GJUHA DHE LARTMADHNIA GOOGLE

Përkthimi është proces i komplikuar, i vështirë, kreativ. Të përkthesh do të thotë të njohësh me themel gjuhën nga e cila përkthen dhe gjuhën në të cilën përkthen. Përkthyesit i duhet edhe kulturë e madhe. Kur Mitrush Kutelin e akuzuan se përkthente shpejt ai tha se kështu përkthente kultura e tij.

Përkthimi është mbartje mesazhesh jo vetëm nga një sistem kulturor drejt një tjetër sistemi, por, sikurse thuhet, është zhvendosje nga një psikologji në një psikologji tjetër. Nëpërmjet përkthimit teksti komunikon me lexues hapësirash të ndryshme gjuhësore.  Teksti zhvendoset në tjetër kontekst. Përkthyesi është pasurues i sistemit kulturor, është “agjent i kozmopolitizmit”.

Përkthyesi i keq të çon në varr. Kjo është e vërtetë e hidhur, përmendur në shumë libra. Një përkthyes i mirë mund të përfundojë në varr. Fat që i ka fshikulluar shumë përkthyes. “Përkthyesit” tanë po e varrosin gjuhën shqipe.

Nuk je përkthyes vetëm nëse di t’i përdorësh motorët e Google-s. “Përkthyesit” e këtillë duhet ta lexojnë me urgjencë librin “Të thuash gati të njëjtën gjë” të Umberto Ekos, ku i ironizon motorët e këtillë. “Përkthimet” e këtyre motorëve i hasim kudo. Madje “përkthehen” vepra artistike apo shkencore që nuk u shërbejnë studiuesve, studentëve, lexuesve. Letër e harxhuar kot.

Gjuha e këtyre “përkthimeve” është shqipisht. Shembujt janë të shumtë: nga përdorimi i gjuhës te udhëzimet e produkteve ushqimore, barnat, te njoftimet, lajmërimet, dokumentet, deri te “gjuha” e mediave. “Përkthen” lartmadhëria e tij Google. Për çudi: ndonjëherë përkthen më mirë se sa “përkthyesit me licencë”.

II. Përkthyesi është gjuhëpasurues. I tillë është përkthyesi i “Iliadës”, Gjon Shllaku. Ashtu sikurse edhe shumë përkthyes të tjerë shqiptarë. “Iliada” duhet lexuar dy herë: një herë për shkak të Homerit, kurse herën tjetër për shkak të përkthyesit. Janë të shumta perlat gjuhësore. Për Zeusin: “Zeus fuqiepri”, “Lavdiploti i epër”, “Zeus stuhimbledhësi”, “Zeus rrufeflakëruesi”, “Zeus dijeploti”, “Zeus shqytamadhi”, “Zeus mendjeepri”, “Zeus bubulluesi”, “Zeus mendjepakufishmi”. Për Akilin: “Akil hyjnori”, “Akil këmbëshpejti”, “Akil tunxhveshuri”. Për Odisenë: “Kaladërrmuesi Odise”, “Mendjeshumi Odise”. Për Hektorin: “Hektor lavdimadhi”, “Hektor fodulli”. Për Menelanë: “Menela leshverdhi”, “Menela shtizori”, “Menela zemërdobëti”. Për Brizidën: “Brizidë faqebukra”, “Brizidë faqetrëndafilta”. Ja disa të tjera: “Krizidë faqendritura”, “Agamemnon zëmadhi”, “Elenë flokarta”, “Agim gishttrëndafilti”, “Hera mendjezeza”, “Herë selipraruar”, “Këmbardha Tetis”, “Kastor kuajshaluesi”, “Lavdiploti Atrid”, “Feb harkargjendi”, “Mirinë truphedhura”, “Tmerrndjellësi Ares”, “Nestor fjalëmbli”. Apo: “Hyjneshë krahëbardha”, “parzmakëçeliktë”, “këmishëçeliktë”, “zëushtues”, “gjoksleshataku”, “fjalëbukri”, “orëziu”, “shqytatundësi”, “regrumbulluesi”, “flakëvetuese”, “jetëpërpirëse”, “shtatvigani”, “armë zëmëdhaja”, “pallë gjëmëmadhe”, “hy të pamshëm”, “tarogzëtunduesi”. Dhe jo vetëm kaq. Do të duhej që të shkruhej një libër i tërë…

III. Shkrimtari i njohur dhe mjeshtri i rrëfimit, Stefan Cvajgu, i porosiste shkrimtarët e rinj që të përkthenin para se të shkruanin vetë, sepse kështu e pasuronin gjuhën e tyre. Çdo gjuhë është pasuri kombëtare dhe botërore. Është e pa tolerueshme ta dëmtojmë këtë pasuri. Duhet të krijohet institucioni i lektorit. Nëse ai gabon, atëherë duhet të gjobitet. Ai paguhet për këtë punë. E ka zgjedhur me vetëdëshirë këtë profesion. Kështu veprojnë kombet e mëdha. Institucionet tona nuk kanë përkthyes apo lektorë. Madje përkthyes e lektorë që e njohin shqipen dhe janë të përgjegjshëm ndaj gjuhës.

IV. Mendoj se sot duhet marrë porosinë e një gjuhëtari, i cili kërkonte “TOEFL” për shqipen. Sot është jetik zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni, ku mungojnë edhe shkollat shqipe. Mund të duket e pabesueshme, por lexoni tekstet mësimore. Do të bindeni se kemi shkolla të përkthyera. Madje të përkthyera keq.

Me ata që këtë zyrtarizim e konsiderojnë kërkesë radikale as nuk duhet të bisedohet. Ata vetëm këmbët i kanë në shekullin tonë e kokën e kanë në kohë tjetër.

Zyrtarizimi i shqipes e mbron Maqedoninë. Zyrtarizimin shqiptarët e duan për shkak të vetvetes dhe jo për inat të të tjerëve. Maqedonia rrezikohet për shkak të dominimit gjuhësor. Mjerisht, ende merremi me këtë temë. Mjerisht këtë s’duan që ta “kuptojnë” as akademikët maqedonas, që gojën e kanë plot me tolerancë e kozmopolitizëm…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button