Drejt një shkence të angazhuar

Dija e sistematizuar është specifikë e shkencës, veçori kryesore e shoqërisë së dallgës së tretë, e shoqërisë pasindustriale, e shoqërisë së informacionit ose e cyber-shoqërisë. Shkenca është vegël që i ndihmon shumë njeriut, por ajo shpesh mbetet në rrafshin e teoretizimeve të thata dhe teksteve akademike. Shkencat sociale duke analizuar dhe shpjeguar individin dhe shoqërinë synojnë mjedisin social të shëndoshë si vendorisht ashtu edhe më gjerë. Në sërën e shkencave shoqërore sociologjia, e cila paraqet studimin sistematik të shoqërisë njerëzore, zë një vend shumë me peshë. Ajo është formë e vetëdijes, mënyrë e të menduarit, mënyrë e shikimit të shoqërores. Është disiplinë që njeriut i jep një perspektivë të mendimit, kuptimësimit dhe ndërtimit të shoqërisë, të një bote që vazhdimisht ndryshon, madje në çastin që e studiojmë.

Çdo disiçlinë ka degët dhe nëndegët e veta që shkojnë deri në filozofime e abstraksione të skajshme, por edhe syresh që janë konkrete dhe praktike. Edhe sociologjia nuk është përjashtim, madje kohëve të fundit gjithnjë e më tepër po kalon nga debatet elitare në fokusimin e gjërave nga përditshmëria sociale. Sociologjia publike, e quajtur ndryshe edhe e angazhuar, është një nëndegë e disiplinës së gjerë sociologjike që më tepër kuptohet si një stil i sociologjisë se sa si një metodë, teori e veçantë ose si një tërësi e vlerave politike. E njëjta është popullarizuar nga profesori i California-Berkeley-t, Michael Burawoy, gjegjësisht nga fjalimi që ai ka mbajtur më 2004 me rastin e zgjedhjes së tij për kryetar të Shoqatës Amerikane të Sociologjisë, kur shtroi dy pyetje “Sociologji, për kë?” (për cilën audiencë, akademike-tejakademike) dhe “Sociologji, për çka?” (për mjetet apo qëllimet, sociologji instrumentale apo refleksive).  Ai ka theksuar rëndësinë e angazhimit të audiencave më të gjera, joakademike, laike (për sociologji), hapjen e një dialogu të gjerë në të cilin të dyja palët do ta përthellojnë të kuptuarit e vet të çështjeve publike.

Thirrja për sociologji publike daton qysh nga Marksi i cili shënonte se botën përveç që duhet kuptuar duhet edhe ndryshuar, nga Durkheimi, sipas të cilit s’ia vlen të merresh me sociologji nëse e njëjta është thjesht spekulative. Siç dihet, edhe Weberi gjatë tërë jetës së vet është marrë me mision publik, ka mbrojtur pavarësinë e universitetit kundër ndërhyrjeve qeveritare, ka shkruar artikuj, ka mbajtur leksione të hapura, madje ka dizajnuar kushtetutën e re të Republikës së Vajmarit. Në ShBA kjo displinë ka lindur në shtratin e teologjisë reformiste, nga e cila i janë dashur dhjetvjeçarë për të shpëtuar.

Cila është lidhja e saj me pjesën tjetër të sociologjisë? Ajo është antinom i sociologjisë profesionale, e kësaj sociologjie të krijuar nga sociologët dhe për sociologët. Raporti mes sociologjisë profesionale dhe asaj publike është i ndërvarësisë antagoniste.

Sipas Rita Simon (1987) sociologjia publike nënkupton shprehjen përmes një gjuhe jo puro-sociologjike (not in ‘sociologese’), pra përdorimin e frazave të kuptueshme edhe për njerëzit pa diplomë apo çertifikatë sociologjike, pa karrierë akademike në këtë fushë. Ky lloj sociologjie përfshin në vete diskutim ose dialog mes sociologëve dhe publikut ose “bashkësive” me të cilat ata janë në ndërveprim. “Përmes sociologjisë publike sociologu dhe publiku punojnë së bashku për të identifikuar, përkufizuar dhe zgjidhur çështjet publike”. (Stout, 2011) Sociologjia publike zbatohet duke shërbyer vullnetarisht nëpër komitete publike, duke shkruar shkrime e kolumna nëpër gazeta, portale, duke marrë pjesë nëpër takime publike, duke iu ofruar studentëve mundësi për mësim përmes shërbimit komunitetit (service-learning) e të ngjashme.

Siç shprehet Herbert J. Gans sociologjia publike është jashtëzakonisht e rëndësishme ngaqë demonstron se sociologjia shton numrin e qasjeve dhe të gjetjeve të veçanta. Ajo e rrit peshën e sociologjisë duke e shtyrë atë t’i analizojë ngjarjet dhe çështjet aktuale, në fakt e bën sociologjinë më të dukshme. Sociologjia publike është mënyrë për t’i treguar opinionit të përgjithshëm se çfarë bëjmë. Ajo mund t’i motivojë studentët më të mirë, t’i rrisë fondet kërkimore, të tërheqë mbështetjen publike kur sociologjia sulmohet nga organizatat e shumta ideologjike dhe politike. Sociologjia publike e ka potencialin që sociologët t’i fusë në kategorinë e intelektualëvë publikë më të dukshëm, t’i bëjë ata pjesë të komunitetit, të përditshmërisë, të ngjarjeve dhe ndodhive, të cilat kërkojnë të kuptuar dhe shpjegim profesional por të zbritur në tabanin e qytetarit. Kjo disiplinë merret çështje kruciale si marketizimi i dallgës së tretë (third-wave marketization) që ka shkretuar tepër planetin tonë, terrorizmi, racizmi, imigracioni, papunësia, pabarazia etj. Çështjet e tilla ndikojnë sociologjinë dhe disiplinat e tjera që të bëjnë vetëshqyrtimin dhe të kërkojnë kuptimin e përpjekjeve tona. Sociologjia publike përbën një angazhim kritik bashkë me shoqërinë civile kundër tejzgjerimit të tregut dhe të shtetit. Ajo na detyron që  të reflektojmë mbi kuptimin e angazhimit tonë publik, mbi kufijtë e tij, mundësitë, sfidat e dhe rreziqet e këtij angazhimi. Ky lloj sociologjie ndërton një kulturë të diskursit kritik. Sociologët e kësaj sfere stigmatizohen si armiq të objektivitetit shkencor, të eshallonit më të ulët të sociologjisë që tërheq “armiqësinë” e “shenjtëve” më të vjetër të sociologjisë. Shkurt, sociologjia publike është një sociologji përtej asaj abstraktes, formales, të zakonshmes ose përtej interesimit opsesiv me teknika dhe numra. Ajo i drejtohet një audience tejakademike dhe ka qëllime shumë fisnike për hir të të cilave shkencëtari nganjëherë e vë në rrezik edhe jetën, sakrifikon sepse e thotë të vërtetën që apologjetëve të status quo-së dhe interesave të caktuara nuk iu pëlqen. Aparteidit jugafrikan nuk i ka pëlqyer sociologjia publike, as regjimit sovjetik, jugosllav, enverizmit dhe makinerive të tyre ideologjike. Për të pasur një shoqëri të vlerave të ndryshme, të relativizmit kulturor, të multikulturalizmit dhe antidogmatike duhet zhvilluar një sociologji e cila është e angazhuar. Shoqëria ka nevojë për një sociologji që s’është e sponsorizuar e as avokate, për një shkencë të preokupuar mirën kolektive, që nuk është vetëm “bukë” dhe lëndë polemikash për komunitetin e sociologëve, por vegël që gjeneron zgjidhje për probleme publike. Por në këtë drejtim, sipas Burawoy, një gjë duhet të kemi gjithnjë ndërmend: Sociologjia para se të bëhet publike, duhet që të jetë vërtetësisht profesionale. Neve, për fat të keq kemi sociologji shqiptare shumë pak të publicizuar, sociologë që “nuk turbullojnë ujë”, që rrijnë në bastionet e veta akademike dhe që prodhojnë përë avancim personal (akademik) e jo për benefite shoqërore. Ky kurs duhet të ndryshojë, nëse duam që gjendja jonë të ndryshojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button