“Ryshfeti”, Zaev kërkon ndërrim të prokurorit Milloshevski

Zoran Zaev, në seancën e sotme të rastit “Ryshfeti” ka kërkuar nga Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që të emëroj prokuror të ri, në vend të Vlladimir Milloshevski, i cili për momentin e paraqet akuzën në këtë rast, ndërkaq sipas palës mbrojtëse, i ka kaluar mandati më 30 nëntor të vitit të kaluar, njofton Portalb.

Sipas vendimit të Këshillit, që e treguan avokatët, Milloshevski ka qenë përkohësisht i caktuar në Prokurorinë Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion nga 1 qershori i vitit 2016 deri më 30 nëntor, kur edhe i ka kaluar mandati.

Avokati i Zaevit, Jakim Nedellkov nga Gjykata ka kërkuar që të deklarohet dhe të sjellë vendim në lidhje me atë se a do t’i lejojë që prokurorit me mandat të kaluar dhe pa legjitimitet të veprojë në akuzë. Në rrjedhë është pauza, gjatë së cilës gjykatësja dhe anëtarët e Këshillit Gjykues duhet të sjellin vendim për këtë kërkesë.

Përndryshem, avokatët e Zaevit, në seancën e fundit kanë kërkuar largim të prokurorit të lëndës, Vlladimir Milloshevskit, pasi që i njëjti, siç kanë thënë ata, po hetohet nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), për disa vepra penale, por Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e ka refuzuar të njëjtën.

Seancat gjyqësore për këtë rast disa herë janë anuluar. Zaev, sipas akuzës, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar si kryetar i Komunës së Strumicës, nga biznesmeni, Ivan Nikollov, ka kërkuar ryshfet prej 163.924 euro, gjegjësisht nga 2 euro për metër katror tokë ndërtimtare në Strumicës, për të cilën Nikollov ka qenë i interesuar që të privatizohet.

Procesin gjyqësor kundër Zaevit për rastin “Ryshfeti” e udhëheqë gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, e cila njëkohësisht është edhe zëvendëskryetare e Gjykatës Themelore Shkupi 1. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button