Trampi dhe trapat shqiptarë

I pëlqeu a s’i pëlqeu dikujt, SHBA është superfuqia aktuale e botës, pa përkrahjen e së cilës nuk do të ishim kështu si jemi. Ndoshta nuk do ta kishim as gjysëmshtetin shqiptar të Londrës, sepse qe pikërisht Amerika ajo që nguli këmbë për themelimin e tij, në një moment historik kur fuqitë tjera (hiq Austrinë) deshën ta fshijnë nga harta e botës. Kjo është arsyeja përse populli shqiptar është mirënjohës ndaj Amerikës dhe shpreson që edhe në të ardhmen të ruajë miqësinë dhe imazhin e krijuar me shumë mund nga breza të tërë shqiptaro-amerikanësh, ndër të cilët bëjnë pjesë edhe emra të shquar të botës së artit, shkencës dhe politikës…, si: Fan Noli, Faik Konica, Sami Repishti, Arshi Pipa, Eliza Dushku, Fadil Berisha, Ferid Murati e shumë të tjerë.

Mjerisht, këtë nuk e kanë të qartë ca mendje të klasës së katërt, të cilët, fill pas luftës së Kosovës dhe jo vetëm…, nisën rrënimin e miqësisë në fjalë, duke mos u vajtur fare mendja se, të këtillë siç na ka falur Zoti – të varfër dhe të paaftë për të mbrojtur vatanin pa ndihmën e një miku të fortë, të mbështetur vetëm në disa mijëra shqiptarë, që ishin dhe janë të gatshëm për çdo saktrificë, mund të shijojmë sërish historitë e lemerishme të së shkuarës.

Më e keqja është kur në vijë të njëjtë me trapat prej të cilëve nuk është imune asnjë etni, rreshtohen dhe politikanë me detyra kryeminstrash, të cilët me gafat e tyre emblematike rrënojnë urat e ngritura të miqësisë shqiptaro-amerikane.

Çfarë iu desh, fjala vjen, kryeministrit aktual të Republikës së Shqipërisë, që në vlugun e kampanjës zgjedhore për presidentin e SHBA, të bëjë portretin moral të kandidatit republikan, madje të deklarojë edhe në CNN se Donald Tramp qenka i rrezikshëm për Amerikën…, në një kohë kur prijës shtetesh gjigante si Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Kina, Rusia… preferuan mos t’i fusin hundët aty ku nuk e kanë vendin, sado që janë shumë më të pavarur nga politika amerikane se Shqipëria jonë dhe sado që mund të kishin shumë më tepër informacione për Trampin se Rama ynë. E pati kryeministri shqiptar hallin t’u shesë mend amerikanëve se cilin duhet të zgjedhin për president, në një kohë kur imazhi i Shqipërisë është bërë Kolumbi, kurse ai i kastës së kriminalizuar politike Pablo Eskobar? A nuk e dinte ai se me gafën fyese ndaj një presidenti amerikan mund të dëmtojë keq shqiptarët në momentin kur përreth kufijve të Kosovës janë instaluar bazat ushtarake të Rusisë së disponuar për Krime të reja, apo u desh ta mësojë këtë nga gazetari i CNN-it: Kujdes! Etika diplomatike nuk i lejon udhëheqësit e huaj të flasin për zgjedhjet e vendeve të tjera…

Po kaq e budallaftë, prepotente dhe e kushtueshme qe dhe ai truku fshataresk i ish kryeministrit të Kosovës (tani kryetar i saj) Hashim Thaçit, kur në bisedë me shefin gangster të grupit parlamentar te partisë së tij tha: Hajt se do luj koqe me amerikanët…

Tani, kur veçanërisht Kosova gjendet përpara situatave shpërthyese, mbase e ndjejmë më mirë nevojën e krahut të një miku të fortë si Amerika, të ndërtuar me dekada nga shumë gjenerata shqiptarësh që jetojnë në SHBA dhe të stërkequr për disa vjet nga trapat mosmirënjohës ndaj asaj që bëri Amerika për Kosovën dhe jo vetëm. Këtë e dinë mirë ata që e shohin si i ruajnë miqësitë kombet që nuk krenohen me beteja që t’kurrin atdheun…, ata të cilët mjeku tetovar Liridon Disha i pyet me të drejtë:

Çfarë do të bëni nëse Serbia sulmon Kosovën?

  1. a) do të ikni në Maqedoni?
    b) do të ikni në Shqipëri?
    c) do të ikni në Stamboll?
    ç) do të ikni në Europë?
    d) do të ikni ne USA?
    dh) do të ikni në Australi?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. E verteta eshte se Tramp ka ca probleme. A edhe Amerika qe e beri kryetar ate. Sa na perket ne – nje anekdote: njeri qe humb ne nje zone te thelle, shpetohet nga nja familje te cilet gjithe jetesen e kane nga nje lope. Dhe ai po mendonte si ta shperbleje kete familje. Nje njeri i mencur i tha – nese do t’i ndihmosh, vrite lopen. Edhepse ngurroi, e degjoi njeriun e njohur per mencuri dhe ua vrau lopen. Pas ca kohes shkon per vizite dhe sheh qe familja ka zhvilluar ka te mbjella, pula, dhen … Ndoshta edhe ne po te mos kemi “lopen”, do te angazhohemi me teper e do te jemi (e kemi) me pak trapa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button