Të punësuarit e “Jugohromit” nesër do ta bllokojnë rrugën Shkup-Tetovë

Nesër, nga ora 11 deri në ora 13:00, të punësuarit e “Jugohromit” do ta bllokojnë rrugën rajonale Shkup-Tetovë, te pika pagesore në Zhelinë, në të dy drejtimet, për shkak, siç thonë ata, ndalimit të paarsyeshëm të furrave të fabrikës, njofton Portalb.

Protestën do ta organizojë Organizata Sindikale “Jugohrom Alzar”, njoftojnë nga atje.

Përfaqësuesit e sindikatës dhe udhëheqësisë së Jugohromit më 16 janar u takuan me kryeministrin Emil Dimitriev nga i cili kërkuan ndihmë për fillimin e serishëm të punës së këtij kombinati, pasi që edhe kaloi ndalesa prej 90 ditëve i Inspektoratit të Ministrisë së Ekologjisë.

LEXO: Kryeministri Dimitriev u takua me sindikatën e Jugohromit

Pas takimit të punësuarit në Jugohrom kanë shprehur optimizëm që fabrika e tyre do të fillojë të punojë nga 1 shkurti.

Nga Qeveria nëpërmjet një njoftimi sqaruan se do të angazhon në zgjidhjen e këtij problemi, por duke mos shkelur ligjin.

Organizata qytetare “Eco Guerilla”, pas takimit doli me kumtesë duke rikujtuar se një nga vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë është mbrojtja dhe përparimi i mjedisit jetësor dhe i natyrës.

LEXO: “Eco Guerilla”: Qeveria të mos lejojë hapjen e “Jugohromit” pa vendosjen e plotë të filtrave (FOTO)

Sipas Kushtetutës,  secili njeri ka të drejtë për mjedis të shëndetshëm jetësor dhe secili (në radhë të parë Qeveria) e ka për detyrë ta përparojë dhe ta mbrojë mjedisin jetësor dhe natyrën. Më tej, Kushtetuta parasheh se shteti është i detyruar të sigurojë kushte për realizimin e të drejtës së qytetarëve për mjedis të shëndetshëm jetësor, transmeton Portalb.

Përndryshe, sipas një dokumenti të publikuar nga mediat në vend, nga Inspektorati i Ministrisë së Ekologjisë sqarohet se shkaku për mbylljen e “Jugohromit” është mosrespektimi i afatit dhe i njëjti do të mbyllet vetëm për 90 ditë.

Në vendimin e lëshuar nga ana e inspektoratit të ekologjisë thuhet: “Ndalohet kryerja e punës për subjektin “Jugohrom Alzar” nga Jegunovca, me adresë në Jegunovc të Komunës së Jegunovcës e cila udhëhiqet nga Vasko Skenderovski në një periudhë prej 90 ditësh për shkak të mos realizimit të punëve me planin operativë të A kategorisë që është paraparë me planin operativ ”.

Ministri i Ekologjisë Bashkim Ahmeti, më 1 nëntor të vitit të kaluar kur kumtoi lajmin për mbylljen e kombinatit tha se vendimi nuk ka të bëjë me periudhën parazgjedhore.
Inspektorati pranë ministrisë së ekologjisë më 1 nëntor vendosi për ndërprerjen e punës në “Jugohrom”, me arsyetimin se kombinati nuk ka vendosur filtrat. Por nga Jugohromi njoftuan se kanë bërë kërkesë për vazhdimin e afatit edhe për 18 muaj me arsyetimin se janë ballafaquar me pengesa burokratike për vendosjen e filtrave.

Prej kur është mbyllur fabrika, që cilësohen si një ndër ndotësit më të mëdhenj në rajonin e Pollogut, disa herë të punësuarit kanë protestuar me qëllim që fabrika t’i rindezë furrat, ndërkaq ata të kthehen në punë.

Me mbylljen e Kombinatit, pa punë kanë ngelur rreth 1.000 punëtor. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button