Posti i kryeparlamentarit shqiptar: shqiptarët realisht nuk fitojnë asgjë!

Pozicioni i kryeparlamentarit nuk duhet të vihet në pazar me çështjet tjera vitale për shqiptarët e Maqedonisë. Shqiptarët edhe kur kanë qenë në poste të larta janë diskriminuar nga shteti. Pozita e tij mund të fuqizojë një individ në pozitë megjithatë nuk premton realizim konkret të kërkesave shqiptare të kahmotshme. Edhe sipas rregullores së Parlamentit, ku caktohen detyrimet e tij, mund të shihet se sa e ka diapazonin dhe fuqinë e veprimeve një kryeparlamentar.
Janë këto komente të ish politikanëve me përvojë pas informacioneve se kryeparlamentari i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë do të jetë shqiptar, shkruan Portalb.mk.

Negociatat për Qeverinë e re të Maqedonisë duhet të theksohen në nevojat më vitale të shqiptarëve, në pikat kyçe të Platformës së Përbashkët të partive shqiptare, ndryshim të Kushtetutës.

Ish deputeti, Hisni Shaqiri vlerëson se këto janë lojëra të njerëzve që nuk kanë mëshirë për fatin e kësaj popullate, që është e vuajtur dhe jeton në rrethana të vështira.

“Çështja shqiptare në Maqedoni ndryshon vetëm më ndryshimin e statusit juridiko- kushtetues. Çdo gjë tjetër bëhet për të mbijetuar në këtë krizë politike. Edhe në ish Jugosllavinë shqiptarët kanë pasur poste të larta, por të njëjtës ia kanë parë sherin- nuk kanë pasur të drejta dhe janë trajtuar si popuj i huaj. Kryeparlamentari shqiptar në Maqedoni mundet të jetë vetëm një figurë në funksion të ligjeve, në funksion të Kushtetutës- ku ne jemi të diskriminuar”, deklaroi për Portalb.mk  Shaqiri.

Ismet Ramadani ish deputet, mendon se janë pjekur kushtet që kjo realisht të ndodhë por shqiptarët në vend nuk fitojnë shumë nga ajo që e kërkojnë.

“Kuptohet se pozita e kryetarit të parlamentit asnjëherë nuk duhet të vihet në pazar me çështje konkrete që avancojnë pozicionin e shqiptarëve, kur janë në pyetje gjuha shqipe, përfaqësimi adekuat, …etj. Por, kryetari i parlamentit pas kryetarit të shtetit është funksioni më i lartë i Kushtetutës dhe ajo që është shumë me rëndësi shqiptarët vetëm në dimenzionin ndërkombëtar fitojnë.”, deklaroi për Portalb.mk Ramadani. Ai kujton se rritet pesha politike karshi politikës ndërkombëtare.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Maqedonisë këto janë gjërat që mund të bëjë kryeparlamentari:

  • Seancat e Kuvendit i thërret Kryetari i Kuvendit.
  • Kryetari i Kuvendit e përfaqëson Kuvendin, kujdeset për zbatimin e Rregullores së punës të Kuvendit dhe ushtron punë të tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e punës së Kuvendit.
  • Kryetari i Kuvendit i shpall zgjedhjet për deputetë dhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
  • Dekretin për shpalljen e ligjeve e nënshkruajnë Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit.
  • Kuvendi themelon Këshill për marrëdhënie ndëretnike. Këshillin e përbëjnë: Kryetari i Kuvendit dhe nga dy anëtarë maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, romë dhe dy anëtarë nga kombësi të tjera në Maqedoni. Kryetari i Kuvendit është edhe kryetar i Këshillit.
  • Në rast të vdekjes, dorëheqjes, pamundësisë së përhershme që ta ushtrojë funksionin ose pushimit të mandatit sipas fuqisë së Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, funksionin e Presidentit të Republikës e ushtron Kryetari i Kuvendit.
  • Këshillin për Siguri të Republikës e përbëjnë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Qeverisë, ministrat të cilët udhëheqin me organet e administratës shtetërore në fushat e sigurisë, mbrojtjes dhe të punëve të jashtme dhe tre anëtarë të cilët i emëron Presidenti i Republikës.
    Këshilli shqyrton çështje lidhur me sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës dhe i jep propozime Kuvendit dhe Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button