Turlitava
“Koha është si shpata,nëse nuk arrinë ta këpusësh atë, ajo të këputë ty, pa kurfarë mëshire…”(thënie parimore islame).
Loja e preferuar e fëmijëve tanë dikur ishte loja me kaubojë dhe indijanë, lojë përplot me imagjinatë dhe me aktivitet fizik. Sot, mjerisht, fëmijët po luajnë “Parlament” dhe kështu po dëshmojnë se te ne çdo gjë është shndërruar në politikë dhe politika është bërë çdo gjë. Një ditë më qëlloi të dëgjoj një voglush që akoma nuk i dinte shkronjat, por ama i dinte emrat e të gjithë kryetarëve të partive dhe të deputetëve. Gjynah.
Në fakt, politika ështrë bërë një gropë e zezë që po gllabëron të gjitha aspektet e shoqërisë tonë duke i relativizuar kështu edhe ligjin, edhe shkollën, edhe ekonominë dhe mediat, bile duke e zvetnuar edhe angazhimin humanitar të njeriut të këtushëm. Politika ka futur hundët edhe në pamjen e qyteteve, ajo vendosë nëse një ndërtesë e shëmtuar që është ndërtuar pa leje e në tokë të huaj brënda natës mund të bëhet objekt i legalizuar.
Nëse ju kujtohet, politika e këtushme ka vendosur kryqa mbi sahat kulla, ka shndëruar xhami monumentale në galeri artesh dhe ka keqpërdorur pronat e bashkësive të caktuara fetare, ka dëshmuar se asgjë për atë nuk është e shenjtë përveç qëllimit dhe synimit të vetë.
Politika autobaneve, jeta dhiareve
Një natë po bëja muhabet me disa të rinjë që kishin ardhur nga gurbeti. Cfarë t’ju them, nostalgji e pa parë, lotë, dashuri për vendlindjen dhe pastaj muhabete politike. Ata thoshin se aty jashtë i mbyti nostalgjia e unë ju thashë se këtu po na mbysin lojërat bizantine dhe e tërë kjo që po na ndodhë si pasojë e atyre lojërave. Ata habiteshin se si po lejojmë që sërish të na ndodhin gjërat që na kanë ndodhur edhe më parë, e unë habitesha nga fakti që ata po habiteshin
Ikën djemtë me nostalgjinë e tyre dhe unë vazhdova të pi çaj rusi me dilemën: Kur këta djem që janë rritur këtu po çuditen aq shumë me ne, a thua si na sheh e na vlerëson dikush që nuk na njeh, që për herë të parë viziton Maqedoninë?
Vërtet, çfarë mund të konstatojë për ne dikush që do njohtohej me përçarjet tona, që do i shihte shkollat pa ngrohje, spitalet pa mjete elementare, që do dëgjonte për korrupsionin e mjekëve dhe profesorëve, për vrasjet e pazbardhura. Si do i dukeshim ne të gjithë atij të huaji nëse do e shihte gjendjen e mediave tona, papastërtinë e qyteteve tona dhe deponitë sa një mal, ajrin e ndotur nga veturat që Evropa i nxjerrë nga përdorimi. Cfarë do thoshte për ne ai i huaji kur do i tregonim se sa shumë raste na kanë ikur duarsh në këto vite dhe ne jemi kënaqur me thërrmitë që politika i ka lënë mbi tryezë?
Në çfarë grope jetoni ju o njerëz, prej cilës humnerë po e shikoni botën, do thoshte i huaji e do ikte ku sytë këmbët, pa i dëgjuar fare pallavrat tona politike. A do mund t’ia zëmë për të madhe atij mysafiri të imagjinuar që nuk na dëgjoi deri në fund. Unë do e mirëkuptoja, po ju si mendoni?
Sidoqoftë, neve na mbetet të vazhdojmë të dëgjojmë thashethemnajat rreth formimit të Qeverisë sepse jeta jonë ec dhijareve, shkon shtigjeve të pa sigurta, autobaneve ec politika, ajo di gjithçka dhe mendon se ne s’kemi nevojë të dimë gjë.
Kohë shterpe
Koha është e barasvlefshme me jetën, andaj, nëse e shkatërron kohën tënde e ke shkatëruar edhe jetën tënde. Nëse e kontrollon dhe e sundon kohën tënde, do e kontrolloshë dhe do ta sundoshë edhe jetën tënde.
Mjerisht, koha për shumicën e njerëzve tanë nuk do të thotë asgjë. E pikërisht ato ditë e vite të cilat ne nuk i kemi konsideruar asgjë, të tjerët i kanë shfrytëzuar për ndryshime rrënjësore arsimore, kulturore, ekonomike. Kohën e kanë shfrytëzuar më mirë se ne bile edhe bashkëqytetarët tanë me të cilët po na ngrohë i njejti diell dhe kemi të njëjtin shtet.
Merre si t’a marrësh, koha përherë shkon në një drejtim dhe kujtimet në një tjetër. Kohën e ka krijuar Zoti i Cili ka ekzistuar dhe do të ekzistojë përherë, ne vetëm do e jetojmë kohën që Ai na e ka caktuar. Një thënie parimore islame thotë “ Koha është si shpata, nëse nuk arrinë ta këpusësh atë, ajo të këputë ty, pa kurfarë mëshire…”
Do thoni ju: Cfarë lidhje ka koha jonë e harxhuar me politikën dhe politikanët.
Ka shumë lidhje sepse politika e cila është implikuar në të gjitha sferat e jetës, po na krijon një realitet të rrejshëm pas të cilit ne po e humbim kohën tonë , po i bashkangjitemi ideve dhe nismave të rrejshme dhe në fund të gjithë po përfundojmë në llumin e mashtrimeve, ndërkohë që politika dhe politikanët po vazhdojnë rrugës së tyre pa asnjë fije turpi e përgjegjësie.
Sëkëndejmi, mendoj se është kohë e fundit që politikanët tanë të veprojnë ashtu si është dashur të veprojnë shumë më heret, të pyesin veten se sa e madhe mund të jetë llogaria të cilën do e paguajmë nëse do na vijnë mendtë kur të na ikin dhentë. Ndryshe, mund të ndodhë që të zgjedhurit tanë të zgjohen një ditë nga gjumi e të konstatojnë se duke e humbur kohën tonë, ata në fakt e kanë humbur edhe udhën e tyre në oborr, se pas vetes nuk kanë lënë asnjë gjurmë, asnjë kualitet dhe asgjë të mirë me të cilën do të mund t’i mbanim mend.
Turlitava po zien, çfarë shije do të ketë a thua?