Mbreti maroken në Samitin e Unionit Afrikan pas pauzës 33 vjeçare

Pas një pauze prej 33 vitesh, mbreti maroken Muhammed VI në emër të vendit të tij mori pjesë në Samitin e Unionit Afrikan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Përfundimisht u ktheva në shtëpi. Jam shumë i lumtur që ju shoh. Shumë më keni munguar”, tha mbreti maroken Muhammed VI, gjatë fjalimit në panelin përfundimtar të 28-të të Samitit të Unionit Afrikan në Adis Abeba.

Ai theksoi se Maroku është një nga vendet e kontinentit afrikan që shpejtë dhe në mënyrë stabile shënon rritje dhe falënderoi anëtaret e Unionit Afrikan duke marrë parasysh se Maroku sërish u pranua në Unionin pas më shumë se 30 vitesh.

Ndonëse Maroku një kohë të gjatë nuk ka qenë brenda Unionit Afrikan, mbreti porositi se gjatë tre dekadave të kaluara vendi i tij ka pasur marrëdhënie tejet të mira me shumë vende të kontinentit.

“Nuk jemi këtu që të ndajmë Unionin. Afrika është vendi im, kontinenti im. Maroku dëshiron të japë kontributin e tij në kontinentin afrikan. Dëshirojmë të forcojmë prodhimin bujqësor”, tha ai.

Në Samitin e Unionit Afrikan dje u vendos që Maroku sërish të bëhet anëtare e bashkësisë ndërshtetërore.

Ndryshe, Maroku në vitin 1984 mori vendim që të braktis Unionin Afrikan pasi në këtë organizatë u pranua Saharaja Perëndimore pas shpalljes së pavarësisë.

Krerët e Marokut në korrik të vitit të kaluar paralajmëruan se sërish do të anëtarësohen në Unionin Afrikan. Pas kyçjes së Marokut, Unioni Afrikan tani numëron gjithsej 55 anëtare.

Unioni Afrikan, është themeluar në vitin 2002, si trashëgimtare e Organizatës për Unitet Afrikan (OUA). Ai ishte modeluar sipas Bashkimit Evropian (BE), por struktura e tij më shumë kujton Lidhjen e Kombeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button