Qeverisja me VMRO-në rrezikon zyrtarizimin e gjuhës shqipe!

Problemin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe Bashkimi Demokratik për Integrim po e prolongon dy dekada jo të plota. BDI e nxjerrë këtë kartë gjithmonë kur i ka punët ngushtë për të formuar Qeverinë ose kur do të kamuflojë përgjegjësinë për bashkëqeverisjen e deritanishme me partnerin e pandashëm VMRO-DPMNE, shkruan Portalb.mk.

Në të a.q. Marrëveshja e majit-29 maj 2007, BDI dhe VMRO-DPMNE janë dakorduar, mes tjerash edhe për rregullimin e problemit me gjuhën shqipe me anë të një ligji, i cili do të jetë në përputhje me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Sot, 10 vite më pas, hapet e njëjta temë dhe prapë e njëjta temë po me partnerin e vjetër- hipotetikisht të ri qeveritar- VMRO-DPMNE. Fakt ky që dëshmon, se VMRO-DPMNE plotë 10 vite nuk ka pranuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ndërkaq BDI ka heshtur.

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe si nevoj e pakontestueshme është përmendur edhe në Platformën e partive politike shqiptare, me ç’rast kërkohen ndryshime kushtetuese.

Shkuarja eventuale e BDI-së me VMRO-DPMNE-në në një Qeveri të përbashkët do të kthente skenë kërkesën e BDI-së që me anë të një ligji do të kërkonte zbatimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, kërkesë kjo parazgjedhore e partisë.

Megjithatë, ekspertët juridik vlerësojnë se ndërhyrja në Kushtetutë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe është e domosdoshme, dhe se një akt i tillë i BDI-së do të ishte jashtë asaj që është nënshkruar e zotuar në Platformën e partive politike shqiptare.

“Ai ligj nuk është gjithëpërfshirës për çështjen e gjuhës shqipe. Për atë ligj nuk e kanë dhënë ende ekspertiza e shqiptarëve”, vlerëson profesori universitar Osman Kadriu.

“Dhe, ajo që është më me rëndësi, ligji i propozuar në atë formë, edhe pse nuk e di brendinë, është në kundërshtim me vet Platformën politike të nënshkruar nga partitë shqiptare. Sepse aty theksohet se duhet të intervenohet në kushtetutë dhe aty duhet të intervenohet të theksohet gjuha shqipe- me emër e mbiemër se duhet të jetë gjuhë e dytë zyrtare në nivel të shtetit, që do të thotë se duhet të hapet Kushtetuta”, tha për Portalb Kadriu.

Përafrimi i BDI-së me VMRO-në në bisedimet për Qeverinë e re, rrezikon që zyrtarizimi i gjuhës shqipe të zgjasë edhe plus 10 vjet tjera.

Sipas profesorit universitar Jeton Shasivar nëse këto informata jozyrtare janë të sakta, atëherë si të tilla janë joreale dhe nuk zgjidhin çështjen e zyrtarizimit të gjuhës shqipe dhe të shkrimit të saj konform vetë deklaratës së përbashkët të tri partive politike shqiptare të 7 janarit ku thuhet se: “Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

“Nëse janë harmonizuar DPMNE dhe BDI për një qasje të tillë, atëherë realisht do bëhet fjalë për trasim të mëtejshëm të qorrsokakut mbi 25 vjeçar të çështjes së zyrtarizimit të gjuhës shqipe sipas kutit të të drejtave individuale të pakicave kombëtare, e jo sipas kutit të të drejtës kolektive të popullit shqiptar në RM si element konstitutiv i shtetit”, sqaron për Portalb Shasivari.

Nga ana tjetër profesoresha Mirjana Najçevska mendon se nuk duhet të ndërrohet Kushtetuta për ta rregulluar çështjen e gjuhëve.

“Nuk duhet aspak të ndërrohet Kushtetuta që të mund të rregullohen vendime ligjore, të cilat në njërën apo mënyrën tjetër do ta trajtonin problematikën e gjuhëve. Unë jam ithtare e Kartës për mbrojtjen e gjuhëve rajonale dhe të pakicës, që mundet në mënyrë mjaftë të përshtatshme të aplikohet në Maqedoni”, është decide profesoresha Najçevska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button