Nëse jetoj në lagjen e Shekspirit, nuk më duhet të vizitoj Pitagorën

 

“Çdo individ posedon aftësi dhe talente unike. Sistemi edukativo-arsimor duhet të kultivon po ato talente, në vend që të pasojë traditat e intelektualëve në të kaluarën”

– Ralph Waldo Emerson

Krijuesi i plotfuqishëm e dalloi njeriun nga gjitha krijesat tjera , ashtu si e dalloi diamantin nga mineralet. Jo rrallë herë u debatua rreth asaj se çfarë e dallon njeriun nga krijesat tjera, së fundmi, që të dy palët kalojnë nëpërmjet fazave dhe proceseve të njëjta jetësore. Mirëpo, përderisa krijesave tjera iu dha instinkti natyror, njeriut iu dha mendja, e cila sot definohet si arma më e fortë e tij. Por, përveç faktit që dallohet nga krijesat tjera, njeriu dallohet edhe nga vet njeriu. Shkencëtarët proklamojnë që asnjë njeri nuk është i njëjtë, duke filluar nga shenjat e gishtërinjve e deri tek talenti i tij unik. Secila qenie njerëzore është e lindur me një aftësi unike, një aftësi që nuk mund të haset në 7 miliardin tjetër. Me këtë kuptojmë që asnjë mendje nuk është e njëjtë, madje, edhe mënyra se si perceptohet jeta dhe gjithçka që mbart ajo. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë gjë, njeriu sërish fatin e tij e lë në erë. Bëhet pre i predatorëve të cilët në mënyrë të pamëshirshme janë të gatshëm jetët tona t’i kthejnë në një “Truman Show”.

Besoj se veç më kuptuat për kë po flas. Po, po flas për njerëzit e fronit, që mundohen të na bindin për një jetë mediokre, nëpërmjet sistemit edukativo-arsimor. Sistemi edukativo-arsimor është bërthama e zhvillimit të çdo civilizimi. Ky sistem, përveç që na imponon të mësuarit përmendësh të fakteve (e që një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të panevojshme), na imponon edhe të mësuarit e asaj se çfarë të mendojmë, në vend që të mësohet se si të mendojmë.

“Edukatë nuk quhet mësimi i fakteve, por trajnimi i mendjes se si të mendojë” thotë gjeniu i mirënjohur Albert Einstein. Gjithashtu, po ky sistem i nxit mendjet e të miturve “të mësojnë” sipas mënyrës klasike (shablloneve) – profesori flet , të tjerët dëgjojnë. A nuk thamë më herët që, secila mendje percepton gjërat në një mënyre të veten? Si pasojë e këtij sistemi është mossuksesi i çdo gjenerate në realizimin e qëllimeve të tyre reale në jetë. Epo, kështu ndodh kur më shumë rëndësi i jepet goditjes me çekan në Volejboll,  sesa të informuarit rreth të pavetëdijshmes personale të Sigmund Freudit, te pavetëdijshmes familjare të Alfred Adlerit dhe te pavetëdijshmes kolektive të Carl Gustav Jungut. Përveç mospërdorimit aktual të pamjaftueshëm të mendjes, ky sistem përkufizon edhe në formimin  e karakterit dhe vetëbesimit të njeriut. A thua vallë, përse kur hyjmë në një çerdhe shohim fëmije plot me entuziazëm dhe ëndrra për t’u bërë një shkrimtar, pilot, mjek, arkitekt, president e të tjera dhe pas ca viteve, po këta fëmijë i gjejmë të ulur në fund të klasës duke njehsuar minutat e ngelura të orës së mësimit dhe me vetëbesim krejtësisht të luhatur? Kanë vetëbesim të luhatur sepse janë pre e përkufizimeve të aftësive të tyre me vetëdije ose pa të, ne rend të parë nga sistemi i gabuar arsimor.

Duhet kuptuar që, nëse një fëmijë është i destinuar të jetojë në lagjen e Shekspirit, nuk i duhet të vizitojë Pitagorën. Nëse një njeri është i destinuar të lozë me brushat e Da Vinçit, nuk është e domosdoshme të njohë teorinë e Bronshtedit dhe Laurit. Nëse një njeri është i destinuar të shoqërohet me trupat qiellor, nuk ka nevojë t’i marre erë bimëve të tokës. Mos i përkufizoni nxënësit, sepse do shuani veprat e Shekspirit të rradhës, zbulimet e shkencëtarit të ardhshëm, pikturat e Da Vinçit të dytë. Në vend që të përkufizohen , le të nxiten ata në të lexuarit, sepse vetëm atëherë do të fitojnë urtësinë. Me të lexuar do të shoqërohen me njerëzit e pavdekshëm e të paarritshëm të historisë së njerëzimit. Me të lexuar, ai do e kuptojë se nuk mjafton vetëm pasqyra për të njohur vetveten. E një fëmijë i cili kalon ditën me Shekspirin , Tesllën apo Picasson do të arrijë potencialin për të qeverisur vetveten- botën.

Për të përfunduar:

 

“Nëse e gjykon peshkun sipas aftësisë së tij për t’u ngjitur ne peme, do e jetojë tërë jetën e tij duke menduar se është një injorant i paaftë”

– Albert Einstein

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button