Edhe një Kalë Trojan

Sistemet penzionale, në formën në të cilën i njohim dhe i kemi inkuadruar në sistemet tona juridike dhe ekonomike funksionojnë në bazë të të ashtuquajturit “Princip të solidaritetit ndërgjeneracional”. Ky sistem u idejua nga kryeministri më i madh gjerman i shekullit XIX, Otto von Bismarck duke aplikuar efikasitetin tipik gjerman. Ideja e tij ishte që të krijonte një sistem për të mbrojtur qytetarët e moshës së thyer, atyre që nuk janë në gjendje të krijojnë të ardhura të rregullta me të cilat të mbijetojnë. Sistemi funksionon në mënyrë të tillë që krijohet fond monetar, pjesëmarrës të detyruar të të cilit janë të gjithë njerëzit aktivë dhe të punësuar, të cilët ndajnë një pjesë të rrogës së tyre bruto në formë të kontributeve shoqërore në këtë fond në mënyrë që prej mjeteve të mbledhura të paguhen pjesëtarët e moshës së tretë, që kanë nevojë për mbrojtje financiare nga shteti. 

Në këtë mënyrë ideja e Bismarck-ut arriti dy qëllime politike që mbronin Gjermaninë dhe qytetarët e saj: në rradhë të parë rriti mirëqenien dhe kënaqësinë e votuesve të tij dhe në rradhë të dytë zvogëloi barrën financiare mbi buxhetin e shtetit. 

Të njejtin sistem e kanë pranuar të gjitha shtetet evropjane dhe një pjesë e madhe e vendeve në mbarë botën. Të tillë e kemi adaptuar edhe ne në legjislacionin tonë, se nuk kemi si të veprojmë ndryshe. Ideja e fondit penzional është e përballueshme për një vend përderisa është e aplikueshme një matematikë shumë e thjeshtë: që për cdo person të penzionuar të ketë tre të tjerë që kontribojnë në mbushjen e këtij fondi. Secili raport I ndryshëm prej këtij krijon nevojën e patjetërsueshme për të bërë ndryshime në sistem. Për hir të së vërtetës asnjë shtet evropjan nuk e plotëson këtë parakusht. Momentalisht në Maqedoni ky raport është gati 1:1, domethënë për cdo penzioner është një i punësuar që kontribuon nga rroga e tij në fond. 
Kjo gjendje e bën të papërballueshëm funksionimin efikas të fondit.

Rrjedhimisht ndryshimet legjislative janë të vazhdueshme, kryesisht duke shtyrë moshën e penzionimit. Ndoshta një ditë do të jemi të detyruar që ta shtyjmë deri në nivelet e shteteve si Gjermania dhe Franca, që tashmë e kanë tejkaluar kufirin e 70-tave. Por problemi është shumë i tangueshëm nga aspekti tjetër. Barra në buxhet që krijon sistemi penzional i Maqedonisë përkthehet në subvencione që kapin vlerën e përgjithshme prej mbi  300 milion EUR në vit. Pra këto janë dotacione që buxheti I shtetit I bën fondit penzional në mënyrë direkte. Kjo paraqet rreth 12% të buxhetit të shtetit, apo rreth 50% të transfertave sociale të realizuara nga ky buxhet në vitin e kaluar. Në sy të parë, kjo mund të shihet si kali i Trojës për këtë vend – një problem të cilin vetë e kemi krijuar dhe i cili mund të kontribuojë në mënyrë të përshpejtuar në kolaps fiskal por edhe shoqëror.
Krijimi i sistemit të trefishtë penzional në bazë të reformës të para disa viteve nuk është se realizoi pritjet. Gjendja financiare e fondeve private penzionale është larg optimales, sepse mungon kontrolli real mbi sigurinë dhe risk-assesment të investimeve që këto fonde bëjnë për të krijuar të ardhura. 

Dy janë pikat në të cilat shteti duhet të koncentrohet për të siguruar të ardhmen e fondit penzional. E para është formalizimi i ekonomisë, dhe këtu roli i aparatusit shtetëror është i rejtpërsëdrejtë. Joformaliteti është një sëmundje recedive e ekonomisë sonë dhe e cila dëmton në mënyrë direkte jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe vetë mirëqenien e qytetarëve. Efektet e formalizimit ekonomik do të ishin pozitive si në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në shtet, ashtu edhe në vjeljen e të hyrave buxhetore. Me këtë në mënyrë direkte do të ulej barra fiskale e penzioneve. Joformaliteti është një problemi i cili nuk kërkon ndonjë intuitë idejore për t’u zgjidhur por efikasitet administrativ dhe legjislativ – pra zgjidhje ideale për një vend të zhveshur nga idetë progresive dhe inovative.

Pika e dytë është rritja e vazhdueshme dhe e qëndrueshme ekonomike. Rritje kjo e cila do të krijonte vende të reja pune dhe rritje të vjeljeve fiskale. Rritje të cilën do ta arrinim vetëm nëpërmjet krijimit të infrastrukturës zhvillimore për të vendosur themele të shëndosha të një zhvillimi të qëndrueshëm; por mbi të gjitha duke u ballafaquar me realitetin dhe duke u sëndërtuar. Në shkrimin tim të kaluar, paralajmërova që nëse kampanja aktuale elektorale nuk merret me problemet ekonomike, atëherë rreziku që i kanoset vendit nga kolapsi ekonomik duke filluar nga viti I ardhshëm është shumë real. Me një borxh publik I cili pritet që deri në fund të vitit të kap vlerën e 3 miljardë EUR dhe me paradispozita të ekonomisë për të hyrë në recesion të thellë, ky rrezik është akoma më real dhe I pritshëm. Në një situatë të tillë të kobshme, ndër grupet më të rrezikuara do të ishin penzionerët sepse shkurtimet do të fillonin prej aty. Sa për rikujtim, situatë të ngjashme përjetojnë penzionerët e vendeve si Greqia, Spanja dhe Portugalia; edhe ato ishin të detyruara që shkurtimet fiskale t’I nisnin prej kësaj grupmoshe me rekomandime të fuqishme të FMN-së. 

Për një vend në të cilin votat e penzionerëve janë kyçe për të vendosur kush të fitojë zgjedhjet, sepse janë numër i madh dhe mbi të gjitha besnikë të idesë së përmbushjes së detyrimit qytetar – votimit, përkujdesja për mirëqenien e tyre është shumë e rëndësishme nga aspekti politik. Qëndrueshmëria e sistemit penzional është cështje jetike ekonomike dhe sociale, për të gjithë ne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button