Desorosoizimi, degjynelizimi dhe format e ngjashme të ekzorcizmit

Mënyra në të cilën i perceptojmë (“i shohim” dhe i paramendojmë) gjërat, në masë të madhe e përcakton sjelljen tonë. Mediet kontrollojnë se çka do të shohë publiku duke e dimensionuar fuqinë e stimulit, gjegjësisht e fokusojnë vëmendjen në një pjesë të asaj për të cilën informohet, me çka e kufizojnë edhe vëllimin edhe cilësinë e perceptimit. Në qoftë se në informatë stërmadhohet një pjesë e fotografisë, shumë lehtë mund të humbet konteksti dhe krejtësisht gabimisht të interpretohet ajo që e shohim dhe në përputhje me këtë të veprojmë, gjegjësisht të sillemi.

Shkruan: Prof. dr. Mirjana Najçevska, еskperte për të drejtat e njeriut

Njëra nga mënyrat më të thjeshta për fokusimin e perceptimit të publikut në një pjesë të fotografisë dhe pamundësimin e publikut që t’i shohë të gjitha parametrat e një ndodhi (veçanërisht kur bëhet fjalë për situata në të cilat shkelen ligjet dhe cenohen të drejtat e njerëzve) është përdorimi i një ose dy fjalëve me të cilat mbulohet një situatë shumë më e ndërlikuar.

I tillë është shembulli me përdorimin aktual të fjalës “SOROS” nga ana e medieve. Në shikim të parë bëhet fjalë për informim për aktivitetet e një njeriu, Xhorxh Sorosit (dhe grupeve të njerëzve që janë të financuar nga Xhorxh Sorosi), mirëpo në qoftë se shihet lepeza e gjërë e përdorimit të kësaj fjale në informimin e medieve, faktikisht bëhet e qartë se me këtë fjalë bëhet fokusimi i perceptimit të publikut në një pikë me qëllim të defokusimit nga ajo që është me të vërtetë e rëndësishme: një shkelje e madhe e të drejtës themelore për dhënie dhe pranim të informatave, të të menduarit dhe të shprehurit.

Gjithçka filloi me fjalimin e liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe me intervistën e tij për medien propaganduese “Republika” (Gruevski për “Republika”: VMRO-DPMNE-ja do ta mbijetojë edhe Sorosin edhe shërbëtorët dhe mercenarët e tij të jashtëm dhe të brendshëm)

“Dhe a është i vetëdijshëm (Sorosi, v.j.) se me paratë e tij shkatërron një numër shumë të madh të gjeneratave të reja, të cilët janë mashtruar me paratë e tij, janë vënë nën komandën, indoktrimin dhe ndikimin e këtyre psikopatëve nga komunizmi?

A demokraci të këtillë dëshiron Sorosi të na mbjellë në Maqedoni? Prandaj them, nëse Sorosi konsideron se është duke bërë mirë në Maqedoni, me siguri është në lajthitje të madhe.

VMRO-DPMNE-ja do ta mbijetojë edhe Sorosin edhe shërbëtorët dhe mercenarët e tij të jashtëm dhe të brendshëm”.

Perceptimi që e imponon intervista është se Gruevski dhe pasuesit e tij i kundërvihen një lloj veprimi të paligjshëm të një strukture të huaj, e cila në Maqedoni ka institucione të veta që kanë forma të ndryshme, detyra e të cilave është ta shkatërrojnë VMRO-DPMNE-në.

Gjithmonë kur VMRO-DPMNE-ja është në pushtet, institucionet e tij janë kundër VMRO-DPMNE-së. Dhe gjithmonë kur LSDM-ja është në pushtet, përsëri institucionet e tij janë kundër VMRO-DPMNE-së, si parti politike e qendrës, djathtiste dhe konservative. Nuk ekziston një punë që e ka bërë VMRO-DPMNE-ja gjatë këtyre 25 viteve, e për të cilën një institucion i tij, sikurse instituti Shoqëri e hapur, ndonjë OJQ e financuar prej tij, ndonjë medie apo e ngjashme, të ketë thënë se është e mirë. Dhe e kundërta, nuk ka asnjë hap të LSDM-së që e kanë dënuar”.

Reagimi i madh mediatik që pasoi pas këtyre paraqitjeve, orientohet ose kah transmetimi i qëndrimit të Gruevskit (dhe mbështetja e këtij qëndrimi) ose kah kontestimi i qëndrimit dhe tentimi që Xhorxh Sorosi dhe veprimi i tij në Maqedoni të paraqitet si pozitiv.

Me këtë mënyrë të informimit mediatik, publiku, në fakt, në tërësi e humb fotografinë për atë që ndodh realisht, e ajo është sulm mbi dy të drejta themelore të njeriut: e drejta e bashkimit dhe liria e të shprehurit (sulm mbi shoqatat e qytetarëve, kërkesë për kufizimin e veprimit të shoqatave të qytetarëve, kërkesë për ndalesë të veprimit të shoqatave të qytetarëve, kërkesë për ndalesë të shprehjes së mendimit, për shpërndarje të informatave dhe për marrje të informatave).

Është jashtëzakonisht i vogël numri i medieve që përpiqen ta zgjerojnë perceptimin e publikut për atë që ndodh dhe prapa sulmit ndaj Xhorxh Sorosit ta prezantojnë sulmin ndaj shoqatave të qytetarëve dhe lirisë së mendimit dhe të të shprehurit. Bile edhe ato medie sulmin e minimizojnë në sulm ndaj shoqatave të qytetarëve që janë të financuara nga Fondacioni “Shoqëri e hapur”.

Nikolla Poposki në sulm kundër medieve dhe organizatave qytetare

“VMRO-DPMNE-ja sot nëpërmjet një komunikate dhe nëpërmjet intervistës së ministrit për punë të jashtme, Nikolla Poposki, përsëri me kërcënime ndaj medieve dhe organizatave joqeveritare që janë të financuara nga Fondacioni Shoqëri e hapur”.

Bile edhe atëherë kur mediet transmetojnë qëndrime ose deklarata, të cilat në mënyrë të padyshimtë ofrojnë një perceptim krejtësisht ndryshe, ato nuk e problematizojnë mjegullimin që është bërë paraprakisht në hapësirën mediatike.

Vajgël: Dënim për sulmet ndaj shoqërisë qytetare

“Parlamenti Evropian nëpërmjet Vajgëlit ua ofron gjithë mbështetjen organizatave qytetare që “luajnë rol kyç në respektimin e normave demokratike”.

“Ne i dënojmë fuqishëm sulmet e paradokohshme kundër aktivistëve të shoqërisë qytetare dhe kërkojmë nga autoritetet që të kujdesen për shtetin juridik dhe t’i nxjerrin para drejtësisë të gjithë autorët e këtyre sulmeve”, thotë Vajgël”.

 

OJQ-të bëjnë thirrje që VMRO-ja të mos i keqpërdorë institucionet shtetërore në “luftën” kundër Sorosit

“Sektori civil konsideron se VMRO DPMNE-ja po i keqpërdor institucionet shtetërore në “luftën” kundër Sorosit. OJQ-të vlerësojnë se Gruevski po përpiqet që nëpërmjet “desorosoizimit” të krijojë një realitet të rrejshëm para qytetarëve dhe anëtarëve të partisë së tij”.

Ajo që mungoi në media ishte analiza e fushatës së gjithëmbarshme që zhvillohet nën emrin punues SOROS nga aspekti i shoqatave të qytetarëve. Një analizë, jo edhe aq e thellë, do të duhej të ofronte një perspektivë më të gjerë të porosive që u dhanë nga ana e funksionarëve të lartë të DPMNE-së, e të cilat nën termin SOROS, në fakt, fusin shoqatat të qytetarëve të cilat kërkojnë llogaridhënie nga pushteti, e kritikojnë atë, parashtrojnë pyetje, kërkojnë të marrin pjesë dhe përgjegjësi.

Për shembull, nëse fjalën SOROS e zëvendësojmë me fjalët “shoqata të qytetarëve”, titujt e medieve do të dukeshin kështu:

  • Poposki: Përzierja e SHOQATAVE QYTETARE është e papranueshme
  • VMRO-DPMNE-ja dhe Poposki për SHOQATAT QYTETARE dhe për destabilizimin e vendit
  • VMRO-DPMNE-ja: LSDM-ja dhe SHOQATAT QYTETARE janë varrues të gazetarisë së pavarur dhe të sektorit qytetar
  • VMRO-DPMNE-ja: LSDM-ja dhe SHOQATAT QYTETARE janë turp dhe fatkeqësi elementare për Maqedoninë
  • VMRO-DPMNE-ja:Populli vendosi, fillon procesi i heshtjes së SHOQATAVE QYTETARE
  • SHOQATA QYTETARE – VRASËS I DEMOKRACISË

Меdiet nuk u interesuan për përmasat e “desorosoizimit” të shpallur, gjegjësisht përmasave të kufizimit të punës së shoqatave të qytetarëve. A i përfshin ajo shoqatat që kanë marrë grante nga Fondacioni “Shoqëri e hapur” – Маqedoni ose të gjitha shoqatat që kanë qëndrim kritik ndaj pushtetit aktual dhe ndaj VMRO-DPMNE-së si parti politike në pushtet gjatë 10 viteve të kaluara.

Меdiet nuk parashtruan pyetje se a bëhet fjalë shoqata të qytetarëve që e kanë shkelur Ligjin për shoqata dhe fondacione dhe nëse ka pasur shkelje të tillë, pse nuk zbatohen dispozitat e këtij ligji:

Neni 65

Ndalohet puna e organizatës nëse:

– veprimi i saj është i drejtuar në rrëzimin e dhunshëm të rendit
kushtetues të Republikës së Maqedonisë,

– nxitjen dhe thirrjen në agresion ushtarak dhe nxitjen e mosdurimit ose urrejtjes nacionale, racore ose fetare,

– aktivitete të lidhura me terrorizmin,

– ndërmerr aktivitete të cilët janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe

– cenohen liritë dhe të drejtat e personave të tjerë.

Меdiet nuk u interesuan se në aktin për “desorosoizim”, gjegjësisht kufizim të punës së shoqatave të qytetarëve, për të cilin bëhet thirrje nga udhëheqësia më e lartë partiake, por edhe shtetërore, a do të zbatohet Ligji për shoqata dhe fondacione, apo bëhet thirrje për aktivitete jashtëligjore, gjegjësisht kundërligjore.

Теrminologjia që përdoret për transmetimin e informatave ka rëndësi të madhe për mënyrën se si publiku i percepton gjërat, ku e orienton vëmendjen, gjegjësisht çka është në qendër të vëmendjes, e çka mbetet jashtë interesimit. Termet e zgjedhura në mënyrë adekuate mund t’i sqarojnë gjërat, mirëpo munden edhe t’i mjegullojnë ato. Njëra nga detyrat e medieve është të mos lejojë mbjellje të mjegullës terminologjike që e deformon perceptimin e publikut, e cila bëhet burim i paragjykimeve dhe i gjuhës së urrejtjes, dhe/ose promovon veprim kundërligjor.

“Gjahu i shtrigave” apo thirrja për linç, të quajtura ato desorosoizim apo degjylenizim, me shekuj kanë qenë problem për sistemet juridike për shkak të gjoja “mëkatit të drejtë” të masave. Мirëpo, që nga gjysma e dytë e shekullit 20, sistemet e civilizuara juridike janë marrë vesh se fare nuk bëhet fjalë për mëkat të drejtë, por për keqpërdorim të psikologjisë së masave në funksion të shkeljes evidente brutale të drejtësisë.

 


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button