkruajti veprat më të mira njihej si njeri i hareshëm, më pastaj e humbi disponimin. Atëbotë shkruajti shumë tragjedi dhe satira të mrekullueshme, me të cilat talli veset dhe fatet e njerëzve.

Nga fundi i shekullit XVI u kthye në vendlindje, ku kishte trashëguar pak pasuri të patundshme.

Shekspiri vdiq në vitin 1616 nga ndezja e mushkërive, i përthekuar nga një pesimizëm i theksuar. Madhështinë dhe gjenialitetin e tij, të afëremit dhe bashkëvendasit e kuptuan vetëm pas vdekjes.

Për ironi të fatit, sot Stretfordi është kthyer në muze shekspirian. Çdo  gjë në këtë qytet ta kujton Shekspirin: emrat e rrugëve, teatri i Shekspirit, Biblioteka e Shekspirit… Edhe kopshti pranë shtëpisë së tij është mbjellur me lulet dhe drunjtë që i përmenden në vepra. Madje, dhomat e hotelit të qytetit mbajnë emrat e tragjedive të famshme shekspiriane.

Mbi varrin e Shekspirit qëndron shkrimi, të cilin, siç thuhet, e ka shkruar vetë ai: Shok i mirë, kushdo qofsh, për hir të Krishtit, mos e trazo hirin e atij që pushon këtu. Qoftë i uruar ai që e ruan këtë pllakë, mallkuar qoftë ai që e shqetëson hirin tim!

Të tjerët mbi këtë pllakë shkruajtën:  Për nga mençuria Nestor, për nga gjenialiteti Sokrat, për nga arti Virgjil.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button