Rusia e Putinit: Përpjekjet për ripërtëritjen e një Perandorie në dyert lindore të UE-së

Në një takim të OSBE-së, tendenca ruse për të rikthyer nën sferën e plotë të ndikimit një serë vendesh të ish Bashkimit Sovjetik por edhe më gjerë, u quajt atëherë nga sekretarja e shtetit Hillary Klinton, një përpjekje për “risovjetizim” të rajonit. Të trashëguarit e një kombinimi të fuqisë dhe dobësisë që la shteti i dikurshëm sovjetik, tani e bëjnë Rusinë e sotme edhe më komplekse se që ishte pas përfundimit të luftës së ftohtë. Rusia ka trashëguar të gjitha elementet që më parë sollën tek kolapsi sovjetik, përfshirë edhe vet kolapsin, por pa harruar që ka trashëguar edhe pozitën e fuqisë së dytë nukleare në botë. Pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putin, tendencat për të treguar fuqinë e dikurshme janë rritur dhe krahas me të edhe aspiratat për mbretëruar segmente të caktuara të politikës ndërkombëtare. 

Rusia me agresionin e hapur ushtarak në Gjeorgji, tregoi tendencat e sajë por edhe mati pulsin e gatishmërisë së botës perëndimore për të intervenuar në sferën e paracaktuar nga Rusia si sferë e saj e influencës. Brenda vetë Rusisë është duke u zhvilluar dhe po merr formën një nacionalizëm agresiv i cili gati në mënyrë të paparashikueshme mund të shpërthej konflikte ndëretnike posaçërisht në subjektet federale ku njëkohësisht por zgjohen edhe vetëdijet për identitet të komuniteteve etno-kulturore autoktone.

Rusia ka veç tjerash edhe një përbërje asimetrike federale, e cila mund të shpërthej me gjithë specifikat e saj, sa herë që pushteti qendror dobësohet. Zhvillimet në Çeçeni pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putin dhe mposhtja e Independentistëve pas vitit 1999, i ngjajnë një fitoreje të Piros, ku Moska tregoi se është në gjendje që në raste të tilla të vë pushtetin e saj vetëm pas vrasjeve dhe shkatërrimeve masive me përmasa katastrofale, njëkohësisht duke e humbur besimin tek jo-rusët se Rusia është atdhe i tyre i sinqertë. Me shembullin e brutalitetit në Çeçeni, Moska i bërë me dije zonave tjera autonome se si do të trajtohen lëvizje të ngjashme potenciale që cenojnë tërësinë territoriale të Federatës Ruse.

Gjithsesi, kjo flet mbi kursin e ashpër të Kremlinit jo pak të shkaktuar edhe nga kompleksi rus i të dobëtit të fillimit të viteve të 90-ta. Vladimir Putin dallohet për shumëçka nga paraardhësi i tij politk Boris Jelcin. Dora e fortë nga Moska riktheu respektin e detyrueshëm dhe frikën tek të gjithë “armiqtë” e brendshëm, përfshirë këtu opozitën politike gati të papërfillshme, ashtu edhe tek ithtarët e aspiratave etnike për më shumë pavarësi nga qendra. Njëkohësisht, politika e re ruse, zgjodhi që veç tjerash si mjet për ngjalljen e lojalitetit të sforcuar, të përdorë edhe nacionalizmin rus të inkurajuar nga shteti, që në të njëjtën kohë ka ngjallur edhe dhunë me motive racore nëpër rrugët e shumë qyteteve të Rusisë, ku kaukazianët dhe pjesëtarët e popujve siberik  sulmohen nga grupe të dhunshme.

Në rrafshin e politikës së jashtme, Federata Ruse ka sponsorizuar krijimin e disa  organizatave multilaterale që përfshijnë disa prej ish-republikave sovjetike. Në të njëjtën kohë ekzistojnë por edhe interferojnë njëra tjetrën: “Bashkimi i shteteve të pavarura”; “Bashkimi ekonomik euro-aziatik”; apo edhe “Bashkimi i Rusisë dhe Bjellorusisë”. 

Në planin ushtarak vazhdon të ekzistojë “Organizata e traktatit mbi Sigurinë kolektive”, të cilës i janë bashkëngjitur Armenia, Ukraina, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Më vonë u bashkuan edhe Azerbajxhani dhe Gjeorgjia. Deri tani nga kjo aleancë ushtarake janë tërhequr në vitin 1999 Azerbajxhani dhe Gjeorgjia për shkak të aspiratës së sajë që të bëhet anëtare e NATO-s, dhe Uzbekistani në vitin 2012. Nga kjo “NATO Ruse” në vitin 2010, gjatë kohës kur në Ukrainë ende kishte pushtetin presidenti properëndimorë Jushqenko, Ukraina u tërhoq për shkak të ndryshimit të kursit politik që synonte anëtarësimin ne NATO. Administrata ruse, duke qenë se ka gjetur gati krejtësisht të lirë terrenin nëpër gati gjithë Azinë qendrore ish-sovjetike, nuk ka nguruar që edhe haptazi të interferojë në çështjet e shteteve. Taxhikistani është shembulli më eklatant. Në këtë të fundit prezenca e ushtrisë ruse me 25 mijë trupa të dislokuara gati krejtësisht ka vë nën hije vetë ushtrinë e vendit.

Me praninë e saj në vendimmarrjet brenda qeverive shtetërore, Moska dikton krejtësisht politikat e deri tek caktimi i pushtetëmbajtësëve, kudo në ish republikat sovjetike, përjashtuar ato baltike. Gjeorgjia u ballafaqua edhe ushtarakisht me trupat ruse. Vetë konflikti i vitit 2007 i cili u shkaktua fillimisht për shkak të Osetisë Jugore, duhet të shërbejë si një leksion për perëndimin dhe si një skenarë fare lehtë i përsëritshëm, atëbotë “perëndimi” reagoi vakët dhe vetëm politikisht si dhe vetëm atëherë pasi trupat ruse u drejtuan drejt kryeqytetit gjeorgjian Tbilisi. Tani ndodhi Krimea, mund të ndodh edhe Donjecku ose Odesa, sidoqoftë askush në perëndim nuk ka përgjigje të duhur, apo në variantin shpresëdhënës më optimistët mund të shpresojnë se diku fare në fund ka një plan për mobilizimin e perëndimit në mbrojte të vlerave euroatlantike. 

Lajme të ngjashme

Back to top button