Vdiq këngëtarja e hitit më të madh botëror (VIDEO)

Këngëtarja braziliane, Loalwa Braz, e njohur për hitin e viteve ’80, “Lambada”, është gjetur e vdekur në një veturë të djegur në Brazil, transmeton “Koha Ditore” njoftimin e BBC-së.

Policia e ka konfirmuar lajmin se trupi i pajetë është i Brazit, por rrethanat e vdekjes së saj janë ende të panjohura. Këngëtarja, e cila ishte 63-vjeçare, u gjet afër shtëpisë së saj në Saquarema, Rio de Janeiro. Ndërkohë që hiti i saj “Lambada” ishte lansuar nga grupi francez “Kaoma” në vitin 1989, me Brazin si vokaliste. Kjo këngë shiti miliona kopje në mbarë botën.

Loalwa Braz ishte këngëtare dhe tekstshkruese e njohur në Brazil. Përveç suksesit dhe famës ndërkombëtare me “Lambadan”, ajo ka kënduar edhe në gjuhë të tjera, si: spanjisht, frëngjisht dhe anglisht. Ajo u rrit në një ambient të rrethuar me ritme braziliane, të cilat edhe erdhën më pas përmes këngëve të saj. Loalwa ishte fituese e shumë çmimeve dhe performoi në skenat më prestigjioze të Rios. Talenti i saj bëri që t’i hapen dyer për bashkëpunime me artistët më të mëdhenj brazilianë të muzikës pop, si: Gilberto Gil, Tim Maia, Alcione, Maria Bethânia, Emílio Santiago, Gal, Costa, Caetano Veloso, e të tjera. Ajo u shpërngul në Paris në vitin 1985, pas suksesit që pati në “Palais des Sports”, me shoun e saj “Brésil en Fête”. Këtu edhe lindi bashkëpunimi i saj me “Kaoma”.

Në gjuhën portugeze, kënga njihej me titullin “Chorando se foi”. Melodia dhe teksti bazoheshin në një këngë të Bolivisë, por titulli “Lambada” erdhi nga stili i vallëzimit i njohur në pjesën veriore të Brazilit. Vëllezërit nga Bolivia, të cilët e incizuan versionin origjinal të këngës me grupin “Los Kjarkas”, në vitin 1981, ndërmorën aksion legal kundër “Kaomaa” për përkthimin e pautorizuar të këngës. Kënga me ritmin e kapshëm dhe tekstin sensual edhe sot vazhdon të inspirojë shumë muzikantë. Këngëtarja amerikane Jennifer Lopez e përdori melodinë për hitin e saj të vitit 2010 “On The Floor”. Grupi britanik “The Spice Girls” e përmendi “Lambadan” në singlin e tyre “Spice Up Your Life”, në vitin 1998. Bendi i muzikës elektronike “Clean Bandit”, në një intervistë për “BBC”, kishte thënë se “Lambada” është një prej këngëve tek e cila kanë gjetur inspirim të madh.

“Ka qenë goxha inspiruese për ne”, kishte thënë anëtari i bendit Grace Chatto. “Ka një gërshetim të euforisë, por gjithashtu të melankolisë dhe bukurisë që ne mundohemi ta krijojmë”, kishte shtuar ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button