Pesë opsionet që i la populli BDI-së, rëndë e më rëndë

BDI-së si parti, e jo si grumbull funksionarësh, më tepër i konvenon shkuarja në opozitë duke mbështetur qeverinë LSDM-Aleanca-Besa. Kështu ajo plotëson vullnetin e popullit shqiptar, pa tradhëtuar partnerin e deritashëm.

Përderisa shkruhet ky tekst, BDI veçmë mund t’a kishte bërë publik qëndrimin e saj për qeverinë e ardhshme. Siç thonë vetë nga partia ata kanë patur pesë opsione, por këto opsione ja ka vënë populli në zgjedhje dhe nuk janë të saja, siç pretendon partia. Më konkretisht populli në zgjedhje i la asaj këto mundësi: qeveri me VMRO, qeveri me LSDM, qeveri të zgjeruar, mbetje në opozitë dhe zgjedhje të reja. Po ai popull do të sjellë verdikt të ri në zgjedhjet e ardhshme nëse sot BDI merr vendim të gabuar. Ndërkaq BDI-së i duhej kaq kohë për një vendim sepse në esencë asnjëri opsion për të nuk është i mirë. Politika e saj 15-vjeçare e ka sjellur në kënd të ngushtë ku secila zgjedhje paraqet një lloj rreziku të lartë për partinë. T’i shqyrtojmë një nga një.

Koalicion me VMRO-në. Vazhdimi i partneritetit me VMRO-në preferohet nga një pjesë e kryesisë së BDI-së. Argumenti i vetëm që jepet në favor të këtij koalicioni është respektimi i parimit fituesi-me-fituesin, por ky argument nuk mban për shumë arsye, e pikë së pari sepse BDI dhe VMRO nuk janë fituese të shumicës në kampet e veta. BDI ka marë vetëm rreth 35% të votave shqiptare, madje duke llogaritur në konto të saj edhe votat turke e torbeshe në vende si Plasnica. Ndërkaq VMRO ka fituar vetëm rreth 48% të votave maqedonase. Në kushte ku fituesit do të ishin të pastër, ky argument mbase mund të gëlltitej; në rrethanat e sotme e gjithë anëtarësia e BDI-së dhe pjesa tjetër e shqiptarëve kërkojnë që ajo t’a dërgojë VMRO-në në opozitë. Të njëjtën gjë presin faktorët relevantë ndërkombëtarë, me përjashtim të rusëve.

Pikërisht animoziteti i madh i shqiptarëve ndaj VMRO-së është sinjali më i qartë se koalicionimi me VMRO-në do të jetë vdekjeprurës për BDI-në. Nëse hyn në koalicion të këtillë ajo do të masakrohet në zgjedhje lokale dhe ka gjasa shpejtë të pësojë fatin e PPD-së e PDSH-së. I vetmi shkak pse koalicioni i këtillë përkrahet nga një pjesë e funksionarëve janë vazhdimi i tendero-partneritetit me VMRO-në dhe shpëtimi nga Prokuroria Speciale e një pjese të figurave të larta të BDI-së.

Koalicion me LSDM-në. Ky koalicion teknikisht është më i vështirë sepse LSDM me BDI nuk i kanë numrat për të formuar vetë qeveri. Por Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa janë shprehur të gatshme për të mbështetur këtë koalicion, që nuk është rast me koalicionin me VMRO-në. Qeverinë e këtillë e mbështesin edhe ndërkombëtarët nga Perëndimi dhe gjithsesi pjesa më e madhe e popullatës shqiptare e vetë anëtarësia e BDI-së. Për ta ky lloj koalicionimi duket si mënyra e vetme për të shembur regjimin e Gruevskit dhe për të rikthyer drejtësinë në vend.

Me këtë koalicion BDI nuk do të shpëtojë nga dështimi në zgjedhjet lokale, por të paktën do të mund të zbusë humbjen. Madje nëse koalicioni funksionon mirë, ajo mund të rikthejë një pjesë të rejtingut të humbur dhe kredibilitetit të lëkundur te shqiptarët. BDI-së pa mëdyshje i duhen reforma të thella dhe nuk do të shpëtojë vetëm me divorc nga VMRO-ja, por ky lloj koalicioni është një hap i parë i mirë në atë drejtim.

Logjikisht shtrohet pyetja pse BDI nuk hyri menjëherë në këtë kombinim nëse ai është më i dobishëm për partinë se partneriteti me VMRO-në. Përgjigja duhet kërkuar te krahu vmrovist i BDI-së, te ata njerëz që do të humbin shumëçka me mbetjen e partnerit të tyre të vërtetë në opozitë. Për ta parimi fituesi me fituesin shërben vetëm si paravan për të mbuluar arsyet e vërteta pse nuk duan të lëshojnë VMRO-në.

Koalicion i zgjeruar. Nëse BDI nuk ka guxim të futet vetë në koalicion me njërën apo tjetrën parti maqedonase, ekziston mundësia që privatisht të ketë propozuar koalicion të zgjeruar të të gjitha partive. Natyrisht kjo lloj qeverie nuk varet ekskluzivisht nga BDI-ja, sepse për këtë duhet të pajtohen edhe partitë tjera. Ndihmesë mund të vijë nga qarqe ndërkombëtare, pikë së pari BE-ja, të cilat mund t’a shohin këtë variant si rrugëdalje të vetme nga ngërçi politik.

Por ky variant nuk është i përshtatshëm për BDI-në dhe kjo mund të jetë arsyeja pse nuk e ka sforcuar publikisht. Nëse në qeveri hyjnë të gjitha partitë ndarja e posteve do të jetë proporcionale, e me këtë BDI-së i takojnë vetëm 2-3 ministri, poaq sa partive tjera shqiptare. Me këtë BDI humb adutin e saj kryesor: të qenit në pushtet gjatë zgjedhjeve. Nëse realizohet ky skenar nuk duket se ka njerëz që kanë votuar për parti tjera e që tani do të kthehen në BDI. Më e mundshme është e kundërta; që BDI të vazhdojë të “gjakosë” e të humbë votues.

Zgjedhje të reja. Në pamje të parë ky mund të duket varianti më i mirë për BDI-në. Madje ka mundësi që BDI të aktrojë gjoja konfrontime me VMRO e LSDM, me qëllim që të paraqitet si subjekt që nuk lëshon pe kur janë në pyetje interesat shqiptare dhe i tillë që nuk hyn në qeveri me çdo kusht. Me këtë BDI mund të tentojë të rrisë rejtingun për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbaheshin paralelisht me ato lokale.

Personalisht mendoj se as në këtë variant BDI nuk do të kalonte mirë te elektorati shqiptar. Do mbahej mend se BDI pati rastin të rrëzojë VMRO-në, prioritet numër një i votuesve shqiptarë, por nuk e bëri kur ju ofrua mundësia. Sidoqoftë vetë BDI-së ky mund t’i duket opsion më i mirë dhe më pak i dhimbshëm për momentin.

Shkuarja në opozitë. Përskaj partneritetit tetëvjeçar me VMRO-në, problem thelbësor i BDI-së duket të jetë lodhja e elektoratit me fytyrat e njëjta 15 vitet e kaluara. Asgjë nuk është më e dobishme për BDI-në se një rifreskim i vërtetë, rrënjësor, por jo sa për sy e faqe siç tentoi të bëjë me ministrat e rinj. E reformat e këtilla bëhen më së miri në opozitë.

Prandaj paradoksalisht variant më i mirë i BDI-së duket të jetë shkuarja e qëllimshme në opozitë, me kusht që të votonte fillimisht qeverinë LSDM-Aleanca-Besa. Në këtë mënyrë ajo do të bënte hapin që kërkon për momentin elektorati shqiptar, pa tradhëtuar partnerin e deritashëm qeveritar. Flijimi i këtillë padyshim do të ndihmonte në rritjen e rejtingut, ndërsa me mbetjen në opozitë ajo mund të fillojë reformat e mirëfillta, në kohë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse jo edhe ato lokale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button