Përmasat tragjike të fatit të qytetarit tonë

Qytetarët e vendit tonë besojnë shumë te Fati. Fati, për ne, qytetarët e këtij Vendi, është si rastësi hyjnore. Si rastësi hyjnore, që të determinon të mendosh se rrjedha e jetës së sonë është e paracaktuar nga forca jashtë fuqisë që kemi ne, se është e shkruar dhe nuk kemi ç’të bëjnë veçse t’i bindemi e të përshtatemi. Pra, kjo është bota, një vend i mëkatit dhe ne thjesht kalimtarë.

Kaq! S’kemi përgjegjësi tjetër. Të gjithë kemi riskun tonë. Fundja, jo vetëm qytetari i thjeshtë, por e tërë shoqëria, rendi ekonomik, sistemi politik, skenat kulturore dhe vizionet qeverisëse i janë lënë në dorë Fatit (jo nxënësit tim të vitit të dytë!), por vetëm Fatit. Aty s’ka të nesërme, të pasnesërme. Sepse të nesërmen dhe të pasnesërmen, të cilat i lejuam si ëndërra poetike dhe siguri të shpresës ekzistenciale, po i hamë me shpejtësi, po u japim fund. Si të gjitha utopitë që i jetuam pa e kuptuar përmasën e vërtetë të tyre. Vendi Ynë nuk do të ketë më rini. Është një peshk i vockël i kuq që rropatet në rrjedhën e rrëmbyer të lumit që rrjedh në Qytetin me Tetë Hove, do të thoshte një Poet. Është një zog obez metalik pa hapësirë dhe horizont. Një bishë e vogël e llastuar që gëlon dhe mbytet në qenien e tij.

Shikoni pak se çfarë ndodh në shoqërinë tonë për të kuptuar përmasën tragjike të Fatit! Kemi bashkëpjesëmarres në qeveri që kanë frikë të imagjinojnë përtej së tashmes. Kanë frikë të imagjinojnë një shoqëri më të lumtur. Kanë frikë të imagjinojnë kapërcimin e njeriut aktual. Dhe çfarë bëjnë? Nga frika e shkollës emancipuese, e shesin atë, për një grusht para, që t’ua sigurojnë fëmijëve të tyre pikërisht këtë shkollë. Kanë frikë të rrojnë me djersë dhe dinjitet dhe tradhtojnë të djersiturit dhe të dinjitetshmit, që të mos bien në poshtërimin e tyre. Të frikësuar prej të nesërmes, riciklojnë mëkatin zanafillor social, atë të ngriturit të parajsës individuale mbi ferrin kolektiv të të tjerëve. Shikoni njeriun tonë, atë njeri të zakonshëm! Ai rri dhe vetëm pret ,pret me një durim acarues.

Pret se gjërat do të bëhen vetvetiu mirë, se sundimtarin do t’a vrasë ndërgjegjja dhe se biri i Zotit do të zbresë sërish. Kur kjo nuk ndodh, ata shkojnë të lozin skedina. Me siguri fati do të tregohet i dhimbsur me ta dhe do të ndalojë te njishi, dyshi, iksi. Pastaj nxitojnë të votojnë për dyshin, treshin, katrën, gjashtën, shatën, dhjetën e kështu me radhë. Kur as lotoja elektorale nuk nxjerr gjë në dritë, rreket ta gjejë shpresën te lotaria amerikane, apo tek miqtë dhe familjarët në Europë, se mbase sistemi do ta kapë në rrjetë. Në fund, kur nuk gjen rrugëdalje, i futet botës së krimit dhe përfundon ashtu siç është, i burgosuri një numër katërshifëror. Ai nuk është gjë tjetër veçse numër, statistikë, llogaritje, konsumator, klient dhe variabël ekonomik në vorbullën e çmendur vetëvrasëse të kazinos botërore dhe të asaj në qendër të Qytetit me Tetë Hove. Pra gjithçka është gëlltitur nga numri. Të gjitha besimet dhe përvojat janë numerike. Aq sa numri nuk i bindet më njeriut. Ai ka jetën e tij, të cilës ne duhet t’i nënshtrohemi. Madje edhe rezistencën ndaj numrit, ai,pra numri, e ka kthyer çështjen në shifrash. Numri, ndryshe nga njeriu dhe jeta njerëzore, nuk ngopet, nuk ka cak, pjell numra të tjerë dhe ekuacione makabre. Në fund të fundit, ai nuk është i arsyeshëm dhe vjen një çast kur ngec. Megjithatë, njeriu e gjykon të pamundur t’i arratiset.

Në përgjithësi, ka dy shpjegime mbi këtë besim të çuditshëm të qytetarit të vendit Tonë. I pari thotë se qytetari nuk kupton çfarë bën. I dyti se thotë se e kupton çfarë bën, ama sjelljet e tjera prapë i ka të gënjeshtërta. Ndërsa unë besoj se qytetari nuk është aq i krisur sa të mos kuptojë, por ka frikë nga një tjetër botë e shoqëri. Ai e di se makineria e bixhozit është kurdisur në atë farë feje që në njëqind humbës të fitojë njëri dhe prapë vazhdon të besojë se është fituesi dhe se këtë e ka fati në dorë. Ai e kupton dramën e sistemit aktual, por i frikësohet maktheve të prindërve. Ai e kap instinktivisht faktin se ata me kollare ia fusin sa të munden dhe e di se do t’i dhemb shumë dhe përqafon si të mirëqenë idenë se ai do ta hajë gjithnjë. Qytetari , pra është një cinik i vetëdijshëm. Ku qëndron rrugëdalja? Unë mendoj se kjo rrugëdalje qëndron tek besimi se ne mund t’i marrim frenat e fatit në dorë. Nëse fati është e nesërmja e pritshme, atëherë le të mos presim të nesërmen, por t’i paraprijmë e ta ndërtojmë vetë atë! Shpresa është pikërisht ndalimi i të priturit. Asgjë nuk është e pamundur. Koha është t’u japim fund besimeve tek të tjerët dhe të zbulojmë besimin te vetja e bërë bashkë me të tjerët.Të gjithë e dimë se Zoti nuk do të zbresë, se sundimtari nuk do të bëhen më i mirë dhe se ne jemi qenie të mrekullueshme që mund të bëjnë çudira.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button