Presidenti Ivanov tregon se kujt do t’ia jep mandatin (VIDEO)

Do ta respektoj Kushtetutën e Maqedonisë dhe mandatin do t’ia jap vetëm partisë e cila do të garantojë që e ka shumicën në Parlament. Kështu tha presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në një paraqitje para gazetarëve pas takimeve të tij të sotme me partitë politike të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, pas takimeve të ndara me udhëheqësit e partive politike në vend, ku diskutuan mbi situatën aktuale të krijuar pas mosarritjes së formimit të qeverisë së re nga lideri i VMRO-DPMNE-së, bëri të ditur se qëllimi i takimeve ishte që t’i ndajë qëndrimet e tij dhe t’i dëgjojë qëndrimet e partive politike, siç tha ai, “jo vetëm për prioritetet dhe interesat shtetërore, por edhe për dalje nga kriza politike dhe institucionale që ka përfshirë vendin”.

“Mandatin për formimin e qeverisë së re do ta marrë partia politike ose koalicioni që do të më dëshmojë se ka siguruar shumicën në Kuvend. Me fjalë të tjera, së pari vërtetim dhe dëshmi për shumicën, më pas mandatin për formimin e qeverisë së re, në përputhje me Nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”, deklaroi presidenti Ivanov.

Presidenti Ivanov në vijim theksoi se Neni 90 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë thotë se, “Presidenti i Republikës së Maqedonisë është i obliguar në afat prej 10 ditësh nga përbërja e Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend”.

Ivanov përmendi edhe faktin se vendi tani më dy vite e gjysëm është i përfshirë në një krizë të thellë poltike, duke shtuar se, “U mbajtën edhe zgjedhjet e shumëpritura për të cilat shpresojmë se do të ndihmojnë të dalim nga kjo situatë. Mirëpo, në vend që të fillojë zgjidhja e krizës, e njëjta u thellua edhe më shumë”.

Në fund të fjalës presidenti Ivanov tha: “Gjatë kohës së konsultimeve u diskutuan të gjitha mundësitë në rast se askush nuk mund të sigurojë shumicën në Kuvend. Të gjitha opsionet mbeten të hapura”.

Ai porositi se ata që do të formojnë qeverinë e re, në programin e tyre së paku të kenë dy prioritete kryesore, të mbrojnë intereset shtetërore që do të thotë të mbrojnë karakterin unitar të shtetit, si dhe reforma sistematike pas krizës në të cilën do të përfshihen subjektet e sistemit për siguri kombëtare të Maqedonisë.

Kujtojmë se konsultimet e presidentit Ivanov me partitë parlamentare vijojnë pas takimeve që zhvilloi kreu i shtetit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nikolla Ivanovski të martën dhe më herët edhe me Euroambasadorin, Samuell Zhbogar.

Afati i paraparë ligjor për formimin e qeverisë skadoi më 29 janar, pasi paraprakisht Ivanov ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, respektivisht partisë e cila në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit fitoi më shumë deputetë.

19.24  Gruevski nuk komenton mbledhjen me Ivanov

Siç bënë të ditur nga A1on, ka përfunduar takimi ndërmjet kreut të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, përcjell Portalb.mk.

Pas takimit, Nikolla Gruevski nuk u prononcua se për çfarë u bisedua në takim.

Me këtë takim, përfundon edhe karavani i takimeve të presidentit Gjorge Ivanov me liderët e partive politike në Maqedoni.

18.52 Filloi takimi Ivanov- Gruevski

Ka filluar takimi ndërmjet kreut të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski  dhe presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

133550900

18.30 Zaev: Ivanov më tha të mbledh 61 deputetë më pas do ma jep mandatin

Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, pas takimit me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov në të cilin diskutuan për situatën aktuale politike të krijuar pas asaj që kryetari i VMRO-DPMNE-së nuk arriti të formojë qeverinë e re, deklaroi se “erdhëm që të marrin mandatin për të formuar qeverinë dhe na u tha se si parti e dytë sipas numrit të votave të fituara nuk mund të marrim mandatin për formimin e qeverisë së re”.

“Arsyeja ishte se ne duhet të dëshmojmë se kemi shumicën sipas Kushtetutës për formimin e qeverisë dhe ajo është më së paku 61 deputetë me nënshkrimin e tyre t’i paraqesim te kabineti i Gjorge Ivanovit, pas së cilës do të na jepet mandati për formimin e qeverisë së re”, deklaroi Zaev.

Zaev shtoi se sipas detajeve që kanë diskutuar në takim me presidentin Ivanov, partia e tij do të marrë vendimet se si do të veprojë në të ardhmen, por nuk tregoi se për çfarë detaje bëhet fjalë.

“Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja ka 49 deputetë. Ne ende nuk kemi disktuar për të siguruar shumicën dhe përpjekje për të formuar qeverinë. Ato çështje do të fillojnë nga e para”, deklaroi Zaev, duke shprehur bindje se ai do të arrijë të formojë shumicën në Kuvend.

Ai në vijim theksoi se Maqedonisë nuk i konvenojnë zgjedhje të reja, por nevojitet që sa më herët të mbyllen çështjet e hapura në vend dhe të fillohet procedura për formimin e qeverisë së re, që sa më shpejtë të fillojë të funksionojë.

16.15 Filloi takimi Ivanov- Zaev

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev bashkë me zëvendëskryetaren Radmilla Sheqerinska dhe sekretarin gjeneral, Oliver Spasovski kanë hyrë në takim më presidentin Gjorge Ivanov.

15.45 Përfundoi takimi i Ivanovit me Ahmetin.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh se me presidentin Ivanon u bisedua se si të arrihet një mazhorancë parlamentare, si dhe për gjendjen politike momentale në Maqedoni.

Ahmeti, poashtu tha se nuk është çelësi i Qeverisë së re dhe shprehu se të gjitha opcionet janë të hapura meqë ende nuk është sjellur vendim nga strukturat brendapartiake.

Në pyetjen se a e pranon Gjorge Ivanovin si kryetar, Ali Ahmeti u shpreh se në të kaluarën ka vepruar me zemër, kurse tash me tru.

14.35 Ka filluar takimi ndërmjet presidentit Gjorge Ivanov dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti

Ky është takimi i tretë i presidentit me partitë politike.

Pas këtij takimi, Ivanov pritet të takohet me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe atë të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski.

133550450

14.25 Sela nuk e komentoi takimin me Ivanov

Ka përfunduar takimi i kryetarit Ivanov me Selën. Sela nuk komenton se për çfarë u bisedua gjatë takimit.

13.30 Filloi takimi Ivanov- Sela

Filloi takimi i dytë i presidentit Gjorge Ivanov me liderin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela, përcjell Portalb.mk.

Ky është takimi i dytë i Ivanovit me partitë parlamentare që kur Gruevski njoftoi se nuk mund të formojë Qeveri.

133550213

13.20 Mbaroi takimi Ivanov – Kasami

Mbaroi takimi ndërmjet presidentit Gjorge Ivanov dhe kryetarit të “Besës” Bilall Kasami, përcjell Portalb.mk.

Nga partia “Besa” nuk duan të japin informata se për çfarë u bisedua gjatë takimit, por shkurt njoftuan se “topin” e ka Parlamenti dhe cili do të sigurojë mazhorancën parlamentare, ai do të formojë Qeverinë.

133549961

12.30 Ivanov filloi takimet me partitë

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov sot me takimin me përfaqësuesit e Lëvizjes “Besa”i filloi takimet e ndara me liderët e partive politike, në të cilat do të bisedohet për situatën aktuale politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button