DUHET TË SHKRUHET…

Çdo muhabet, po edhe çdo fjalë, për atë se çfarë po ndodh në vendet e mëdha të planetit tonë, në ato vende që vendosin për fatin e këtij planeti të munduar, pastaj çfarë do të bëhet nga bisedat ose negociata për formimin e qeverisë ka filluar të shkaktojë te unë shijen e hidhët.  Më është bërë bajat ky realitet  kur çdo çast, në kuptimin e plotë të fjalës,  shpenzohet për një punë që dihet e shihet pas Bregzitit, pas forcimit të zonjës Lë Pen në Francë, pas ngjarjeve në Turqi e në Lindjen e afërt, pas ndryshimeve ekonomike në Kinë e atyre ushtarake në Rusi, pas ngjarjeve tragjike në Ukrainë, në Gjeorgji etj.  dhe, sa i përket vendit, ose bisedimeve për qeverinë, pas deklaratës së zëdhënësit të BDI-së se ata, pra BDI-ja,  janë për respektimin e „parimit“ të formimit të koalicionit qeveritar midis „fituesit me fituesin“.  Parim që nuk e njohin ligjet e demokracisë, por që e mbështesin të huajt.

Mirëpo nga ky realitet nuk iket. Sa të dalësh nga shtëpia, sa të takohesh me cilin do qoftë, mik, shok, fqinj apo të njohur, të pret këshilla: duhet të shkruhet për këtë e për atë, të thuhet kështu ose ashtu, gjërat duhet të lëvizin… Mjaft më!… Dhe, habitesh se si njerëzit kanë aq besim në fjalën e gazetarit, të thënë publikisht ose të shkruar.  Aq shumë është shkruar, aq shumë gjëra janë thënë për realitetin e kësaj bote të vogël dhe për realitetin e këtushëm politik, ekonomik e kulturor nga ana e gazetarëve dhe nga e gjithë kjo shumësi fjalësh, mendimesh e propozimesh qëllimmira për dekada nuk duket ndonjë  ndryshim i hairit. As në botë e as këtu. Megjithatë njerëzve shpresa me këmbë të thyer u ka ikur dhe është strehuar te gazetari. Te gazetari ata e kërkojnë shkathtësinë, urtinë, magjinë dhe energjinë e cila e vë në lëvizje aktivitetin e ndryshimeve, të përmirësimit dhe të transformimit të kësaj bote nallane në një botë më humane dhe të vendit në një vend më të mirë, në një vend ku do të zgjohen  aftësitë krijuese “të rëna në gjumë”. Shumë njerëz mendojnë se gazetari e ka atë shkopin magjik me të cilin nxitet  pakënaqësia  te masat, të cilat, pastaj bëhen ajo shkrepsë  që e ndez  flakën e përgjegjësisë te politikanët ose më shkurt te drejtuesit e botës dhe të këtij shteti ku jetojmë  dhe i kthen ata në udhën e drejtësisë, në udhën e zotit. Çudi është se me sa bindje të madhe njerëzit mendojnë  se  fjala ose shkrimi mund të jenë prijatarët  e një metamorfoze gjithëpërfshirëse që do të iniciojë një punë e cila nga realiteti i fjetur, inert, do t’i shtrydhë  mundësitë krijuese e do t’i ngrejë deri në lartësitë idealiste, duke bërë që një ujë amull  (lexo: planeti e vendi) i cili prehet me decenie nën gjelbërimin e algave të gjelbra e të myshqeve dhe të vihet në lëvizje të vrullshme deri në shkallën e vërshimit. Me fjalë të tjera del se fjala gazetareske mund t’i japë frymë një dinamike e cila ka fuqi ta përzërë hyjninë e gjumit dhe në botë e në vend të tij ta sjellë atë Eros  për të cilin shkruan Hesiodi  ose më mirë atë variant të Erosit që ka arritur te ne nga mendimtarët e Greqisë antike që thotë se Erosi është një hyjni e lashtë e cila inkorporon në vete  jo vetëm fuqinë e dashurisë, por edhe frymën krijuese , etj.

Mendoj se shumë barrë e rëndë i jepet gazetarit nga ana e një pjese të madhe të publikut të planetit dhe të vendit.

Mendoj se gjithë atë çudi të ndryshimeve nuk mund ta mbajë mbi shpatullat e veta gazetari, i cili në botë dhe në këtë vend e ka shumë vështirë ta sigurojë ekzistencën fizike të familjes së tij, gazetari i cili drejtpërsëdrejti varet nga pronari i mediumit ku punon, nga ndonjë parti nga kisha, xhamia e sinagoga ose nga pushteti, gazetari  i cili gjithandej në botë ka një status të keq, sepse është kohë e ngritjes e rritjes së popullizmit, si në vitet e tridhjeta në Gjermani. Vendet e mëdha, ato që vendosin për fatin e planetit, madje edhe ato me demokraci  paradigmatike po rrëshqasin me shpejtësi drejt popullizmit, pra drejt formave të drejtimit diktatorial të shtetit, ku gazetari mund të jetë vetëm vegël e pushtetarit.

Le të hidhet një sy në realitetet e shteteve më të mëdha me numër banorësh e me hapësirë. Nga realiteti i sotëm i këtyre vendeve rehatia menjëherë fillon të trazohet, gjallëria fillon të venitet, zëri i së vërtetës të zëvendësohet me heshtje, krenaria personale të shndërrohet në një përulje, subjekti –  objekt, siguria e rehatia në pasiguri, besa e dhënë me gojë e me shkrim të sulmohet edhe me trena provokues, keqpërdoruesit të shpallen shpëtimtarë, akademikët të mbeten në rrugë ose të përfundojnë nëpër burgje politike, kurse rrugaçët gjithandej të ulen pranë timonit të anijes së pushtetit, intelektualët ta ngrenë zërin e të vërtetës, kurse pas shpinës së tyre të dalin borgjezë të rinj si nga llamba e Alajdinit dhe ta kontrollojnë kapitalin, që do të thotë ta mbajnë edhe shpirtin tonë nën kontroll rëntgenologjik, që do të thotë të vendosin nga A-ja deri në Zh dhe të bëjnë që demokracia të duket qesharake

As ky vend yni nuk mund të jetë përjashtim nga trendet e tashme botërore. Prandaj pyetja se çfarë do të ndodhë me formimin e  qeverisë, pyetje që u bëhet orë e çast gazetarëve e ka përgjigjen e thjeshtë e të cilën e dinë të gjithë, edhe ata që pyesin, edhe ata që përgjigjen. E përgjigjja është: asgjë nuk do të ndodhë. Siç ka qenë, ashtu do të jetë. Koalicioni i vjetër, do të bëhet koalicion i ri. Mund të ketë ndryshime në ecuritë politike të cilat do të jenë imitime të atyre ecurive që po ndodhin dhe që do të ndodhin në vendet e mëdha ku popullizmi po e merr bajrakun e politikës.

Sa u përket pritjeve të shqiptarëve – njësoj, ndoshta edhe më keq, sepse faktori politik nuk gjen dot gjuhë të përbashkët, rinia ikën me të madhe nga vendi ngase perspektiva i ka të mbyllura lëvizjet religjioze te ne në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme janë në shërbim të atyre forcave të cilat gjithmonë kanë synuar sundimin, madje, edhe zhbërjen tonë. Të gjitha këto duken qartë. Duket se mbi ne po zgjatet një hije e cila na mbulon, e cila e derdh errësirën mbi ne, mbi atmosferën tonë. Prandaj këto vetë për vete janë përgjigje.

Ndoshta ajo ndjenja e njeriut tonë të mbështetur për muri i bën qytetarët e thjeshtë të mendojnë se fjala e gazetarit mund të bëjë diçka. Fundja, kujt mund t’i drejtohen ata?

Fatkeqësisht fati nuk është as në duart e gazetarit, as në duart e intelektualit, as në duart e punëtorit, të bujkut… Fati është në duart e të gjithëve. Të gjithë vendosim për fatin tonë. Ashtu si lejojmë të vendosim si qytetarë, kudo që të jemi në planet, prandaj edhe këtu, atë e meritojmë.

Mos ta zgjasim. S’kemi për çfarë të flasim. Është ky një tregim i njohur.  E kanë lexuar të gjithë. Nga të pastrehët e deri te të brengosurit për të ardhmen e planetit dhe të vendit. Nga të gjithë, përveç atyre që nuk jetojnë nga puna e rroga, por nga kapitali.

Megjithatë, ani se tregimi është lexuar e stërlexuar njerëzit thonë: duhet të shkruhet! Duhet të shkruhet…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button