Rugova, njeri mendimi e veprimi

Ibrahim Rugova njihet më shumë si veprimtar politik, por studenti i Bartit është çmuar edhe si studiues i letërsisë, veçanërisht me studimin për Pjetër Bogdanin.

Rugova fillimisht ishte refuzuesi estetik i së keqes. Më pas u bë refuzuesi politik i së keqes së prodhuar institucionalisht, sipas një programi të paracaktuar nga elitat serbe. Në fillim ishte njeri i mendimit, më pas edhe i veprimit politik. Ai idenë e hodhi në veprim.

Nëse i referohemi studimit të Nolit për Skënderbeun, edhe Rugova, si politikan, u glorifikua, u asgjësua dhe do të vijë koha kur do të rivlerësohet.

Në fazën e glorifikimit u barazua me profetin. Rugovës mund t’i jetë dashur ky glorifikim gjatë misionit politik, por duhet të ketë qeshur me këtë krahasim. Mjafton t’i lexojmë esetë e tij për prijësin.

Rugova, më pas, është asgjësuar nga kundërshtarët e tij. Është sulmuar e sharë. Është krahasuar me Judën. Si çdo politikan ai ka bërë gabime. Cvajgu, te novela “Viduka”, thotë se njeriu i pamëkatë mund të jetë vetëm ai që i ngrys ditët në vetmi. Krahasimi me Judën është i padrejtë. Rugova ndoqi një filozofi si të Krishtit, por nuk u martirizua sikurse ai. Dhe nuk bëri keq.

Rugova do të rivlerësohet në të ardhmen. Kësaj faze i duhet distancë kohore, kur emocionet s’do ta errësojnë arsyen. Historia gjithmonë shkruhet më vonë. Sot shkruhet vetëm histori glorifikuesish e asgjësuesish. Historia nuk bëhet me vrull. Asaj i duhet distanca kohore, që mundëson triumfin e mendjes kundrejt emocionit. Historia si shkencë nuk duron ngarkesa emocionale. Historia është më shumë se sa kujtesë dhe na shërben në çdo kohë. Si propagandë i shërben një pushteti apo autoriteti politik. Historia e shkruar për qëllime jo shkencore është histori e shkruar nga fituesit dhe në shërbim konjukturash të ndryshme shtetërore apo politike. Edhe sot kemi vrull për shkrimin e historisë më të re. Protagonistët e kohës sonë duan të “hyjnë në histori” që t’i hijezojnë dështimet e tyre. Historia e kohës sonë do të shkruhet nga ata që ende nuk kanë lindur. Kur të hapen të gjitha arkivat. Ajo do ta ridimensionojë edhe figurën e Rugovës, i cili, sipas mendimit tim, i është dashur Kosovës së robëruar dhe i duhet Kosovës së tanishme. I duhet filozofia e tij politike që përjashton konfliktet. Mjerisht, u duhet edhe atyre që nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë e tij politike. Më saktë: keqpërdoret prej tyre.

Rugova duhet të nderohet duke punuar për projektin e tij: shtetin e Kosovës.

Rugova ishte politikani me orientim perëndimor. Ky orientim nuk ishte vetëm pragmatik, por edhe programatik. Ai i besoi këtij orientimi. Punoi për të. Atë e nderojmë vetëm duke e punuar për këtë synim.

Rugova ishte politikan humanist, i kulturuar, i çmuar në qarqe politike dhe intelektuale europiane. Ai synonte krijimin e një shteti modern, me shumë ideologji politike, sepse jo njëmendësia, por pluraliteti i ideve, mendimeve, vizioneve, veprimeve politike e zhvillon një komb e shtet. Atë e nderojmë duke çmuar këtë qëllim.

Rugova me shall ka qenë imazh për Kosovën. Sot Kosovës i duhet politikani që do të shërbejë edhe si imazh i bukur i saj.

Shfaqja e Rugovës ishte fat për Kosovën. Ai besoi se do të bëhej shteti i Kosovës dhe ky shtet u bë.

Nuk hyri në polemika, zënka. Nuk ju kundërvu kritikave dhe ofendimeve. Nuk ofendoi dhe as nuk e përçmoi askënd. Ishte  racional e jo emocional. Diçka që është e domosdoshme në politikë. Shpërthimet emocionale të çastit janë shkatërruese për një njeri misionar. Pra, nuk e humbi energjinë me zënka çasti. At Zef Pllumi thotë: “Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve”.

Rugova si politikan qe i heshtur, i qeshur, fjalëpak dhe përsëritës i të njëjtit refren, që përmblidhte një kërkesë esenciale: “Kosova shtet i pavarur, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”. Pra shtet demokratik i qytetarëve të saj, fillimisht nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Në fakt kështu ndodhi. Sot Kosova është shtet. Më shumë është një shtet në formim. Pavarësia është kategori relative. Asnjë shtet nuk është i pavarur plotësisht, veçmas shtetet e vogla. Ata varen më shumë nga shtetet tjerë. Duhet vetëm të dinë si të pozicionohen në konstelacionet gjeopolitike.

Megjithatë ëndrra e Rugovës është realizuar. Projekti i tij nuk është ideal, por është projekt real.

Jo nuk e shkruajmë historinë. Janë vetëm mendime të një njeriu që ka jetuar në kohën e Rugovës…

Tani duhet që të ndërtohet shteti modern, sikurse ishte ëndërruar apo projektuar në të kaluarën. Politikanët kosovarë lëshuan një rast ideal. Ata nuk e shfrytëzuan entuziazmin fillestar për ta bërë një shtet me tamam. Ishte koha kur të gjitha energjitë e qytetarëve, pas tragjedisë së madhe, orientoheshin, në mënyrë idealiste, për bërjen e një shteti që e kishin ëndërruar gjatë. Tani është vonë. Entuziazmi është shuar dhe është rritur defetizmi, që është pengesë për zhvillimin e një kombi a shteti.

Shteti nuk mund të bëhet me politikanë miopë e keqpërdorues. Kosova ka dy rrugë: të modernizohet si shtet ose të zhbëhet. Mund të duket parashikim ogurzi, por shtetet zhbëhen jo vetëm kur sulmohen e pushtohen nga jashtë, por kur fillojnë që të dekompozohen së brendshmi. Ky dekompozim fillon kur humbet politika, kur fillon rënia morale, kur mungojnë idealet.

Kosova sot duhet që ta kujtojë udhën e tmerrshme nëpër të cilën ka kaluar. Jo duke derdhur vetëm lot. As duke u keqpërdorur për qëllime meskine. I duhet që ta kujtojë këtë udhëtim për ta çuar përpara projektin e madh për të cilin sakrifikuan breza të tërë.  Sot Kosovës i duhet politika, që shpesh po e humb.

Fola për Kosovën. Kam të drejtë që të flas për të aq sa një nënshtetas i saj. Kosova është më shumë se sa shtet i atyre që kanë pasaportë kosovare. Rugova ishte më shumë se sa një lider kosovar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button