Mediat në Maqedoni i kërkojnë qeverisë t’i ndal presionet

Shoqatat e gazetarëve thonë se akuzat e pushtetit se gjoja mediat po punojnë për thellimin krizës, nuk mbajnë. Ato thonë se është pikërisht pushteti ai që përmes presioneve po tenton të shpërqendroj vëmendjen nga problemet reale, shkrua REL.

Asociacionet e gazetarëve kërkojnë ndërprerjen e presioneve të pushtetit mbi punën e gazetarëve,mediave ndërsa hedhin poshtë pretendimet e zyrtarëve se puna e tyre, por edhe e organizatave të ndryshme joqeveritare, që financohen nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, ka për qëllim thellimin e krizës politike apo edhe ndërrimin e pushtetit në vend.

Presionet e zyrtarëve ndaj mediave që kritikojnë punën e tyre kanë vazhduar me themelimin edhe të një organizate “Stop Operacionit Soros”, që sipas saj, “ka për qëllim informimin e qytetarëve për aktivitetet e dëmshme të organizatave joqeveritare të financuara nga shoqata të jashtme”.

Biljana Petkovska, nga Instituti Maqedonas i Mediave, thotë se pretendimet e tilla nuk qëndrojnë ndërsa beson se presionet ndaj mediave më tepër kanë të bëjnë me shpërqendrimin e vëmendjes nga problemet aktuale dhe kriza politike.

Mendoj se Maqedonia ka nevojë për një proces të domosdoshëm të depolitizimit të mediave si dhe për freskimin e kësaj hapësire nga individë të caktuar që paraqiten si gazetarë, ndërsa nga ana tjetër janë në shërbim të partive të caktuara politike”.

“Maqedonia në raportet e të gjithë institucioneve relevante ndërkombëtare paraqitet e fundit sa i përket lirisë së mediave dhe në këtë kuadër shtrohet pyetja se cili është roli i institucioneve shtetërore, apo nëse vallë mediat e kanë sjellë këtë gjendje apo format e presionit mbi punën e tyre”, thotë Petkovska.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë vlerëson se sulmet e tilla kanë për qëllim forcimin e siç thuhet, njëmendësisë në vend.

Gruevski dëshiron ta zyrtarizoj pushtetin e tij diktatorial. Ai po lufton vlerat elementare të një demokracie liberale. Ai nuk toleron kritika ndaj pushtetit. Ai e lufton Sorosin, sepse është i vetëdijshëm se nuk mund ta kontrolloj dhe nuk mund ta korruptoj, dhe për sistemet totalitare çdo gjë që nuk mund të kontrollohet paraqet rrezik”, tha Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Ndërkohë, nga qendra maqedonase për verifikimin e fakteve në media sulmet ndaj sektorit civil i ndërlidhin me rezultatin e dobët të VMRO-së në zgjedhjet e fundit.

“Çështja e “desorosoizimit” (anti-Soros) nuk ka sqarim tjetër përveçse përpjekjes së kryesisë së VMRO DPMNE-së dhe të vet Nikolla Gruevskit për të arsyetuar para anëtarësisë rezultatin e dobët zgjedhor.

Këto media dhe organizata joqeveritare kanë ekzistuar edhe para zgjedhjeve, edhe në vitin 2014 kur VMRO-ja kishte rezultat shumë të mirë zgjedhor, por asnjëherë nuk është ngritur çështja e veprimtarisë së tyre sikur tani”.

“Qëllimi kryesor është dobësimi apo edhe mbyllja e tyre, që do të dëmtonte si asnjëherë më parë demokracinë edhe ashtu të dobët në vend”, thotë Vlladimir Petrevski, drejtues i qendrës maqedonase për verifikimin e fakteve në media.

Sulmet ndaj mediave nisën nga ana e VMRO-së menjëherë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit ndërsa u intensifikuan në protestat para KSHZ-së lidhur me kontestimin e rezultatit që mund të ndryshonte fitoren e saj.

Për dallim nga VMRO-ja, partneri i saj i deritanishëm në qeveri, BDI-ja ka dalë kundër presioneve ndaj mediave duke theksuar nevojën për raportimin e tyre pa presione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button