LABIRINTI I PËRHERSHËM

Sot duket sikur gjendemi brenda një labirinti politik, pa e ditur ku gjendet dera dalëse. Ne me vite jemi brenda botës së ngatërruar, ku bëjmë kinse jetojmë, bëjmë kinse punojmë, bëjmë kinse gëzohemi, bëjmë kinse jemi të lirë.

Në këtë botë të trishtë, siç thotë Migjeni, kudo valëviten flamuj të një melankolie të trishtueshme dhe askush nuk mund të thotë se këtu jeton një popull që ndërton diçka të re.

Në këtë labirint jeton një popull që gëzon liri gaforreje, e cila ka pamje demoniake.

Robëri o gjendje pasive e shpirtit inferior.

Jetojmë, pra, në një botë ku flitet me gjuhë të drunjtë, me të cilën mezi formulohet më i thjeshti mendim.

Jetojmë në një botë ku sundon kiçi kulturor e politik.

Jetojmë në një botë ku sundon kotësia, njëtrajtshmëria, trivialiteti.

Jetojmë në një botë të mjegullt ku imponohen dhunshëm rregullat e serta të së kaluarës.

Vërtitemi me mote në këtë labirint pa mundur ose pa dashur ta gjejmë shtegun e harruar që na shpie drejt një bote të lirë.

Na ngritën mure të padukshëm, si te vjersha antologjike e Kavafisit. Brenda këtyre mureve jemi ne, të izoluar nga bota që vetëm themi se e synojmë.

Nuk duam që ta organizojmë kaosin brenda e jashtë nesh.

Jetojmë në një botë të trishtë ku udhëhiqemi nga inercia e një bote të shkuar.

Në këtë botë gjithmonë ka prej atyre që janë në gjendje të vrasin për kotësira.

Gjithmonë ka njerëz që e kujtojnë me mall kohën e robërisë paraprake.

Gjithmonë ka viktima që adhurojnë xhelatin.

Gjithmonë ka njerëz që rendin pas një prijësi mashtrues.

Gjithmonë ka veshë që duan t’i dëgjojnë të njëjtat refrene…

Bëjmë kinse duam ta ndryshojmë shoqërinë, por nuk duam ta ndryshojmë vetveten.

Besojmë verbërisht se bota jonë është e duhura dhe aty nuk pranojmë të hyjë asgjë e re.

Flasim në emër të së resë, por i përsëritim gabimet e së kaluarës.

Mendimet tona të thinjura i mbjellim artificialisht në mendjet e brezit të ri.

Brezi i ri ndjehet i braktisur, prandaj mendon për ikjen nga kjo botë e rënduar nga kotësia.

Bëjmë kinse ndërtojmë një botë të re, por ajo është botë e gënjeshtërt, botë pa ideale, botë pa rregulla ose më saktë me rregulla të serta, një botë pa identitet, pa asnjë sistem vlere.

Ne nuk e dëgjojmë klithjen e brezit të ri. Nuk na intereson çka do ky brez, por çka duam t’i japim atij. Por edhe brezi i ri është pa ndjenjë vetiniciative. Pret që e mira t’i vijë nga qielli. Nuk e imponon vizionin e vet.

Të rinjtë duan ta gjejnë vetveten në këtë botë në vend se ta krijojnë vetveten. Askush nuk del nga kjo botë vetëm duke kërkuar, por edhe duke krijuar, pra nëpërmjet shpirtit krijues, që i kundërvihet çdo inercie të së kaluarës. “Jeta nuk është kërkimi i vetvetes, por krijimi i vetvetes”, thotë George Bernard Shaw. Pa shpirtin krijues do të vazhdojmë të kërkojmë më kot një derë dalëse nga labirinti. Nga ky labirint i tmerrshëm dilet nëse veprojmë sipas thënies së Emersonit se “çdo mur është një portë”. Atë portë së pari duhet ta gjejmë në mendjen tonë. Kur do ta gjejmë një portë në secilin mur, atëherë do të dalim nga shkretëtira. Sipas një tregimi të Borges-it shkretëtira është labirinti më i koklavitur, ngase mungojnë pikat referuese dhe kudo mbizotëron e njëjta ngjyrë. Bota jonë i ka humbur pikat orientuese e referuese. Rendim vazhdimisht nëpër labirintin e ngatërruar, në ndërtimin e të cilit çdokush i ka meritat e veta…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button