Tahiri: Tensionet në veri shtyjnë zbatimin e marrëveshjeve

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha se ‘hapja e urës së Ibrit, e paraparë të bëhet gjatë ditës së sotme (20 janar) është shtyrë për shkak të nxitjes se zhvillimeve negative nga Serbia, transmeton REL.

Ajo tha se marrëveshjet e arritura mes palëve ‘nuk janë zbatuar për shkak të qëndrimeve negative nga autoritetet e Serbisë”

“Zhvillimet negative dhe tensionimet kanë bërë që Bashkimi Evropian i cili është autorizuar të bëjë hapjen, ashtu siç e bëri edhe revitalizimin, siç u hoq edhe barrikada nga ura e Ibrit, ka shtyrë inaugurimin për arsyet e lartë-përmendura”, ka deklaruar Tahiri.

Një nga marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për drejtësinë, e paraparë fillimisht që të zbatohej më 10 janar dhe e shtyrë për një javë më vonë, është penguar së zbatuari, tha Tahiri për shkak të zhvillimeve të fundit të nxitura nga Serbia.

“Të gjitha përgatitjet për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë janë bërë nga ana e Kosovës dhe zbatimi ka qenë i mundur sipas datës së paraparë, mirëpo, edhe ky proces i vonesave duhet parë në kontekstin e tensionimeve të fundit”, tha Tahiri.

Një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në të paktën 20 gjuhë të ndryshme, që u nis të shtunën e kaluar drejt Kosovës nga Beogradi, nxitti ‘luftë fjalësh’ ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Tahiri, deklaroi po ashtu se javëve të fundit, Serbia ka bërë provokime të një-pas-njëshme me qëllim të destabilizimit të situatës në Kosovë dhe rajon.

“Provokimet kanë qenë të përmasave dramatike që përbejnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal”, është shprehur Tahiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button